Erisa Zykaj: Vazhdimisht kërkoj përmirësimin (Intervistë)

Erisa është mburja e gazetarëve në Bruksel. Ne në në Komisionin Evropian nuk kemi patur asnjëherë njeri më të pregaditur. Zykaj në intervistë flet për sfidat, fitoret dhe për të ardhmen. Lexojeni dhe shpërndajeni këtë intervistë për të motivuar edhe të tjerët!

Intervistoi: Venhar Ramadani 

Erisa, pas incidentit në Beograd ne lojën Serbi-Shqipëri nëpër internet bëri boom debati juaj me Maja Kocijançiç dhe pastaj të gjithë thonin ‘’hallall qumshti nënës Erisa’’. Si ndjehej Erisa në atë moment?
E.Zykaj: Nuk do të mund të kisha imagjinuar kurrë efektin që patën ato tri pyetjet drejtuar Maja Kocijançiç. Ndërkohë, që Maja përjetonte një ferr ankesash , unë përjetoja një parajsë  urimesh. Maja nuk foli në emrin e saj, por në emrin e institucionit që ajo përfaqëson, përfaqesueses së lartë të politikës së jashtme dhe të sigurisë së BE-së, njëkohësisht dhe zv/presidentja e Komisionit Europian, që ishte Catherine Ashton. Dhe nëse ishim të shumtë që kujtuam, se ajo do të humbte vendin e punës, ajo bëri vetëm detyrën me të cilën ishte ngarkuar. Përgjegjësia ishte e atyre që kishin formuluar reagimin. Kohë pas ngjarjes, mbaj mend që më tha, që kishte kuptuar diçka: “ Nuk duhej kurrë më të komentonte ndeshje futbolli”.  Mesazhet e urimeve që kam marrë  në telefon ishin vetëm një grimcë rëre krahasuar me atë që do të shihja më vonë në internet. Nuk i besoja syve kur pashë që në rrjetet sociale qarkullonte video e shoqëruar me frazën ‘’Hallall qumështi i nënës Erisa”’. Atë ditë e kam kuptuar, se një pyetje mund të perceptohet si një akt heroik. Pra, edhe gazetaria shqiptare  nuk qënkërka aq pa vlera sa ç’tentojmë të mendojmë. Kjo është jashtëzakonisht dinjitoze dhe domethënëse për profesionin e gazetarisë.

Çka e bën krenare Erisën e që lidhet me punën si gazetare?
E.Zykaj: Kur të jepet shansi për t’i përcjellë Europës një copëz të dhimbjes së një kombi nën përjetimin e mizorisë së luftës me zërin tënd, ky është nder (Morinë, 1999). Kur një lajm nga Brukseli trumbeton kurorëzimin e një procesi të munguar lirie për europianë të privuar nga shumë liri për më shumë se gjysëmshekulli, siç janë shqiptarët, kjo nuk ka se si të mos më bëjë krenare.(Bruksel, tetor 2010). Kur ti bëhesh lajmësja e ngjarjes së shumëpritur, se vendit tënd i hapen dyert për të qenë jo vetëm pjesë natyrale e kontinentit europian, por edhe pjesë politike, ekonomike e sociale e ëndrrës europiane, kjo nuk ka se si të mos mbushi me gëzim.(Luksemburg, 24 qershor 2014). Kur tre pyetje ngrenë peshë një komb, nuk ka se si të mos ndihesh jokrenare. ( Bruksel, 16 tetor 2014). Kur ajka e gazetarisë europiane në Bruksel konsideron se një shqiptare është po aq konkurruese sa çdo europian tjetër, kjo nuk të le indiferent. (Zgjedhja në Këshillin e Shoqatës Ndërkombëtare të shtypit në Bruksel  11 dhjetor 2014 dhe zgjedhja si zëvendëspresidente e Klubit të shtypit Europian).

