Kohezioni i filozofisë së shtirjes

Sot, për t’i kuptuar fenomenet drejtë e mbarë, duhet të kërkohen një varg metodash profesionale për shqyrtimin e tyre të saktë. Tanimë, në shoqërinë tonë anomalitë janë probleme të shumëzuara, që na e kthejnë vëmendjen kah fenomenet më tipike. Ato mbajnë peng qytetarin me individë që u kanë shërbyer dhe i shërbejnë mugëtirës politike e kulturore një kohë të gjatë këtu te ne. Si majtas, si djathtas, shëmtia ka çmimin e vet të ekzistencës së saj të hidhur, prandaj e vërteta kërkon rrugëdalje të mirëfilltë nga kjo agoni e ndrydhur e të jetuarit rrejshëm. Është rëndë sot t’i përballosh mediokritetit uzurpues, ngase ai ka marrë përmasa shqetësuese në shoqëri. Ai dominon në të gjitha poret e jetës duke krijuar forcën e shërbimit të keq në shoqëri.

Kohezioni i së keqes plandoset rëndë në kryen e trungut të njomë dhe shndërrohet në metil që ta thanë edhe rrënjën e lindjes. Mban peng të këndshëm despotizmin veprues me ngathtësitë e shumta të përqendruara në humbje perspektivash. Kësaj situate të prapambetur i ndihmon edhe gjendja sociale e shoqërisë, e cila tanimë nga ky përfytyrim i veçantë, i nënshtrimit të sajuar, ka marrë përmasa të mëdha të varfërisë. Kështu, kur të shihet çdo gjë nga retrospektiva e kohës, në veprim e sipër të gjendjes së rënduar përfshihet një karvan i gjatë defektesh sistemore.

Në skenë dalin vepra të mira dhe vepra të dobëta. Ndaj sipas këtyre niveleve të dukshme do të bëhen edhe vlerësimet që do të mbahen mend. Ato, madje nga distanca e kohës shndërrohen fenomene frymëzimesh për të gjithë ata individë që merren me këtë kreativitet gjykues. Kritika nuk na shërben neve vetëm për ta lëçitur tjetrin, por ajo është shëmbëllen si ndonjë formë mase e drejtë, vlerësuese, me kriter profesional të veçantë, që bazohet në standarde bindëse të dijes, për t’ia gjetur vendin një vepre të bërë, me të mirat dhe të këqijat e saja që ngërthen ajo në vete. Çdo gjë që lidhet jashtë këtij kodeksi e standardi vlerësues të drejtë, merret si tendencë e keqe, jo profesionale.

Shumë kujdes duhet të kihet kur lëvdohet ose përbuzet një vepër e cilitdo autori qoftë. Jemi të rrëmbyer keq nga vlerësimet e njëanshme, jo profesionale, duke ia bërë qejfin njëri-tjetrit për të arriturat modeste, prandaj sot kemi nevojë shumë të madhe për autokritikë të shëndosh. Këtu vjen në pah kultivimi i diverzitetit midis shijes dhe miqësisë që ka krijuar perceptuesi vlerësues ndaj tjetrit. Ky standard për të qenë në nivel të kënaqshëm duhet të ushqehet me mallra efikase shkencore, të informacionit preciz, që do kishte peshë kriteri të nivelizuar në qasje. Shkenca nuk ka anim, ajo ka gjetje, zbulim dhe përpikëri, prandaj them se ajo duhet të veprojë e vërtetojë drejtë veprën e dikujt, pa ndikime e improvizime interesi, ashtu siç e kërkon norma e vërtetë studimore.

Shoqëria jonë sot është e ngarkuar me shumë veprimtarë dhe në tregun e shitjes së mallit të tyre renditen llojllojshmëri çmimesh. Ato duken gjithandej shtegtimit tonë imagjinativ. Kiçi, shundi dhe arti janë mallra prezentë, të derdhura gjithandej hapësirës sonë ekzistuese. Ato mbeten si këmbime më të preferuara të kohës, që bashkëveprojnë në kreativitet të përhershëm. Por këto dallueshmëri mallrash ekzistuese, që ne i gëlltitim për çdo ditë nëpër ‘’tezga’’ plasimi shoqëror, duhet të dimë një herrit se si t’i veçojmë e dallojmë njëkohësisht midis vetes.

