Ahmeti: Lufta e 2001-shit u përkrah fuqishëm nga stafi dhe studentët e USHT

Me rastin e 12 vjetorit të rënies së dëshmorit të kombit Ismail Mehmetit, SHVL-UÇK në bashkëpunim me USHT-në, organizoi homazhe tek varri i dëshmorit në varrezat e fshatit Xhepçisht, në të cilat morën pjesë Kryetari i SHVL-UÇK-së, z. Fazli veliu, Rektori i USHT-së, Prof. dr. Vullnet Ameti i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, Kryetarja e Komunës së Tetovës, znj. Teuta Arifi, njëri prej komandantëve kryesorë të luftës së vitit 2001, Rafis Aliti – Komandant Mësuesi, ish ushtarë të UÇK-së dhe familjarë të dëshmorit. 

Pas homazheve tek varri i dëshmorit Ismail Mehmeti si dhe vendosjes së kurorave me lule dhe luleve te freskëta, të pranishmit vizituan edhe vendin e rënies së dëshmorit të kombit Ismail Mehmeti në lagjen Drenovec si dhe shtëpinë e tij. Më pas të pranishmit vendosën lule të freskëta edhe Pllakës përkujtimore të katër studentëve dëshmorë e cila gjendet në hyrje të FSHMN-së të USHT-së. 

Me këtë rast, Kryetari i Parlamentit Studentor të USHT-së, Shaban Arsllani, duke i ftuar të pranishmit që me një minutë heshtje të nderojnë dëshmorët e kombit, theksoi se është nderë i madh, por njëkohësisht edhe obligim të udhëheqësh një organizatë studentore të këtij universiteti, që në momentet më të vështira të kombit, pa kurrfarë hezitimi u vendosen në ballë kombit, duke sakrifikuar jetën e tyre për të fituar pavdekësinë. 

Të pranishmëve iu drejtua me një fjalë rasti edhe Rektori i USHT-së, Prof. dr. Vullnet Ameti, i cili ka qenë edhe profesor i disa prej këtyre dëshmorëve, por edhe kujdestar klase i dëshmorit Ismail Mehmeti. 

“Sot jemi para godinës së Universitetit të Tetovës, që tani është Fakulteti i Shkencave Matematiko-Natyrore. Jemi para Pllakës përkujtimore të dëshmorëve të rënë në luftën e vitit 2001, që ranë për të mos vdekur kurrë. Ishin studentët tanë, ishin edhe nxënës të mi në shkollë të mesme, Ismaili, Burimi, Xhemili, të cilët kanë qenë nxënës të shkëlqyeshëm. më kujtohet në atë kohë Ismail Mehmeti në atë kohë ka qenë nxënës i klasës III-6 kur ra dëshmorë. E caktova edhe kryetar të klasës. Ai ishte nxënës i shkëlqyeshëm jo vetëm për nga suksesi, por edhe për nga sjellja ishte nxënës shembullor. Ra dëshmorë më 17 Gusht 2001, pasi e mbrojti temën e diplomës. Diplomën dhe dokumentacionin, unë Bacit Ali dhe familjes së dëshmorit Ismail Mehmeti, ia kam dërguar bashkë me nxënësit e klasës III-6 në shtëpi, para Flamurit kombëtarë, para Flamurit të UÇK-së dhe para fotografisë së dëshmorit Ismail Mehmeti. Ka qenë një gjeneratë e shkëlqyeshme, një gjeneratë atdhedashëse”, ka deklaruar Ameti.

Ai ka theksuar se UT, profesorët dhe studentët, i kanë dhënë përkrahje të madhe luftës së vitit 2001. 

“Studentët dhe profesorët në protestat e organizuara më 14 Mars të vitit 2001 e përkrahën fuqishëm luftën e vitit 2001, kështu që plotë studentë rrokën pushkët, plotë studentë kontribuuan, ishin në logjistikë, plotë studentë e përkrahën në formë morale luftën, bashkë me profesorët e tyre, bashkë me luftëtarët nga Kosova, nga Presheva dhe nga Shqipëria jonë dhe kështu që u arrit suksesi i luftës së vitit 2001 u kurorëzua me Marrëveshjen e Ohrit, që ne shqiptarët në këto treva ku jetojmë, ta vazhdojmë çështjen tonë dhe të ecim kështu të përbashkët”, ka theksuar Ameti.

Lajme të ngjashme

Back to top button