Imazhi copë-copë

Vështirë ka ndjenjë më të pështirë, sesa kur paragjykoheni a priori si keqbërës potencial, vetëm për shkak të namit kolektiv të grupit që i takoni. Një moment të këtillë e përjetova në Londër, kur një bashkëbisedues i porsanjohur e shkrepi përshtypjen për shqiptarët – kriminelë. Pa çka se nuk kishte takuar ndonjë në jetë dhe ai vetë ishte nga një vend i Amerikës latine me shkallë rekordi vrasjesh.    

Mirë ose keq, perceptimi i krijuar dhe përshtypja kolektive ushqehen mes vete, duke e krijuar imazhin e një vendi, populli ose grupi. Kështu, kërkohen fakte që i përgjigjen përshtypjes së krijuar, duke i anashkaluar përjashtimet që e sfidojnë atë. Në psikologji, kjo dëshmohet me vështrimin ku nëse fokusoheni vetëm në veturat e zeza në komunikacion, ju duket se të gjitha makinat janë të zeza.

Me shumë të vërteta dhe ca sajesa, imazhi i shqiptarëve nuk shquhet për të mirë. Nuk janë të rralla rastet kur lajmet makabër e nxisin reagimin “aman, të mos jetë i joni”. Raportet e kronikës së zezë anembanë Evropës, brutaliteti i krimeve ndër-shqiptare në familje (veçanërisht në Shqipëri) dhe glorifikimi i keqbërësve në muhabetet e kafes japin kombinim fatal. Me kalimin e viteve, ndërgjegjja kolektive na është trashur aq shumë, sa nuk bëjnë përshtypje as llogaritjet zyrtare se 12% e territorit shqiptar shfrytëzohet për kultivim droge. Për nivelin e vrasjeve dhe të burgosurve as që bëhet fjalë.

Imazhi është si vitrina – krijohet prej asaj që shihet me të parën, pa u futur në brendi. Kështu, asociacioni për italianët është jo vetëm mafia, por edhe kuzhina dhe stili i jetës. Rusët lidhen kryesisht me artin dhe bukurinë e femrave, pavarësisht nëntokës së bazuar në strukturat e zbulimit. Jakuzat radhiten mes grupeve mafioze më të rrezikshme, por Japonia identifikohet me teknologjinë dhe makinat superiore… Lista është e gjatë, por ku gjendemi ne?

Meqë informohemi kryesisht për dorasit bashkëkombas, jo rrallë mbivlerësohet roli dhe kontributi shqiptar në botën e krimit. Nga ana tjetër, gazetari i njohur Misha Gleni, në veprën e tij voluminoze për krimin global “McMafia”, i vesh shqiptarëve role periferike në trafikimin e paligjshëm. Në Ballkanin ku stigmatizimi është falas, pak flitet për Pink Panterat e ish-Jugosllavisë, të njohur për vjedhjet milionëshe me nam në mbi njëzetë vende. Me ngarkesën historike dhe politike, shqiptarët në rajon piketohen si kriminelë të lindur, ndonëse krimi nuk njeh përkatësi dhe lulëzon pavarësisht ndarjeve.

Ajo që kryesisht na dallon në këtë katrahurë është qëndrimi i zyrtarëve shtetërorë ndaj krimit, që e tejkalon korrupsionin dhe bashkëveprimin. Rrallë mund të dëgjoni ndonjë kryeministër aktual që e quan trashëguesin e tij si eksponent i trafikantëve të drogës, si që ndodh me fjalimet e Kryeministrit të adhuruar shqiptar, Sali Berisha. Një budallallëk i këtillë lehtësisht do të shtrydhet për qëllime propagandistike, pa e harruar pyetjen se çka ka bërë qeveria e Berishës në tetë vitet e kaluara, kur mafia qenka fuqizuar aq shumë, sa të krijojë një qeveri të vetën. Në Kosovë duket se gjërat janë edhe më keq: ministra nën hetime, politikanë me pasuri marramendëse por pa burime të njohura, si dhe persona me imunitet të plotë nga ndëshkimi ligjor. Me një ngarkesë të këtillë, harrohen shpërthimet tektonike kriminale në rajon, si atentati ndaj Kryeministrit serb Zoran Gjingjiq nga strukturat kriminele të rrënjosura thellë në pushtet.

Diçka tjetër që theksohet gjithmonë është brutaliteti dhe çmenduria e atyre që ia nxijnë imazhin miliona bashkëkombasve tjerë, që e kalojnë ferrin për tu trajtuar me dinjitetin e merituar dhe inkuadruar në vendet ku jetojnë. Si mund të shpjegohet në terma racionalë, lajmi që një 20-vjeçar shqiptar në Itali për pikë qejfi i ka gjuajtur kalimtarët e rastit me plumba plastikë snajperi? Raste të këtilla ka plot, pothuajse nuk kalon java pa to, ku kreativiteti mizor ia kalon raportimit të djeshëm.

Fatmirësisht, kohëve të fundit shfaqen shembuj pozitivë, që na e zbardhin fytyrën në botë. Disa personazhe bashkëkohore, si Rita Ora, Rene Rexhepi ose futbollistët në skuadrën zvicerane, me kalimin e kohës do ta ndihmojnë kombin e tyre në ribrendimin e vështirë. Që të ndodhë kjo, tashmë kur në perëndim lind gjenerata e tretë e shqiptarëve dhe ajo e dyta me gjasë është integruar sadopak, nevojitet shumë kohë, por gjithashtu edhe luftim të mirëfilltë të krimit në shtëpi. Kot promovohet fryma evropiane jashtë, kur në shtëpi amnistohen kriminelët e mëhallës dhe zhvatësit e njohur botërisht.    

Për fillim, mjafton të kontrollohen akuzat që këmbehen pa kusur në nivel zyrtar. Këtë ia kemi borxh, nëse jo vetes, të paktën atyre që e mbajnë gjallë vendlindjen me frymë dhe të holla.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mkTë drejtat e publikimit i kanë vetëm © Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

       

Lajme të ngjashme

Back to top button