Hetimet për sulmet në Kopenhagen, përjashtohet terrorizmi

Policia daneze arrestoi dy persona që dyshohet se kanë ndihmuar autorin e dy vrasjeve dhe plagosjes së pesë policëve në dy sulme të njëpasnjëshme që tronditën Kopenhagenin në fundjavë.

Dy të ndaluarit akuzohen se kanë pajisur me armë dhe kanë ndihmuar në arratisjen e autorit të sulmeve, të identifikuar si 22-vjeçari Omar El-Hussein.

22-vjeçari qëlloi fillimisht në një ambient publik ku po mbahej një seminar mbi lirinë e shprehjes, me protagonist Lars Vilks, karikaturist suedez që ndodhet në listën e personave që kërkohen të vdekur prej Al-Kaedas me akuzën ‘e krimeve kundër islamizmit’.

Vilks dhe ambasadori francez në Danimarkë, që ndodheshin në të njëjtën sallë, i shpëtuan pa u dëmtuar sulmit, ndërsa një pjesëmarrës, që më vonë u mësua se ishte një regjisor mbeti i vrarë. Po ashtu në këtë episod u plagosën edhe oficerë të policisë.

Disa orë më vonë, jo larg sulmit të parë regjistrohet edhe sulmi i dytë, pranë një sinagoge. Një hebre mbeti i vrarë dhe dy policë u plagosën në këtë episod.

Pas kësaj forcat e sigurisë rrethuan autorin në një park në rajonin Norrebro. Thirrjeve të autoriteteve për t’u dorëzuar, 22-vjeçari El-Hussein iu përgjigj me armë zjarri. Policia u kundërpërgjigj dhe nga të shkëmbimi i zjarrit mbeti i vrarë agresori.

Kryeministrja daneze, Helle Thorning-Schmidt, e cila menjëherë pas ngjarjeve i cilësoi ato si ‘sulme cinike terroriste’, deklaroi këtë të hënë se me aq sa dihet deri më tani, 22-vjeçari nuk është pjesë e ndonjë celule terroriste.

Ai ishte person me preçedentë penalë dhe kishte kaluar disa kohë në burg me akuzën e vjedhjes, shpërndarjes së drogës dhe vandalizmit. Autoritetet daneze të burgjeve thanë se i kanë kaluar kohë më parë shërbimit inteligjent shqetësimin e tyre se i riu ishte radikalizuar gjatë kryerjes së dënimit.

Kreu i shërbimit të inteligjencës, Jens Madsen deklaroi se El-Hussein ka qenë nën vëzhgimin e këtij shërbimi prej kohësh, edhe gjatë ndodhjes së dy sulmeve. Ai tha se 22-vjeçari mund të jetë frymëzuar nga sulmet e Parisit.
/ Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button