Ndalohet programi për përgjimin e partnerëve

Aplikacioni telefonik “Përgjuesi i të dashurve” është ndaluar nga “Google”, pas ankesave në Brazil për shkelje të privatësisë dhe potencialit të tij për t’u përdorur për shantazh.

Brazilianët janë zemëruar fort kur kanë mësuar se vendi i tyre ka qenë cak i madh i operacioneve të spiunimit jashtë vendit të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare amerikane (NSA), e cila ka mbledhur të dhëna nga miliarda telefonata dhe e-maila. Por, kur bëhet fjalë për përpjekjen e fshehtë për kapjen e të dashurve jobesnikë, armët e teknologjisë së lartë duken të jetë në rregull – të paktën për dhjetëra mijëra brazilianët që kanë shkarkuar programin “Përgjuesi i të dashurve” në telefonat e tyre mobilë, para se ai të hiqej nga dyqani “Google Play” javën e kaluar, pas ankesave për shkelje të privatësisë dhe potencialit të tij për t’u përdorur për shantazh.

“Brazilianët janë njerëz xhelozë, ç’të të them? Natyrisht se programi do të bëhet i popullarizuar”, ka thënë Marcia Almeida, një femër 47-vjeçare në Rio, martesa e së cilës ka përfunduar shtatë vjet më parë, kryesisht për shkak të asaj që ajo e ka quajtur tradhti bashkëshortore nga burri i saj.
“Ky është një lloj tjetër i spiunimit”, ka vlerësuar ajo, duke iu referuar programit të përgjimit të NSA-së. “Është përgjim i dikujt me të cilin ke lidhje intime, jo i ndonjë të huaji”, ka thënë ajo.

Programi, i quajtur “Rastreador de Namorados” në gjuhën portugeze, premton që të veprojë si “detektiv privat në xhepin e partnerit tuaj”. Ndër funksionet e tij janë pranimi i informatave për vendndodhjen e partnerit dhe pranimi i kopjeve të të gjitha mesazheve nga telefoni i përgjuar. Ekziston bile edhe një komandë e cila i mundëson përdoruesit që ta detyrojë telefonin e përgjuar për ta thirrur pa zhurmë të tijin, që ai të mund të dëgjojë gjithçka që thotë personi i përgjuar.

Programe të ngjashme ofrohen për përdoruesit e telefonave të mençur mobilë në vendet e tjera, përfshirë në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara, por “Përgjuesi i të dashurve” është i pari që ka ngjallur interesim në Brazil, një vend ende i zemëruar teksa po mëson më shumë për përgjimet e Uashingtonit. Brazili ka dërguar një delegacion qeveritar për t’u takuar me autoritetet amerikane për të diskutuar për programin e spiunazhit që është demaskuar nga Edward Snowden, ish-agjent i NSA-së, i cili ndodhet në arrati që nga muaji maj, dhe i cili ka fituar azil njëvjeçar në Rusi.

Zëdhënësja e “Google”, Gina Johnson, ka thënë nëpërmjet postës elektronike se kompania nuk jep arsyetime për largimin e aplikacioneve nga dyqani i saj. Kritikët kanë thënë se edhe vetëm si produkte, programet si “Përgjuesi i të dashurve” mund t’i shkelin ligjet e privatësisë, ndërsa kanë paralajmëruar se në duart e gabuara ato mund të përdoren për qëllime më të këqija, si shantazhi. Disa në Brazil argumentojnë se ai shkel ligjin kundër piraterisë dhe ngacmimit në internet, që ka hyrë në fuqi në prill. Ligji është emërtuar sipas aktores Carolina Dieckmann, disa fotografi cullak të së cilës janë publikuar nga hakerët më 2012, pasi ajo ka refuzuar që të paguajë 5.000 dollarë.

Matheus Grijo, 24-vjeçar, krijues i programit “Përgjuesi i të dashurve”, ka thënë se ai ka tërhequr rreth 50.000 përdorues që kur është lëshuar, dy muaj më parë. Grijo ka treguar se avokati i tij e ka analizuar programin dhe ka vlerësuar se ai nuk i shkel ligjet braziliane. Pavarësisht ndalimit nga “Google”, programi kontrovers ende mund të shkarkohet nga ueb-sajti i kompanisë së tij.(Tribuna)

Lajme të ngjashme

Back to top button