Bashkëjetesa midis dy identiteteve

Tendencat e kohëve të fundit, për një ndarje strikte midis identitetit kombëtar dhe atij shtetëror të Kosovës, mbase kanë nisur të prodhojnë xixat e para të një krize identitare në Kosovë. Gjithashtu, etiketimi i i mbështetësve të identitetit kombëtar “Kosovar” si anti-kombëtar; dhe i ithtarëve të identitetit kombëtar shqiptar si anti-Kosovar, nuk kontribuon në tejkalimin e dilemave të një shoqërie multietnike, çfarë pretendon të jetë Kosova.

Për të vërtetuar njërën ose tjetrën përkatësi identitare, ose të paktën për të pasur bazë të qëndrueshme për diskutim të mirëfilltë dhe jo teke studiuesish individual, do të duhej të kishim të dhëna empirike, statistikore që shkojnë në favor të njërit ose tjetrit argument. Deri më tani, një studim i tillë, përfaqësues për qytetarët e Kosovës, nuk di të jetë bërë.

Në mungesë të një studimi të tillë bazë, diskutimi publik, kujtoj do të duhej të ndërtohej dhe zhvillohej në kuptimin e arritjes së një pajtimi midis këtyre dy tezave identitare, për të krijuar një klimë simbioze midis të dyjave, në garantimin e një shteti stabil.

Identiteti individual e që pastaj reflekton edhe në atë shoqëror është shumë-shtresor. Fatmirësisht, në saje të kësaj shumështresshmërije, nuk do të duhej të kishte trysni për të zgjedhur midis të qenit shqiptarë, Kosovar, musliman ose i krishterë, i këtij apo atij territori. Individi përzgjedh vetë gamën e faktorëve që e bëjnë të ndjehet rehat brenda një identiteti të caktuar.

Amin Maalouf (2006), konsideron se identiteti përfaqëson gjenet e shpirtit të individit. Një përkufizim i tillë çon drejt përfundimit se edhepse identiteti dhe në këtë rast edhe ai kombëtar, formësohet dhe çimentohet nga faktorë të cilët janë sa të prekshëm, si: flamuri, pasaporta dhe territori, poaq edhe të paprekshëm, si: historia dhe gjuha. Kërkesat për të bërë ndarjen midis të dyjave, potencialisht mund të prodhojnë kriza te individi, për t’u reflektuar pastaj me krizën e identitetit edhe në shoqëri.

Nëse do të qëndronte teza se Kosovarët, tashmë me krijimin dhe pavarësimin e Republikës së Kosovës, janë “komb Kosovar”, sipas teorisë Westfaliane mbi komb-shtetin, atëherë kjo do të nënkuptonte që vetëm fëmijët e lindur më 2008, paraqesin Kosovarët në këtë kuptim të fjalës. Gjithashtu, një tezë e tillë, do të përjashtonte domosdoshmërsisht, përpjekjet e shqiptarëve të Kosovës qysh nga fillesat e Perandorisë Osmane, pastaj nën pushtimin dhe kolonijalizimin serb më 1912, ri-pushtimin gjatë Luftës së Parë dhe të  Dytë Botërore dhe në fund, pushtimin e fundit Serb, (1989-1999) që rezultoi me sulmet ajrore të NATO-s.

Pra, kjo tezë bën trysni në shqiptarin e Kosovës, që të heq dorë nga historia për të mundur të krijojë Kosovarin e ri, një sajesë e imponuar, ngjashëm me “Shqiptarin e ri” të proklamuar në fillesat e periudhës diktatoriale të Enver Hoxhës.

Se shtetet multi-etnike nuk mund të mbijetojnë në Ballkan, është më se e vërtetuar. Në fund të fundit, ishte pikërisht shteti multi-etnik i Jugosllavisë, që prodhoi luftërat më të përgjakshme të shekullit të kaluar. Dhe derisa shoqëritë multi-etnike dhe jo shtetet e tilla mund të ekzistojnë, duhet bërë saktë dallimin midis të dyjave. Shembulli që zakonisht paraqitet për të argumentuar bashkëjetesën janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Është fakt që Amerikanët konsiderohen kombi ‘i lavdishëm Amerikan”, megjithatë, vetëm në një klimë të gjithëpërfshirjes të të gjitha përkatësive dhe lejimit të identiteteve të fuqishme kombëtare të secilit grup kombëtar, mund të mbijetojë një supra-komb siç është ai Amerikan.

Nëse akoma vazhdojmë t’i qëndrojmë besnik tezës për kombin “Kosovar”, atëherë do të duhej me shumë kujdes të diskutonim edhe për shqiptarët e Maqedonisë, të cilët padrejtësisht shumë herë janë quajtur edhe “Maqedonas”, si dhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe ata të Malit të Zi. Në këtë rast, do të ishte të paktën e drejtë dhe në favor të diskutimit të mëtutjeshëm, të gjenim emra dhe rrjedhimisht edhe identitete për këta shqiptarë, por me kujdesin që të mos shkelim në kufi të asaj që njihej si “kombësi” e ish-Jugosllavisë, një krijim artificial, i paqartë dhe i vënë nën dyshim edhe nga studiues të kohës.

Krijimi i shteteve të reja Ballkanike pas vitit 1912, kishte ndodhu në një proces artificial të shtet-krijimit me krijesa po aq artificale shtetërore, më së paku të bazuara mbi teorinë e komb-shteteve. Si një fenomen që akoma më shumë e përforcon artificialitetin e shteteve të reja Ballkanike, shqiptarët janë mbase populli i vetëm në botë që kufizohet me “vëllezërit”, apo me vetveten (Reka, 2014). Prandaj, siq ndodh rëndom me krijesat artificiale, sistemi natyror i përjashton ato herët a vonë. Prandaj, në vazhdën e argumentimit, një Shqipëri etnike, bashkë me Kosovën, do të arrinte procesin e natyrshëm të komoditetit të të ndjerit shqiptar në një shtet të plotë shqiptar. Në vend të formulimeve të përdorura gjer më tani si: “Shqipëri e Madhe“, “Shqipëri etnike“ apo “Shqipëri natyrale “, pse të mos përdoret një term më real sq është Shqipëria e plotë?