Krijimtaria nuk është një banje, apo polygon i hapur, për t’i larë ‘’mëkatet tona të përditshme’’ dhe komplekset individuale të derdhura pa kriter nëpër fushat e ndryshme të kreativitetit. Disa të dalldisur nga kjo lakmi firmuese, i futin hundët edhe nëpër ato lëmi e shkenca, që si kanë profesione të veta adekuate. Për t’u treguar të tjerëve se edhe unë ditkam të bëj diçka nga kjo lëmi e ndritur që është e hapur për të gjithë, duke vepruar me qasjet e tyre sa për sy e faqe nëpër këtë rrugëtim të ‘’lehtë’’ artistik. Prandaj nuhatja e tyre del në skenë e brishtë, apo e vjedhur tërësisht. Ai që merret me letërsi dhe gazetari e humb o njërën o tjetrën prej këtyre të dyjave, ose i humbë që të dyja. Improvizimi është gjëja më e shëmtuar e shkencës së sotme. Kreativiteti është një punë e rëndë permanente, stilistike, që kërkon njohuri dhe mësim të përditshëm, si dhe kondicion të përhershëm leximi e veprimi.

Pa i mbushur mirë bateritë e ndriçimit kohor e mendor me informacion e dije, do të dilnim të mangët në stil dhe nëpër këtë konkurrencë rrugëtimi të gjatë të vezullimit të mirëfilltë të së vërtetës, do të vonoheshim shumë për ndriçim të duhur. Po stili ngandonjëherë dinë të na bëhet edhe ‘’tabut’’ me peshë të rëndë në letër. Sepse,  po të parafrazoja mendimet e Emil Shteigerit se stili nuk është vetëm forma dhe përmbajtja, madje nuk është as vetëm fjala dhe gjuha, por edhe shumë mundësi tjera shprehëse, strukturore, të gërshetuara në një mjeshtëri të rrallë, kryesisht të qëndisur me kujdes në mendim e shkrim të shfaqur. Atëherë do të kishim shumë kujdes në publikimin e gjërave. Si do ta kultivojmë e ndërtojmë këtë jetë, me çfarë përmbajtje e forme do ta ngjeshim brumin e kreativitetit tonë artistik, ashtu do ta kemi edhe vlerësimin për veprat e bëra nga të tjerët që do të merren me ne. Në këtë nyje punishte shkrimi të gjatë hyjnë kuptime e vlerësime të shumta. Kjo na jep një shkas të veçantë për të dalluar të mirën nga e keqja, të bukurën nga e shëmtuara, të madhërishmen nga vogëlsirat, errësirën nga drita, vrullin nga plogështia, të vërtetën nga jo e vërteta etj.

Të gjitha ndryshimet strukturore e sistemore janë nxitje reale për ta njohur të vërtetën dhe rrethin ku jetojmë. Sepse pa të vërtetë nuk ka drejtësi, nuk ka dritë. Ajo është një, në fokus të trurit të ndritur. Dy të vërteta të njëjta nuk ekzistojnë. Për t’u ndriçuar kjo e vërtetë duhet të ketë liri të mirëfilltë. Dhe liri të shëndoshë kemi atëherë kur ka barazi në shoqëri. Kjo arrihet vetëm atëherë kur jemi të përkushtuar me devotshmëri dhe me gjithë mend për një qëllim të tillë të drejtë. Shkathtësia kreative për të vërtetën ekzistuese gjendet diku në vete, në lagje, në qytet, në fushë, kodrinë; madje këtu, atje, lartë, poshtë, në kozmos, por duhet gjetur, se ajo është diku e fshehur në mesin tonë. A kemi ne energji shprese maratonike për ta zbuluar këtë bukuri artistike, ekzistuese? Kjo është një pikëpyetje nxitëse që na futë në kërkim të gjatë dhe të përhershëm.

Rruga e artit të mirëfilltë është e rëndë dhe kush nuk i ka parasysh këto vështirësi e humb kahen e vet kreative. Dija ka shteg, mosdija ka barriera. Brenda këtij rrethi të dijes e mosdijes dalin fenomene të shumta kompleksive, që veprojnë me dështime dhe me ngritje profesionale, gjithandej shoqërisë sonë. Çdo individ nuk ka thellësi të përsosur virtuoze, por ai vepron me përmasat e dijes së tij të caktuar. Jashtë dhe brenda funksionimit të këtij standardi përligjen mendime të shumta dhe nga palët vëzhguese merren si fenomene tipike për t’u shqyrtuar të arriturat e përgjithshme. Sot, mos më tregoni se çka shkruani, por më tregoni çka lexoni, që t’ua them vendin ku e keni nesër. Por kam respekt të posaçëm për të gjithë ata krijues të shkathtë që e thonë të vërtetën e kohës pa frikë e tendencë, qoftë ajo e vërtetë të jetë e hidhur apo dobiprurëse për veten.

