Berisha: Shteti policor tregoi fytyrën e vërtetë, dhunë

Ish-Kryeministri Sali Berisha deklaron se denoncon dhunën ndaj qytetarëve, duke e cilësuar si të paprecedentë, dhunë ku sipas tij përfshihet policia.

Ai denoncoi dhunimin e Enver Bashës, dëshmitarin kyç në vrasjen e katër personave në Rrugën e Elbasanit, nga Kostandin Xhuvani.

“Enver Basha konstatoi se në praninë e tij polici i tha “Ik, zhduku” vrasësit të katërfishtë. Xhuvani ia mbathi i shoqëruar nga djali i një deputete apo deputeti. Mediat shqiptuan jo në publik, djalin e deputetes Arta Dade. Ishte apo nuk ishte këtë do ta faktojë Prokuroria. Pasi Kostandini ia mbathi me vrap, Enver Basha me motorr i ndjek dhe i parakalon, i rrëmben nga dora revolen Kostandinit, i cili i premton se do ta mbulojë me flori nëse e liron. Ndërsa ai bëri detyrën si qytetar, ia dorëzoi policit të parë që erdhi. E denoncova ngjarjen në Parlament, para mediave dhe në Facebook. Policia ra në kontakt me të dhe i kërkoi ç’punë ke ti me Sali Berishën. Gangsterë me uniformë. Pasi morën dëshminë i thanë se do shpërblehesh për trimërinë, por më tej i thanë se nuk ka asnjë shpërblim, qërrohu”, u shpreh Berisha.

Ai tha më tej se Enver Basha konstatoi se ndiqej nga mbrapa dhe për këtë arsye ai u paraqit në polici dhe kërkoi mbrojtje, por policia ia refuzoi atë.

Berisha deklaroi se dy ditë më parë, dy persona njëri prej tyre i lidhur me një oficer të lartë policie, e rrahën në rrugë.

Ish-kreu i qeverisë deklaroi se gjykatësit duhet të gjejnë motiv që Kostandini të mos marrë dënimin maksimal, pasi ka vrarë pesë persona, referuar edhe një krimi të mëparshëm të Xhuvanit.

Në vijim ai tha, “Dhjetë ditë më parë u zhduk pa nam dhe nishan Petrit Stafuka, njeriu që i ka siguruar makinën vrasësit që qëlloi komisarin e policisë. Ai rrëmbehet dhe harrohet. Qeveria ia ka dalë të vendosë një heshtje varri rreth fatit të një njeriu të rrëmbyer. Shteti policor ka shfaqur këto javët e fundit fytyrën e shëmtuar dhe pa asnjë maskë. Dy javë më parë në Durrës, në komisariat është masakruar qytetari Shpëtim Abazi, i kanë thyer këmbën nën gju dhe e katandisën deri në rrezikimin e jetës”.

Sipas tij situata në vend është e paprecedentë dhe e paimagjinueshme. Berisha shtoi më tej se në një sërë komisariatesh të tjera rëndom përdoren tortura, ku qytetarët i shtrijnë çimento të lidhur këmbë e duar në mënyrë që të pranojnë krimin që nuk kanë kryer.

Ai tha më tej se torturat që po përdoren aktualisht janë njëlloj si ato që janë përdorur në vitet e diktaturës nga sigurimi i shtetit./NOA/

Lajme të ngjashme

Back to top button