Big Data, Big Boss, Big Brother

Më ra sot të lexoja (Bernard Marr) lidhur me konceptin Big Data dhe më bëri shumë përshtypje. Për dy arsye, më bëri të mendoj sërish lidhur me m*t situatën politike në vend, dhe e dyta lidhur me faktin se sa ka ndryshuar bota në të cilën jetojmë në një kohë tepër të shkurtër, domethënë sa “smart” është bërë. Tepër mendime që në ora 07:45 e mëngjesit. Edhe me këto mendime e kam lodhur mendjen sot tërë ditën. Duheshte t’i nxjerr në letër. Dhe ja ku jam. Por, me rend, me rend… Fillimisht një sqarim lidhur me Big Data dhe pastaj derisa e elaboroj si koncept do të kuptojmë se pse mu turbullua mendja deri në ora 07:46 në mëngjes.

Është shumë e thjeshtë: Big Data është gjithandej përreth nesh. Për të përdorur fjalët e Morpheus në Matrix: “Është gjithandej përreth nesh, edhe në dhomën ku rrijmë. E vëren kur sheh jashtë dritares, ose kur shikon televizor”. Me Big Data nënkuptohet tërësia e të gjitha informacioneve që procesohen nga të gjitha aparatet smart në mbarë botën, mënyrën se si ato përmblidhen, procesohen, analizohen, filtrohen dhe vihen në shfrytëzim nga individë apo kompani të caktuara (edhe shtete). Pra të dhëna të shumta, në sasi të paimagjinueshme dhe me një shpejtësi të pamatshme po emitohen në çdo sekondë nga telefonat tonë smart, nga televizorët smart, nga kompjuterët dhe laptopët tonë, nga të gjitha aparatet smart që mund t’i posedoni. Informacione të tipit: historia e kërkimeve dhe klikimeve tuaja, preferencat tuaja të ndryshme të mbledhura si rezultat i browsimit tuaj nëpër internet, vendndodhja juaj nëpërmjet GPS, librat që lexoni, muzika që dëgjoni, produktet që mendoni t’i bleni…

Mendoni të gjitha aplikacionet dhe programet që mund t’i gjeni në GooglePlay apo AppleStore, secila prej tyre mbledh informata për ju dhe i transmeton në rrjetin e madhërishëm Internet (që nga temperatura e ajrit e deri te ritmi juaj i zemrës). Edhe aparatet medicinale së fundmi janë bërë smart, mbledhin informata, i krahasojnë ato me informatat e mbledhura nga aparate tjera medicinale dhe si të tilla i procesojnë në një informatë të kompletuar. Rrjetet sociale prodhojnë sasi fantastike të të dhënave, mbi 400 milion like dhe statuse në facebook çdo ditë, 75 orë video të mbartura në YouTube çdo minutë. Fotografitë dhe informatat më intime ne sot zgjedhim t’i ndajmë nëpër rrjetet sociale.

Nëse këto fakte që sapo i numërova më lartë ju duken triviale, mendoni këtë: privatësia, të cilën aq shumë e glorifikojmë, e mbrojtur me kushtetutë dhe me ligj, është ILUZION. Privatësia jonë nuk ekziston. Jeta jonë është pjesë e Big Data. Ne e kemi ekspozuar aq keq veten, jemi fare të zhveshur; edhe më e keqja është se nuk jemi të ndërgjegjshëm. Rrjeti i madh, si një Big Brother i vërtetë na vëzhgon në çdo hap dhe merr vendime për ne. Ato reklamat që i shihni në faqet që i vizitoni, videot që YouTube jua propozon, likes-at që ju shfaqen në Facebook, gjithçka që hasni në botën virtuale është rezultat i algoritmeve matematikore që janë krijuar me qëllim që të përpunojnë të dhënat tuaja personale në Big Data dhe t’jua përshtasin realitetin virtual juve, si individë.

Kjo e vërtetë më trembi sot. Sepse nis e mendon se sa shumë informata janë atje për mua, për ty, për të gjithë ne. Dhe e din që nuk ke mundësinë që t’i kthesh pas ato informata. Ndërkohë, akoma do të komentohen përgjimet e Gruevskit… dhe sërish problemet e të tjerëve do të jenë të këndshme, ndërsa evitojmë të merremi me veten.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button