Pa guxim nuk ka krijim. Jemi dëshmitarë të kthesave, të ndryshimeve, organizimeve, ngufatje, dështimeve si dhe të adaptimeve të vrazhda politike e kulturore që ndodhin përreth nesh në pension. Shoqëria është e ngarkuar me probleme të shumta. Ato janë tipike dhe atipike. Sepse erdhi koha e shtirjes dhe demagogjisë së madhe vepruese. I kemi përzier punët shumë keq. Merremi me të tjerët pa u marrë me vetë veten. Pa e pastruar e ndryshuar veten nga dobësitë e shumta që kemi, pa u larguar nga lakmitë imponuese, nuk do të kishte sukses asgjë në jetë. Ironia dhe satira, në këtë segment jete të vrazhdë zhvillimi, mbeten armët më të preferuara të provokimit kreativ të përhershëm, që veprojnë si ‘’bomba të fshehura’’ e të kurdisura në stil, që i përjetojmë ndezjet e tyre të mundshme, me detonim të ashpër, për çdo ditë në shoqëri. Janë simbole dhe dëshmi të gjalla për ta korrigjuar veten nga shëmtitë e shumta që na rrethojnë e bllokojnë në këtë botë. Këto figura e shenja dalluese, simbolike e shpërthyese, trazojnë kudo ndjenjat e individit në shoqëri.

Koha I tatuazhin në vete të gjitha gjërat artistike që ndodhin për rreth nesh. Ato janë dëshmitare dhe kallëzuese më tipike të shumë fenomeneve jetësore që i bartin njerëzit me vete në këtë shoqëri. Prandaj këto figura simbolike i përdorim sot për t’u korrigjuar e mësuar që të mos na përsëriten të këqijat e trashëguara nga e kaluara. E keqja duhet të ndërpritet, e jo të shërohet e arsyetohet. Ajo është e sëmura e kohës, që na mban peng agonie të rëndë. Nepotizmi në shoqëri krijon avancimin e intolerancës dhe karrierizmin e rrejshëm. Ajo jep shenja të rënda dhe muskuj mendor impotent në shoqëri. Stimulon veti ngufaste për të tjerët, lejon të keqen të jetë imazh normal i qytetarit, ngase, si e tillë që është, me veprimet e saja bart peshë të rëndë mbi supe pasojash të vrazhda me vite të tëra. Ato veti morale të ulëta kanë hyrë thellë në sistem për fluturim të shpejtë fisnor. Prandaj ka çrregullime të mëdha në funksionimin e vlerave të tyre të mirëfillta në shoqëri.

Pastaj në këtë turbullirë kohe rrugëton pa kriter papërgjegjësia dhe akademia e madhe e veprimit utopik në Pension. Kush nuk mëson nga gabimet e bëra, e keqja do t’u përsëritet edhe më tej. Nga ky standard i dukshëm, tanimë, po na del në sfond qartë kriteriumi i‘’frymëmarrjes kolektive’’ se ne sot shtiremi si të tipizuar rëndë, me ‘’stil’’ dhe pa përgjegjësi të madhe në jetë. Kryesisht, shtiremi si filozofë, shtiremi si shkrimtarë, shtiremi si politikanë, shtiremi si ekonomist, shtiremi si analistë, shtiremi si sportistë, shtiremi si patriotë, shtiremi si tregtar, shtiremi si profesorë, shtiremi si predikues të fesë, shtiremi si idiot, shtiremi dhe vetëm shtiremi! Nga kjo shtirje e madhe, më në fund adaptohemi lehtë për për të keq në shoqëri, me vardisjen tonë mendore të kultivuar rrejshëm, me nivelimin e vlerave të brishta që kemi, gjoja se kemi bërë punë të mëdha shoqërore, se qytetari avancohet mirë me të drejtë. Por e vërteta dhe realiteti është krejtësisht ndryshe. Ajo rrugëton pa animin tonë nëpër kriteriumin e dëshmive të shumta ekzistuese, reale.

E shëmtuara për çdo ditë na e zë shtegun e tejkalimit. Shoqëria e humb standardin e duhur të marshimit pozitiv të mëtejmë. Kriza troket në çdo derë të shtëpisë. Qytetari i sotëm gjendet në zgrip të varfërisë. Shtohet kriminaliteti, të rinjtë marrin rrugën e arratisë. Vrasjet nuk zbulohen. Pasiguria e qytetarit thur imazhin e frikës. Komplekset politike dhe kulturore vazhdojnë të qarkullojnë e veprojnë midis nesh, si telenovela monotone në ekran, që nuk na e shërojnë fare nivelin jetësor me dekada të tëra. Ne atakojmë njëri tjetrin për dështimet e shumta, disa prej tyre, madje, mendojnë se kanë ardhur në skenë politike e kulturore nga qielli. Ata harrojnë se ne njihemi midis vetes. Ka të tillë që me imazhin tyre reflektues japin kuptimin e forcës, se qytetari duhet t’u shërbej atyre, dhe jo ato t’i shërbejnë qytetarit me meritokracinë e kulturës së merituar. Mediokriteti i sotëm lakmon dhe mban pushtetin, vetëm e vetëm, që bijtë e tyre pa u dënuar ta kalojnë sinjalin e kuq në semafor. Kjo gjë e lakmueshme është e tmerrshme. E keqpërdorin postin e nominimit. Sherrin e vënë para dijes. Çdo gjë vihet nën kuben e interesit personal. Krijohet mundësia e hapësirës së plutokracisë së brishtë. Prandaj sot gjendjen tonë të vështirë e përshkon mosdurimi dhe kaosi interesit të vështirë kulturor.

