Filloi zyrtarisht edicioni i 52-të i Mbrëmjeve strugane të poezisë

Sonte me fillim në ora 20:30 para Pallatit të kulturës në Strugë bëhet edhe hapja ceremoniale e manifestimit, ku do të recitojnë vargje poetike poetë pjesmarrës nga vende të ndryshme të botës.
Sot me mbjelljen e “Drurit të paqes” në parkun e poezisë në Strugë, filloi zyrtarisht edicioni i 52-të i Mbrëmjeve strugane të poezisë. Laureati i çmimit “Kurora e artë”, poeti meksikan Jose Emilio Pacheko, me shumë emocione theksoi para të pranishmëve, se përjëton emocionet më të veçanta të karrierës së tij si poet.

“Unë nuk i preferoj bustet, më pëlqen shumë ideja që sot mbjell një dru në këtë park, drunjtë për dallim nga bustet janë gjithmon të gjalla dhe për mua kjo është shumë domëthënëse”, deklaroi Jose Emilio Pacheko para të pranishmëve ndërsa me këtë rast ai recitoi disa vargje nga poezia e tij “Druri”, për të cilën theksoi se e ka shkruar para 30 viteve.

Pas ceremonisë së mbjelljës së drurit, poeti meksikan dhe stafi drejtues i Mbrëmjeve strugane të poezisë dhanë një konferencë për media. Emilio Pacheko me emocion shprehu përshtypjet e tij për qëndrimin e tij në Strugë dhe kontaktet me poetët mysafirë që kanë ardhur enkas me këtë rast.

“Asnjëherë në jetë nuk kam pasur rastin të flas me një konferencë për shtyp, andaj duhet të pranoj se është një emocion i këndshëm të jem sot para kaq shumë gazetarëve dhe miqve të tjerë, më pëlqen gjithçka. Më vjen shumë mirë për krahasimet që më bëhen me poetët gjenialë si Pablo Neruda apo Horhe Garsia Lorka, ato janë gjenialë dhe kanë shërbyer si frymëzim edhe në ndërtimin e karakterit tim profesional” tha poeti meksikan.

Sonte me fillim në ora 20:30 para pallatit të kulturës në Strugë bëhet edhe hapja ceremoniale e manifestimit, ku do të recitojnë vargje poetike poetë pjesëmarrës nga vende të ndryshme të botës, ndërsa fjalën e tij do ta ketë edhe poeti meksikan.

Aktivitet e MSP do të vazhdojne deri më 27 gusht, ku do të shënohet edhe përmbyllja e ketij aktiviteti.

Ndërkohë sot përmes një konference për shtyp kryetari i komunës së Strugës Ziadin Sela ka informuar opinionin se Komuna e Strugës do ta bojkotojë këtë aktivitet kulturor në Strugë për arsye se nuk respektohet gjuha shqipe.

Lajme të ngjashme

Back to top button