Pikërisht, kohët e fundit ju jeni zgjedhur si pjesë e Këshillit të Shoqatës Ndërkombëtare të shtypit në Bruksel për të mbrojtur të drejtat e gazetarëve të Ballkanit në punën e tyre. A keni shumë punë? A janë të mbrojtura të drejtat e gazetarëve në Ballkan në punën e tyre me institucionet evropiane?
E.Zykaj: Shoqata Ndërkombëtare e shtypit në Bruksel është e ngarkuar me problemet që kanë gazetarët gjatë punës dhe komunikimit me institucionet europiane. Mua më është dashur të kujdesem për dy raste gazetarësh maqedonas në Bruksel, njërin të cilin një eurodeputet grek pothuajse e kishte kërcënuar në Parlamentin Europian dhe tjetrin një gazetare maqedonase të cilës nuk i përgjigjeshin  për pyetjet e saj për luftën kundër terrorrizmit dhe radikalizmit, sepse e konsideronin me sa duket jo si një urgjencë. Më është dashur që të ndërhyja gjithashtu për një rast të një gazetareje italiane që punon për mediat shqiptare e cila priste për më shumë se një muaj e gjysëm përgjigjjet nga një kabinet komisioneri për intervistën e saj.  Kam marrë dhe ankesa të tjera dhe jam duke i ndjekur. Në 9 janar zhvilluam  mbledhjen e parë të Këshillit të Shoqatës Ndërkombëtare të shtypit në Bruksel dhe jam e kënaqur me seriozitetin me të cilin po punon shoqata aktualisht. Duhet thënë, se ngjarjet e Charlie Hebdo i kanë dhënë një tjetër dinamikë punës. Jemi duke ndryshar statutin e shoqatës dhe duke punuar shpejt me raste konkrete ankesash për akreditimet, vonesa, diskriminime e neglizhenca.

Si e komentoni punën e gazetarisë në Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri?
E.Zykaj:
Është shumë pozitive që ka një numër shumë të madh të medias së shkruar, radiofonike, televizive apo agjensi lajmesh në internet në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Kjo ka krijuar mundësi për një numër jo të vogël të rinjsh që të punësohen në fushën e gazetarisë. Ajo që mungon është vlerësimi dhe stimuli për gazetarët e rinj, për të kuptuar që misioni që u është besuar nga qytetarët është një mision i shenjtë, ai i informimit. Të informosh është një përgjegjësi jo e vogël. Nga ana tjetër, janë gazetarët e terrenit ata që duhen vlerësuar dhe nxitur më shumë dhe jo analistët siç ndodh rëndomë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni.
Kjo pasi është falë gazetarëve të terrenit, që informacioni mbërrin te qytetarët. Nuk është e vështirë të organizosh debate televizive me 4-5 persona,  por nuk është aspak e lehtë të kërkosh lajmin dhe ta verifikosh atë së paku në tre burime. Jo se debatet televizive nuk kanë rëndësi, por  vetë baza e këtyre debateve është lajmi dhe rrjedhimisht ato nuk do të mund të ekzistonin pa punën që bëhet nga gazetarët e terrenit. Nevojitet që të stimuohet shumë më tepër reportazhi  dhe dokumentari për çdo media. Reportazhi dhe dokumentari e bën një gazetar më kërkues, më ambicioz, më të informuar dhe më të plotë. Kjo pasi, reportazhi kërkon një punë shumë më të detajuar dhe të pasur, duke nisur nga shtylla apo skenari ku do të bazohet gazetari, personazhet që duhen kontaktuar për temën, filli që do t’i lidhë këto personazhe, dokumentacioni për temën dhe elementet e reja që zbulohen gjatë realizimit të tij dhe që mund të pasurojnë apo t’i japin një tjetër kthesë misionit fillestar. Pra, në të gjitha drejtimet reportazhi dhe dokumentari janë shumë pasurues.

Duhet thënë gjithashtu, se është e vërtetë, që në Shqipëri, Maqedoni apo Kosovë media nuk është e pavarur apo është pjesërisht e varur. Por a ka pavarësi të vërtetë të medias ,në botë ? Kur shihni se kush qëndron prapa kanaleve prestigjoze europiane e botërore, e kuptoni shpejt se pavarësia e vërtetë e medias është një utopi. Dallimi është se, në Europë dhe  në botë luftohet për të mos u zhbrapsur nga standartet që janë arritur jo pa mund në profesionin e gazetarisë. Në Shqipëri, Maqedoni dhe Kosovë këto standarte pothuajse nuk kanë ekzistuar kurrë dhe është koha që ato të vendosen një herë e mirë, si në nivelin e etikës, në nivelin financiar dhe të të drejtave sociale.

