Asgjë…

Vështirë të arrihet gjuhë e përbashkët, sa më shumë që zvarritet kjo arritje aq më të bashkuar bëhen mësimdhënësit të cilët janë në grevë.

A kaq tragjike qënka ulja në tavolinë?! Pse ministri tregohet sikur gjithçka është në rregull, po nëse do të ishte në situatën tonë dhe do të ishte mësues si ne, do të mbronte të kundërtën?! Janë munduar të mos ketë gabime kësaj radhe te testimi ekstern, se ata gabime paskan qenë pak më herët, sido që të jetë mësimdhënësit janë dënuar prej atëherë, po e lëmë këtë se po ia hedhim topin herë njërit e herë tjetrit e aspak ama aspak s’ia kemi qejfin që topin e fajit t’ia hedhim vetvetes.

Mjerim i madh që po na udhëheq një politikë e gabuar, duket sikur gjithçka që ata kanë e kanë marrë nga shtëpitë e tyre dhe me të bëjnë si t’iu dojë qejfi… Është për të ardhur keq, kaluan dy javë dhe ende asgjë, po jemi duke luajtur si macja me miun. Nuk e fajësojmë ministrin se siç duket s’ka gjë në dorë, por është thënë që të jetë kështu siç është. Kjo duhet të ketë një fund, por të gëzueshëm për mësimdhënësit, ndryshe jam e bindur që kësaj greve ose proteste nëse shkohet në atë rrugë do t’i bashkangjiten nxënësit, prindërit etj., situata do të bëhet edhe më alarmante dhe gjendja do të përkeqësohet, ndaj kujdes!

Një luftë e ashpër zhvillohet. Përse gjithë ky mllef? Përse gjithë ato presione? Përse në këtë mënyrë dënohet mësimdhënësi, nxënësi, prindëri, mund të thuhet të gjithë, është vështirë të jetohet në një vend, ku të gjithë janë në ankth e aq më pak kur gjërat s’janë duke lëvizur fare. Një luftë mes asaj që kërkohet dhe asaj që duhet të zbatohet? Ç’është gjithë kjo mëri me dorën e shenjtë, e cila di të nxjerr vlera, di të kultivojë dije, di t’i dojë nxënësit pa dorashka, di të falë dashuri?

Më mungojnë nxënësit, të cilët me padurim presin të ulen në bankat e shkollës e të vazhdojnë natyrshëm proçesin edukativo-mësimor. Nxënësit të cilët janë të mrekullueshëm dhe dijnë të jenë në çdo moment pranë mësimdhënësve edhe në momentet kur ata kanë më së shumti nevojë, pra dijnë të mbështesin fuqishëm mësimdhënësit e tyre. Uroj të kaloni mirë nxënës të dashur dhe na falni për këtë zvarritje që po ndodh, por jo për fajin tonë.

Lajme të ngjashme

Back to top button