Egjipti bombardon ISIS-in në Libi

Ashtu si Jordania, edhe Egjipti nuk nguroi të ndërmerrte sulme hakmarrëse ndaj militantëve të ISIS-it, pak orë pas publikimit të një videoje ku xhihadistët i presin kokën 21 të krishterëve egjiptianë.

Bombardimet e avionëve të Kajros nisën orët e para të mëngjesit të sotëm e kanë vënë në shënjestër kampe, zona stërvitore dhe depo të Shtetit Islamik në Libi. Në njoftimin e televizionit shtetëror egjiptian nuk kishte hollësi të tjera, por dëshmitarët okularë raportojnë për sulme të shumta ajrore në qytetin port të Dernas, i cili kontrollohet nga militantët.

Në deklaratën e bërë nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura egjiptiane, sqarohet se vala e bombardimeve është shpagim për gjakun e derdhur, por edhe një kujtesë për të gjithë, afër apo larg qofshin, se egjiptianët e kanë mburojën që i mbron.

Një video e hedhur në internet tregoi një grup personash me veshje portokalli, teksa shtyheshin në tokë e u pritej koka. Militantët e ISIS-it pretendojnë se kanë ndërmarrë një seri sulmesh në Libi, ku që prej përmbysjes së Moamar Gadafit mbizotëron kaosi.

Pengjet egjiptiane, që të gjithë të krishterë kopt, ishin rrëmbyer në muajt dhjetor e janar nga qyteti bregdetar i Sirtës, në lindje të vendit, ku dominojnë grupet islamike. Njoftimi i sulmeve ajrore shënon të parën herë, që Kajro pranon publikisht ndërmarrjen e veprimeve ushtarake në Libinë fqinje.

Përpara bombardimeve, presidenti egjiptian Abdel Fattah al-Sisi e bëri të qartë, përmes një deklarate në televizion, se vendi i tij rezervon çdo të drejtë të përgjigjet me të njëjtën monedhë e t’i ndëshkojë përgjegjësit e vrasjeve të tmerrshme. Kreu i shtetit shpalli gjithashtu edhe 7 ditë zie në nder të viktimave të dhunës xhihadiste. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button