Mbetemi ende të varfër në këtë vend të pasur e të mrekullueshëm që na e dhuroi Perëndia. Dhe me këtë shtirje të madhe që kemi tatuazhuar ne të gjithë, si sistem praktik dhe si shërbyes të këqij, në punën tonë të përditshme, tjetërsohemi, tjetërsohemi deri në skajshmëri tmerruese. Turma çorientohet, me trurin e anuar njëanshëm në përzgjedhjen e vet të rrugëtimit. Vlera qytetare e humb kuptimin e vet të realët. Shtigjet e jetës bëhen të kufizuara. Pakënaqësia merr tatëpjetën. Dhe nuk dihet sot ende se kush është më keq në këtë formë jete të trazuar nga ngufatja e despotizmi ekzistues. E keqja nuk ka brirë, por ajo na vret e shpon për çdo ditë nga pak.  A thua o Zot, tanimë, në këto tendosje çastesh të hidhura, kur çdo gjë abuzohet për të keq në shoqëri, se edhe këto rreshta të shkruar enkas për këto fenomene atakuese kohe, për pëllumbat, korbat dhe sorrat grabitqar, që kanë ndërtuar me dhunë spontane çerdhen e sofistikuar të sistemit përfitues, nën çatinë e brishtë kulturore ekzistuese, të cilët, me veprimet e tyre, bindshëm kanë hyrë e dalë këndej pari kohës sonë, me kitsch të adaptuar, gjegjësisht të sofistikuar në skenë me veprat e tyre të pa vlerta.

Mendoj se ato gjatë kohë kanë zënë vend në laboratorin kreativ të qasjes sime preventive, pasi që janë një shtirje reale apo jo reale e momenteve të imponuara nga koha tronditëse. Këto ide diverzitetesh të shumta, ku shihet  e keqja dhe e mira ashiqare, kanë dalë shumë herët në veprim të mbrapsht, si prapështi vërshuese shoqërore, dhe tani duken të kthjelltë midis nesh, në këtë kohë lakmish, me kortezh të gjatë improvizimesh gradash të shumta dekorimi, të improvizuar me shund, krejtësisht të pranuara njëanshëm, nga një grup i caktuar vlerësuesish, por me një tundim sherri të grishur spontan në shoqëri naive dhe të ngjeshur me kuptim të vrazhdë dedikues në opinion, sipas nevojës së dalë nga këto çaste kërkimi. Vlerësimet e drejta kanë bazë reale dhe dalin me përmasë fërkimi bashkëkohor e novator, që tanimë si të tilla, frekuentojnë bindshëm nga situata në situatë, bashkë me  përplasjet e ideve vringëlluese e racionale në mëndje, apo ndoshta këto vegime të strallta motivesh ndriçuese që më shqetësojnë mua, janë të shpërthyera spontanisht nga thellësia e shpellës së ndjenjës së përforcuar gradualisht në bindje, me dromca frymëzimesh të rralla në mendje, gjoja se i paskam goditur këto tema të preferuara të kësaj stine të ardhur kështu siç është me kitsch, shund dhe art bashkëkohor.

Këtë sprovë, të drejtë apo të padrejtë të bindjes sime, do ta vërtetojnë të tjerët, ose do ta vlerësojë koha e ardhme si dhe njerëzit që janë të çliruar nga ‘’status quo’’-ja tendencioze. Jam me shpresë se këto dromca mendimesh modeste nuk do të keqkuptohen, por do të pranohen si kërkesë e drejtë e kohës, kryesisht nga ata individë që lexojnë vëmendshëm midis rreshtave, me ndërgjegjen e tyre të pastër e kritike. Gjithsesi se këtë gjendje kohe të acartë, do ta kuptojnë edhe ata njerëz modest, të pranishëm të këtij vendi, që bashkëjetojnë me këto probleme shoqërore të rënda dhe rrethana të çuditshme, nëpër këtë lëndinë të ngushtuar jete, për ngjarjet e ndodhura, për fenomenet dhe kulturën e kohës sonë, të rëndur me kitsch e shund përmbytës në Pension.

Lajme të ngjashme

Back to top button