Obama uron Jahjagën për 7-vjetorin e shtetit të Kosovës

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama uron Presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, me rastin e përvjetorit të shtatë të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Sipas një njoftimi për shtyp nga presidenca në tekstin e mesazhit të urimit shkruhet: “Çdo vit, vazhdoj të impresionohem me përparimin e Kosovës si një demokraci sovrane dhe shumetnike. Zgjedhjet historike parlamentare në qershor ia kanë dëshmuar botës përkushtimin e Kosovës për proceset demokratike në të gjithë vendin. Ju përgëzoj për lidershipin dhe këmbëngulësinë në punën tuaj me udhëheqësit partiakë gjatë procesit të zgjatur të krijimit të qeverisë”.

Më tej Obama thotë se “mirëpresim dhe plotësisht mbështesim integrimin e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare. Ne mirëpresim konkurrimin, krah për krah, me atletët e Kosovës në Lojërat e ardhshme Olimpike. Ne gjithashtu e vlerësojmë mbështetjen e vendit tuaj për koalicionin ndërkombëtar kundër ISIL dhe përkushtimin tuaj të fuqishëm për të luftuar terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm, një nga përparësitë kryesore të administratës sime.Shtetet e Bashkuara mbështesin përparimin e Kosovës në rrugën e integrimit të plotë Euro-Atlantik dhe në ndërtimin e një të ardhme më të ndritur për të gjithë qytetarët e saj”.

Lajme të ngjashme

Back to top button