Cameron: Trupa britanike në Ukrainë

Një personel ushtarak britanik do të dërgohet në Ukrainë në javët e ardhshme, për t’iu ofruar këshilla dhe për të stërvitur forcat qeveritare, bëri të ditur kryeministri britanik David Cameron.

E teksa ai fliste, rebelët prorusë deklaruan se kishin nisur tërheqjen e armatimeve të rënda nga vija e frontit, në lindje të Ukrainës, në respektim të armëpushimit. Gjithsesi, qeveria e Kievit ka hedhur dyshime mbi pretendimet e rebelëve.

Cameron tha se do të nxiste vendet e tjera për më shumë sanksione ndaj Rusisë, nëse separatistët do të dështonin të respektonin marrëveshjen e paqes.

Kryeministri foli përpara një komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve, duke u thënë se rreth 75 ushtarë britanikë, të ndarë në 4 ekipe, do të shkonin në një ambient shumë larg zonës së luftës për të ofruar ndihma mjekësore, mjete logjistike, burime inteligjence dhe aftësi këmbësorie.

Në një deklaratë, Sekretari britanik i Mbrojtjes, Michael Fallon, tha se kjo lëvizje ishte rezultat i “agresionit të mbështetur vazhdimisht nga rusët”.

Shtetet e Bashkuara kanë bërë të ditur gjithashtu prej kohësh se po planifikojnë dërgimin e një batalioni ushtarësh për të stërvitur 3 batalione ukrainasish.

Ministrat e Jashtëm të Rusisë, Ukrainës, Gjermanisë dhe Francës, u takuan në Paris gjatë së martës, në përpjekje për të forcuar besimin ndaj marrëveshjes së armëpushimit të nënshkruar në Minsk më 12 shkurt. E megjithatë, sipas raportimeve, ata arritën shumë pak progres.

Ukraina i frikësohet planifikimit nga separatistët që, përmes shfrytëzimit të këtij qetësimi relativ të luftimeve, ta kthejnë vëmendjen e tyre drejt qytetit portual jugor të Mariupolit.

Pas bisedimeve në Paris, ministri i Jashtëm ukrainas Pavlo Klimkin u tha reporterëve se “jemi ekstremisht të shqetësuar nga sulmet e fundit në rrethinat pranë Mariupolit. Jemi të shqetësuar për një dislokim të mundshëm të forcave nga Debaltseve në drejtim të Mariupolit”.

Monitorues ndërkombëtarë thonë se nuk mund të konfirmojnë tërheqjen e armatimeve të rënda të rebelëve në lindje, edhe pse lëvizje të autokolonave me artileri të rëndë janë raportuar. Sipas vëzhguesve të OSBE-së është e pamundur të verifikosh tërheqjen, pasi ata nuk dinë me saktësi sasinë e armatimeve të zhvendosura, apo se prej nga janë larguar.

Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, akuzoi Rusinë për gënjeshtrat e radhës në lidhje me përfshirjen e saj në Ukrainë. “Ata vazhdojnë të këmbëngulin në keqinterpretimet apo gënjeshtrat e tyre, sido që t’i quani ato, në lidhje me aktivitetet e tyre përpara meje”, i tha Kerry një komiteti të Senatit. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button