Në vitin 1912, me shpalljen e Shtetit të pavarur të Shqipërisë, kufinjët e vilajetit të dikurshëm të Kosovës ishin reduktuar skajshmërisht. Madje, edhe përkundër faktit që tri nga katër ngjarjet që shpien deri te shpallja e pavarësisë në Vlorë, kishin ndoshur jashta kufijve të Shqipërisë së sotme, (Prizreni, Manastri dhe Shkupi) dhe shumica e figurave kombëtare që kërkonin Shqipërine etnike dhe një komb të vetëm shqiptar, ishin me prejardhje pikërisht nga territori i sotëm i Kosovës.

Në këtor rethana fatkeqe, mbetjet jashtë shtetit të gjithmbarshëm shqiptar, kishin mundësuar që shqiptarëve t’u mvesheshin identitete nga më të ndryshme. Nga “mileti” në Perandorisë Osmane, në “serbë shqipfolës” (Malcolm, 1999) gjatë okupimit Serb, e deri te “kombësia” shqiptare nën një emërtim të përbashkët si Jugoslloven. Sipas kësaj linje të të menduarit, atëherë mund të përfundohet se shqiptarët e Kosovës, të transformuar në një komb “Kosovarë”, janë “Jugosllovenët” e fundit të mbetur!

Pos historisë, një nga faktorët më të rëndësishëm që ka ruajtur identitetin kombëtar, përkundër tendencave të ndryshme të asimilimit, është gjuha. Edhe përkundër faktit se gjuha është fluide dhe gjithherë evoluese, kërkesa për një standardizim të saj (edhe Kongresi i Manastirit më 1908 kishte standardizuar gjuhën Shqipe me miratimin e alfabetit latin, në përpjekje të unifikimit të kombit shqiptarë), sikur edhe Kongresi më 1972, dëshmon nevojën e paevitueshme e të pasurit një gjuhë të vetme për një komb të vetë, si tipar dallues.

Edhe në periudhën represive të Rankoviçit, sikur edhe gjatë pushtimit serb të Kosovës nga Millosheviqi, në Beograd pa sukses tentohej të plasohej ideja për dy gjuhë dhe rrjedhimisht dy kombe të ndryshme: ”siptarski” që e flasin “siptari “; dhe “albanski“ qe e flitkan Albanci“!

Madje edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas pavarësimit nga Britania e Madhe, Amerikanët patën vendosur që të vazhdojë përdorimi i gjuhës standarde angleze (siq flitet sot edhe në Australi, Zelandë të re e Kanada) përshkak të kohezionit kombëtar (Xhaferi, 2006).

Edhe Shqiptarët sot, pra kanë një gjuhë të vetme, të standardizuar Shqipe. Argumenti për instalimin e një gjuhe Kosovare ose Kosovarishte, është tërësisht i pabazë. Ajo që flasin Kosovarët është një gëgërishte familjare, shtëpiake, që dallon dialektisht varësisht nga qyteti, krahina dhe rajoni gjeografik. Bie fjala për shembull, shqiptarët e Kosovës dhe ata të Maqedonisë, janë njëjtë gegë, megjithatë gegërishtja e të dyve nuk është e standardizuar.

Republika e Kosovës, është krijuar nga përpjekjet e shqiptarëve me një identitet të fuqishëm kombëtar. Mund të ketë pasur pakënaqësi dhe përplasje tabakash në e menzën e studentëve, por demonstratat ishin bërë për Kosovën Republikë, bashkim me Shqipërinë dhe luftë çlirimtare nën flamurin kombëtar shqiptar. Tendenca për Kosovarizimin e përpjekjeve kombëtare, përjashto përcaktimin gjeografik, bën thirrje për një braktisje të të gjitha përpjekjeve të mëparshme kombëtare dhe thirrje për mohimin e kombit e që besoj nuk kontribuon një asnjërën qasje.

Kosovari është nocion juridik, që nënkupton shtetësinë e Republikës së Kosovës, (apo lidhjen juridike të qytetarit të Kosovës me shtetin e Kosovës). Ndërkaq, Shqiptari është nocion sociologjik, apo përkatësia kombëtare e atij qytetari, po qoftë edhe që jeton në shtetin e Kosovës. Edhe serbët e Kosovës janë Kosovar në kuptim të shtetësisë, por janë serb në kuptim të etnisë. Sikur edhe shqiptarët e Maqedonisë, që janë shtetas të Maqedonisë, por shqiptar për nga kombi.

Prandaj, ajo që do të mund të kontribuonte më tej në përpjekjet akoma në vazhdim të ruajtjes së identitetit kombëtar, do të ishte adoptimi i inkluzivitetit të të gjitha komuniteteve në Kosovë, me krijimin e kushteve për një identitet të fuqishëm të të gjithëve veç e veç, që do të mund të mbjetonin në Republikën e Kosovës.

Pikërisht kjo gjithëpërfshirje do të lejonte edhe shprehjen pa keqardhje të identitetit kombëtar shqiptar, krahas atij shtetëror të Kosovës: pa kërkuar domosdoshmërisht përcaktimin e prerë për qytetarin e Kosovës, që kujtoj do të shkonte në dëm të stabilitetit të mëtejshëm shtetëror të Republikës.

Lajme të ngjashme

Back to top button