Kërkesë për recension

E dashura mike,

E hapa emailin me mendimin se e ke parë emisionin dhe ke shkruar ndonjë llaf. A ti me paske dërguar një nga letrat më të bukura pranuar në këtë adresë. Dhe jo vetëm kaq, por edhe komplimente, e kur ato janë kështu të argumentuara dhe vijnë nga ti, s’kanë si mos m’a bëjnë qejfin. E kam ditur edhe më herët se lumturohesh me sukseset e tjerëve, kjo nga fakti se të mjaftojne tuat dhe se jeton në harmoni me veten, je vetvetja. 

…letrën tënde në të cilën si insajder flet për politikën do ta ruaj tek folderi ku i ruaj letrat e tezakut Ilir Snopçe, matematikanit (momentalisht ligjëron në Rio de Janeiro, do shkoj atje ndonjë herë edhe atë gjatë Karnevalit…). Ai ka ardhur në Gostivar për pushime dhe prej tash i gëzohem fudjavës bashkë; nga vegjëlia kemi afërsi të posaçme, p.sh atij sefte i kumtova që do bëhem gazetare (ashtu me erdhi befas teksa bisedonim në oborrin e tyre në muzg, më afrohej matura dhe s’e dija akoma ku do regjistroja studimet, mandej më hutonte pak edhe baba i vendosur se duhet te bëhesha avokate për shkak të gjuhës së gjatë, gjithnjë sipas tij). Me Ilirin kishim zakon të flisnim edhe për sekretet e vogla, edhe për jo aq të voglat, krejt kjo me sigurinë që muhabetet mbeten aty ku bëhen: në ndonjë dhomë të qetë tek ne apo tek ata, kur shkonim-vinim familjarisht bujshëm, ashtu jetoheshte atëherë.

…kur i tregova Snopçes se në cilin folder të kam vendosur, u përgjigj ashtu siq ma merrte mendja.
“Më paske gjetur shoqëri të mirë Lindush”!

Privilegji të të duan dhe respektojnë në mënyrë do thoja konsensuale, jashta atyre megjeve partiake, politike në përgjithësi, etnike, kulturore…është diçka par excellence!

Rrallë ndodh bile edhe në shoqëritë më të shëndosha dhe më pak të ndara.
Nënkuptohet, por prap më vjen të them se sa gëzohem që je ime shoqe.

…do mundohem të flej pak më mirë dhe më gjatë para ditës së nesërme…u deklarova para disa miqve (deklarimi para vetes në rastin tim nuk mjafton) se prej nesër (e hënë, kuptohet) do të punoj më tepër, nëntori dhe këto dite dhjetori më kaluan si në mjegullnajë. E bukur gjithsesi, ama sërisht – vetëm mjegullnajë. 

…shumë plane kam për sot, e dashur.
Si për fillim të pakësoj duhanin.
Si e dyta, i shkrova në letër obligimet për sot dhe do ec sipas listës.
Kështu bëja dikur, në fund të ditës lista ishte plot me plusa…  
Deri në moshën 30 vjeçare te njeriu dominoka shenja dhe Bricjapi më ka bërë të organizuar, pa vonesa, etj, por mandej vjen në shprehje parashenja dhe sipas një miku astrolog është Peshku që më bën si me thënë të shpërqëndruar, në lëvizje, me kahje jo aq precize e ashtu me rradhë.
Ika tash.
Se lista është e gjatë.

…sa me rëndësi është të biesh të flesh me rehati, pa tiraninë e ndërgjegjes, pa ndjenjën që ndoshta ke dalur nga vetvetja; dhe besoj që mëngjeset atëherë janë të bukura, atëherë të niset me dëshirë dita e re. 
Sa mirë kur bën plane dhe jo vetëm plane por edhe lëvizje, këto sjellin ndjenjën e fillimeve të mundshme, të mbara shpresoj.

…vuajtjet na mësojnë që të gëzohemi me mirë, të gëzohemi më shumë kur furtunat kalojnë, a patjetër kalojnë një ditë.
Ose kalojnë atëherë kur shpresojmë se do kalojnë, kur besojmë në Zot por edhe “i ndihmojmë atij që t’a ketë më lehtë të na ndihmojë”, kështu e thoshte një shok.
Mjafton mos të kthehemi gjithaq në të kaluarën, kjo si për fillim. Mandej të ushqejmë shpresat, mos ndalemi së ëndërruari se përderisa ënderrojmë ndihemi të reja, ose ta them në mënyrë më pak patetike, prap duke cituar nje shok “përderisa hyp në bus nga dera e mesme, do të ndihesh e re”, kurse ndonjë dënim i beftë nga kontrollori s’është gjë krahasuar me çmimet që pagojnë tjerat për po të njëjtën ndjesi 

 …u gëzova kur pash që më paske shkruar, edhe atë gjatë.
 Më ka munguar korrespodenca se më është bërë rutinë tashmë pa kuptimin negativ të fjalës.
…vërtet, s’i kuptoj ata shokë “të ngushtë” si mund t’a gënjejnë mikun dhe të mendojnë se me këtë “e përkrahin në momente jo të mira”: mik është ai që t’i hap sytë, që të zgjon…Miqësia, ashtu si dhe dashuria, e para nuk e “përkund” Egon e tjetrit dhe, e dyta, nuk përmend “ndihmën” se kjo nënkuptohet dhe çdo përmendje e ul vlerën e asaj që bëjmë për ata që na janë të rëndësishëm. 

…gjithnjë e më tepër më rrotullohet në kokë ideja se këtë korrespodencë të nisur aq rastësisht në momente të rëndësishme për të dyjat, duhet kthyer në libër…

Prandaj këte kolumnë të parë e konceptova me copëza të letrave të mia për të testuar miqtë se a vlen të konkurrohet në Ministrine e Kulturës ku afrohet dead-line. 

 Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mkTë drejtat e publikimit i kanë vetëm © Portalb.mk dhe autorja, sipas marrëveshjes ndërmjet tyre

Lajme të ngjashme

Back to top button