A jeni e lumtur me punën?
E.Zykaj: Shumë, por jam shumë kërkuese ndaj vetes. Jam vazhdimisht në kërkim të përmirësimit apo të përsosjes së vetvetes. Thënë ndryshe, nuk ka shumë rëndësi për mua se ç’kam arritur, por se çfarë mund të arrij.

Çfarë gjërash keni mësuar në jetë për këto vite?
E.Zykaj: Po t’i referohemi 5 viteve të fundit, kam zhvilluar teknikat e gazetarisë nga raportimi i thjeshtë dhe raportimi në lidhje direkte, duke kaluar më pas përmes analizës, reportazhit, dokumentarit dhe deri  te programi televiziv.  Kam zhvilluar njohuritë e mia mbi politikën ekonomike dhe financiare të Bashkimit Europian,  politikën e brendshme, të qytetarisë dhe të drejtave thmelore, politkën e drejtësisë , politikën energjitike, atë të arsmit dhe të kulturës së Bashkimit Europian. Përveç kësaj kam përmirësuar dy gjuhë. Sot nga shtatë gjuhët që flas, mund të them që 5 i zotëroj.  Kam shkruar  përmbledhje skenari të një filmi artistik dhe kam mësuar, se si të përgatisësh një dosje të plotë me të gjithë dokumentacionin përkatës për një film dokumentar apo një film artistik. Kam mësuar shumë aspekte teknike që lidhen me televizionin dhe kinemanë.

 

A je dorëzuar ndonjëherë nga diçka?
E.Zykaj: Asnjëherë. Nuk di të jem dorëzoruar ndonjëherë. Nëse ka diçka që vërtet më karakterizon, është se nuk dorëzohem , por vazhdoj përpjekjet deri në arritjen e qëllimeve dhe realizimin e ëndrrave. Mosdorëzimi është një virtyt  të cilin është përkujdesur të ma skalisë  nëna ime. Një virtyt, që më ka shërbyer shumë në jetë. Edhe në momentet më të vështira, i referohesha “ atij inatit të mirë shqiptar” për të mos u dekurajuar, për të mos u dorëzuar, por për të ecur vazhdimisht përpara.

 

 

A është e vështirë të mbani këtë tempo pune?
E.Zykaj: Është shumë e vështirë. Pa dyshim që është. E sidomos kur ke  një familje dhe një fëmijë të vogël. Kur më lindi djali, mendoja se jeta do të ndryshonte shumë. Në fakt, ai nuk është thjesht një bekim nga Zoti, por edhe një bekim për një organizim optimal të jetës. Falë tij, çdo orë ka një rëndësi që nuk e ka patur më parë.  Kam realizuar kaq shumë projekte qëkur ka lindur ai. Pra, njeriu mund t’i bëjë të gjitha. Ai që ka pasionin e duhur, vullnetin dhe idetë për të ecur përpara, mund të bëjë edhe më shumë se ç’mendon të bëshme. Më acaron fjalia: “ U plakëm”. Nuk ka plakje për njeriun. Njeriu mund të japi deri në fund të jetës së tij. Në forma të ndryshme dhe jo me të njëjtin intensitet sigurisht. Por secili nga ne mund të japë dhe të ketë arritje deri në vdekje.

