Dy të akuzuarit për vrasjet në Smilkovcë do të ekstradohen pas gjykimit në Kosovë

Adil Demiri dhe Afrim Ismailoviq, dy të dyshuar për vrasjen në Smilkovcë  vitin e kaluar, do të ekstradohen nga Kosova, sa po të përfundojë procesi gjyqësor kundër tyre për posedim të armëve. Ka deklaruar  Petrit Selimi, zëvendës ministri kosovar i Punëve të Jashtme, gjatë një konference në Uashington.
“Nuk ka kurrfarë dilemë se vrasës, njerëz të akuzuar për vrasje shtazarake do t’u dorëzohen dhe do të paguajnë për krimet e tyre. Bëhet fjalë për çështje teknike, e cila nuk do kisha dashur të politizohet apo të thuhet se Kosova nuk dëshiron t’i dorëzojë. 

Kosova vetëm dëshiron të përfundojë procesi gjyqësor dhe më pas do t’i dorëzojë atje ku duhet të përgjigjen për krimet e bëra. Nuk bëhet fjalë për çështje politike, etnike apo refuzim të bashkëpunimit, por çështje teknike e një procesi të filluar në Kosovë, derisa ky krim i dytë është shumë më serioz nga posedimi ilegal i armëve”, tha Selimi. 

Demiri dhe Ismailoviq në mars u arrestuan në Kosovë, pasi që me muaj konsiderohej se janë në arrati, por ende nuk janë ekstraduar për shkak se kanë edhe shtetësi kosovare. Ndërkohë në Kosovë ka filluar një proces tjetër gjyqësor kundër tyre. Zëvendës ministri i Punëve të Jashtme, Selimi nënvizoi se ekstradimi do të ndodhë menjëherë pas gjykimit në Kosovë, e deri atëherë Qeveria kosovare nuk mund të përzihet në sistemin gjyqësor.

“Në Maqedoni u vranë pesë vetë  të pafajshëm, pas çka u akuzuan pesë shqiptarë nga Maqedonia me përkatësi fetare islame. Dy prej tyre u arrestuan në Kosovë, por meqenëse ishin burgosur me armë ilegale, para kërkesës nga Maqedonia u ngrit proces para gjykatës në Kosovë. Nuk mund ta anulojmë këtë proces gjyqësor sepse kjo do të thotë përzierje në sistemin gjyqësor”, tha Selimi

Lajme të ngjashme

Back to top button