Duam rindërtimin e stadiumeve

Gjendja e stadiumeve sot është viktimë e centralizimit të skajshëm të sistemit ku pushteti qendror mbledh mjete çdokund dhe prej çdokujt dhe i harxhon ku të dojë.

Me mbarimin e pushimeve të verës në muajin gusht ndërmjet tjerash ringjallet edhe sporti. Fillojnë sezonet e reja futbollistike dhe si zakonisht është koha kur tifozëve edhe një herë u rikujtohet se në çfarë kushtesh të mjera luajnë ekipet e kampionateve tona. Terrene të mbushura me pluhur e baltë, kushte sanitare të këqija ose madje inekzistente, mungesë pajisjesh, semaforësh, reflektorësh, tribina të pasigurta, karrike të thyera, dyer të hyrjes të ndryshkura, këto janë kushtet që mbizotërojnë në të gjitha stadiumet e vendit, me përjashtim të Filipit të Dytë në Shkup. Kjo është ajo që e pret publikun që megjithatë vendos të ndjekë ndonjë ndeshje të kampionatit nga afër, e që kohët e fundit është gjithnjë më i madh në numër.

Në Republikën e Maqedonisë hë për hë ekziston vetëm një stadium që ka kushte të mira, e ky është stadiumi ku luajnë dy ekipe, Vardari dhe Rabtoniçki. Paradoksalisht, nëse shihen shifrat e publikut nga fillimi i sezonit të ri, nga tribinat më së paku ndiqen lojat e pikërisht këtyre dy ekipeve. Ata nuk kanë arritur të tërheqin as nga 100 veta në tribinat e stadiumit, përderisa ndeshjet e Shkëndijës rregullisht i ndjekin mbi 6000 tifozë, të Gostivarit e Pelisterit nga 3000-4000, Bregallnicës e Napredokut nga 2000. Më mirë ndiqen madje edhe ndeshjet e ligës së dytë, sidomos ato të ekipeve shqiptare si KF Shkupi, që arrijnë të mbledhin mijëra tifozë në ndeshjet e tyre.

Qartazi këtu diçka nuk shkon. Janë investuar shifra marramendëse në një stadium të vetëm dhe asnjë cent i vetëm diku tjetër. Parë nga këndvështrimi i sportit, ose nga këndvështrimi ekonomik, situata e këtillë është krejtësisht jologjike. Por nuk duhet shumë hamendje për të kuptuar shkakun, sepse edhe këtu, si çdokund tjetër, është futur politika ditore. Vardari dhe Rabotniçki kanë fat sepse janë nga komuna Qendër, e dizajnuar nga qeveria si vendi ku do të derdhen qindra miliona euro në një kilometër katror, për projektin ekstravagant Shkupi 2014. Në këtë projekt hyri edhe stadiumi i tyre që më parë njihej si “Stadiumi i Qytetit Shkup”, e që pas ndërrimit të pamjes u pagëzua “Arena Nacionale Filipi i Dytë”.

Sipas disa hulumtimeve dhe dokumenteve financiare të zbuluara nga gazetarët, për rindërtimin e këtij stadiumi deri tash janë harxhuar rreth 60 milionë euro. Që të gjitha, deri në centin e fundit, janë dhënë nga pushteti qendror nëpërmjet projektit Shkupi 2014. Në këtë stadium kanë investuar të gjithë taksapaguesit e Maqedonisë, nga të gjitha komunat. Për këtë stadium pra kanë paguar edhe tifozët e publiku i të gjitha ekipeve tjera nga të gjitha ligat e Maqedonisë. Sqarimi zyrtar është se bëhet fjalë për një “arenë kombëtare”, ku luan edhe reprezentacioni kombëtar, që në letër është i të gjithëve. Mirëpo në realitet kombëtarja luan aty vetëm nja 5-6 ndeshje në vit, ndërsa në pjesën tjetër të vitit aty nikoqirë janë Vardari e Rabotniçki. Pra benefitet e rindërtimit, atyre 60 milionë eurove, i shijojnë kryesisht tifozët e tyre, ata 100-200 sa janë tash për tash.

Teoretikisht askush nuk ka diçka kundër që në një arenë kombëtare të investohet diçka më tepër se në stadiumet tjera, sepse fundja shteti ka nevojë të ketë një stadium të mirë reprezentativ. Mirëpo çmimi i kësaj nuk duhej të ishte 60 milion me zero në raport me të gjitha stadiumet tjera. Është më se e sigurtë se askush nuk do të ankohej nëse për stadiumin Filipi i Dytë jepeshin për shembull 30 milionë euro dhe paralelisht investoheshin 3 milionë euro në dhjetë stadiume tjera. Ose nëse për shembull 60 milionët e Filipit të Dytë çiftëzoheshin me 60 milionë euro investime në stadiumet tjera. Jam i bindur se sportdashësit në qytetet tjera do të ishin të gatshëm të pranonin edhe këso nivele mospërputhjesh, vetëm e vetëm që të shihnin diçka më në rregull në stadiumet e tyre. Por 60 milionë me 0 vërtetë është shumë për t’u gëlltitur.

Gjendja e stadiumeve sot është viktimë e centralizimit të skajshëm të shtetit, të sistemit ku pushteti qendror mbledh mjete çdokund dhe prej çdokujt dhe i harxhon ku të dojë, e zakonisht në atë një kilometër katror në qendër të Shkupit. Edhe në sport, si në çdo lëmi tjetër, bëhet një rishpërndarje e tmershme në një drejtim, i mirret njërit dhe i jepet tjetrit pa ndonjë kriter të drejtë përveç tekave të pushtetit. E megjithëse problemi në esencë qëndron te centralizimi i skajshëm që në dukje nuk është etnik, përsëri viktimë kryesore e tij bien shqiptarët. Në ligën e parë përveç Shkëndijës dhe Renovës tanimë është edhe Gostivari, ndërsa në ligën e dytë Dritës dhe Rrufesë këtë vit iu bashkangjitën edhe Shkupi e Zajazi. Siç thashë edhe më lartë, mu këto ekipe shqiptare tërheqin pjesën më të madhe të tifozëve në stadiume. E megjithatë ata janë detyruar të luajnë e përcjellin ndeshjet në kushte mizore, sepse mjetet që do të duhej të investoheshin në stadiumet e tyre kanë shkuar në Filipin e Dytë, stadiumin e Vardarit dhe Rabotniçkit.

Përderisa shteti është kështu siç është ka pak gjasa që në këtë drejtim sadopak të decentralizohen punët dhe mjetet, prandaj nuk duhet pritur ndonjë investim në stadiume nga ana e komunave. Zgjidhja do të ishte që tani që ka përfunduar rikonstruimi i arenës kombëtare në Shkup, mjetet e ardhshme buxhetore për zhvillim të sportit të dedikohen te stadiumet tjera. Këtë zaten partia shqiptare në pushtet BDI e jep si premtim parazgjedhor nja 5-6 palë zgjedhje me rradhë. Është koha e fundit që ajo të “vendosë paratë ku e ka gojën”, siç thotë një frazë e njohur angleze.

Mjaft kemi dëgjuar se si lavdërohet pushteti me “Filip Vtorin”. Tani duam rindërtimin e stadiumeve tona.    

Të drejtat e publikimit në shqip i kanë vetëm © Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Back to top button