 

Si i merrni kritikat? Si mund të ndikoj kritika në punën tuaj?
E.Zykaj:
Jam shumë kritike ndaj vetes. E kritikoj veten time, pa pritur që të ma venë në dukje të tjerët. Edhe me kolegët e ABC-së apo Klanit, e them vetë e para, nëse ka diçka që nuk shkon dhe përpiqem që të mund ta korrigjoj në të ardhmen. Por kur ndiej që kam bërë shumë mirë diçka, jam po ashtu e para që e them. Pa kritikë, është shumë e vështirë të përparosh dhe pa përparim, mbetesh në stanjacion. Për mua stagnacioni është fishkje. Ne shqiptarët  kemi një marrëdhënie të çuditshme me kritikën. Do ta gjejmë patjetër një diçka që nuk shkon. Kjo është shumë mirë, se të bën të ecësh përpara. Por kur kritika bëhet vetëm për të denigruar, kjo është humbje kohe. Ky është njëri nga esktremet. Ndërsa ekstremi tjetër, është që të mbushim me lavde, pa u ndalur tek ajo që mbetet për t’u përmirësuar.  Por për të kuptuar, se s’jam aspak indiferente ndaj kritikës, mjafton të them, që marr kohë edhe për të gjithë ata që më shkruajnë në faqen time zyrtare në FB, qoftë me komente, qoftë në inbox. Kjo, sepse konsideroj, se ka vend për të mësuar dhe për t’u korrigjuar nga gjithkush që bën një kritikë me vend.

 

Nëse do të mund t’i jepnit vetes suaj në moshë më të re ndonjë këshillë, cila do ishte ajo? Cila është këshilla që i jepni të rinjve?
E.Zykaj: “Baza e të gjitha sukseseve në jetë është të kesh guxuar” ( Jacques Audiberti 1951).  Parimet e mia janë të guxosh,  të lexosh, të ëndërrosh. Më pëlqen ti referohem edhe një prej slloganeve të famshme të lëvizjes së majit 1968 në Francë “ Le të jemi realistë, le të kërkojmë të pamundurën”

 

A mendoni se prindërit kanë patur ndikim në karrierën tuaj? A duhet të rinjtë të konsultohen me prindërit për hapat në karrierë?
E.Zykaj: Pasionin për librat, besimin te vetvetja, dashurinë për të bukurën, vullnetin për të arritur atë që dua, durimin dhe pastërtinë në shpirt, të gjitha këto m’i ka mësuar nëna ime . Ndërsa guximin, ndershmërinë dhe të dhënit gjithçka për miqësinë, m’i ka mësuar babai.  Pra, prindërit  kanë një rol të rëndësishëm në formimin e karakterit. Por kur fluturon me krahët e tua, i merr vendimet vetë. Për karrierrën time, nuk jam konsultuar me prindërit. Ndoshta sepse ata kishin besim të plotë te mua. Fundja, të konsultohesh me prindërit nuk ka asgjë të keqe, por vendimin duhet të dish ta marrësh vetë.

 

A janë startup-et zgjidhje për të zbutur pa punësinë e të rinjëve?
E.Zykaj: Është vetëm një zgjidhje, por nuk është zgjidhja. Zgjidhja për mua fillon nga ndryshimi i mentalitetit të kontinentit të vjetër. I duhen dhënë përgjegjësi të rinjve edhe për poste të rëndësishme. Si mund ta përftojnë eksperiencën të rinjtë, kur nuk u japin shanset e duhura dhe u thonë vazhdimisht se ata s’kanë eksperiencë ?

 

Cili është libri dhe filmi juaj i preferuar?
E.Zykaj: Oh sa e vështirë është t’i përgjigjesh kësaj pyetje për një person që ka lexuar shumë libra dhe që ka parë edhe më shumë filma! Gjithsesi, mendoj, që ato që mbeten në kujtesë lidhen më shumë me fëmijërinë dhe adoloshencën. Asokohe për mua më mbresëlënësi ka qenë Honoré de Balzac me “ Shkëlqimi dhe mjerimi i kurtizaneve” dhe Jean- Jacques Rousseau me “Kontrata sociale”. Ndërsa për kinemanë, është pa diskutim krijimtaria e Stanley Kubrick që më ka lënë më shumë mbresa, nga ku veçoj “Eyes Wide Shot”. Po të vazhdoj me tituj librash dhe filmash, do të na duhen edhe nja dhjetë intervista të tjera.

Kjo intervistë është bërë nga vizione.info dhe Portalb.mk i ka të gjitha të drejtat e publikimit të intervistës, sipas marrëveshje së arritur mes palëve. Për më shumë intervista, ndjekni VIZIONE në rrjetet sociale.

Lajme të ngjashme

Back to top button