“Trepça” është pasuri britanike

Çështja e “Trepçës” është aktualizuar sërish për t’u reflektuar si problem i madh politik dhe social në shoqërinë e Kosovës. Rrënjët e problemit dalin nga hapësira e Kosovës dhe, si gjithmonë, krijojnë pasoja për rajonin e Ballkanit dhe më gjerë. Jemi dëshmitarë të faktit që sa herë është aktualizuar ky problem, pasojat në rrafshin politik kanë qenë me efekte të mëdha shkatërruese. “Trepça” ishte njëra nga arsyet që krijoi pakënaqësi në marrëdhëniet e serbëve me shqiptarët dhe që ka ndikuar gjithsesi edhe në shkatërrimin e Jugosllavisë.

Gjatë ekzistimit të Jugosllavisë shtrohej pyetja se kush po e shfrytëzonte “Trepçën”? Kjo pyetje kishte përgjigje të lehtë të cilën e dinin të gjithë. Ditëve të fundit pyetja ka kaluar në një rang më të lartë dhe më të vështirë për t’u përgjigjur: Kush është pronari i “Trepçës”? Kosova apo Serbia?

Në pozitën e palakmueshme ndërkombëtare në të cilën gjendet Kosova, shto këtu edhe impotencën për veprim të organeve vendimmarrëse të Kosovës, çështja e “Trepçës” komplikohet edhe më tej. Pos Serbisë dhe Kosovës, pronësinë ndaj “Trepçës” e pretendojnë edhe individë apo kompani tjera që janë nga Greqia, Franca apo gjetiu. Pretendentët e fundit janë lajmëruar si rezultat i keqpërdorimit të qëllimshëm të statusit juridik e politik të Kosovës që ka filluar me regjimin e Millosheviqit e që ka vazhduar edhe gjatë administrimit jokompetent të UNMIK-ut. Nëse merren për bazë këto zhvillime, situata është e vështirë për cilindo jurist e gjykatë.

Në realitet, për ta thjeshtësuar çështjen, duhet injoruar pretendentët jashtë Kosovës me përjashtim të njërit. Juridikisht, pronarët më të afërt të “Trepçës” janë britanikët. Faktet që dalin nga një histori e shkurtë, që do të shihet më poshtë, mund të përdoren në favor të britanikëve të cilët dalin të vetmit pronarë legjitim.

Për herë të parë në historinë bashkëkohore të xehetarisë dhe industrisë, emri “Trepça” figuron me rastin e regjistrimit të saj si kompani britanike që u bë me 9 dhjetor 1927 në Londër. “Trepca Mines Limited” ishte pjesë e një kompanie të madhe e cila quhej “Selection Trust”, pronar i së cilës ishte Alfred Chester Beatty.

Një grup i afaristëve britanikë, shumica inxhinierë, kishte bashkuar kapitalin dhe kishin blerë nga shteti jugosllav koncesionet e minierave të “Trepçës”. Kontrata e koncesionit ishte lidhur për një shfrytëzim 50 vjeçar të minierës së “Trepçës”, e cila atëherë përfshinte edhe minierat e Kopaonikut dhe atë të Zletovës.

Në emër të shtetit jugosllav, kontrata ishte nënshkruar nga Radovan Pashiqi, por aksionet i mbante babai tij, Nikolla Pashiqi, i cili ishte edhe kryeministër i këtij shteti. Pronarët dhe udhëheqësit e bordit të kompanisë “Trepça” ishin: Ë.M. Kirkpatrick, A.H. Moreing, Beëick, E.A. Loring, J.F. Shipley, J. Jocelyn, Monck Monk dhe G.M. Leader.

Po këta persona ishin edhe pronarë të një kompanie tjetër që posedonte disa miniera në Evropën Lindore dhe Qendrore dhe e cila quhej “The Central European Mines Limited”. Pasi që “Trepça Ltd” ishte e regjistruar si kompani publike (aksionare), investime në te kishin bërë edhe 1500 persona fizikë dhe juridikë. Shumica e tyre ishin britanikë, por nuk mungonin as ata nga Franca, Gjermania dhe shtetet tjera të Evropës Perëndimore.

Pos familjes Pashiq, në listën e aksionarëve vendas figuronin edhe tre shqiptarë me mbiemër Deva.

Deri në vitin 1929, kur filloi prodhimi, britanikët u morën me punët përgatitore. Ata ndërtuan termocentralin, teleferikun, rrugët dhe kryen hulumtimet e nevojshme gjeologjike, gjeofizike dhe gjeografike duke lënë pas statistika dhe detaje tjera mahnitëse në lidhje me rezervat e xeheve dhe mundësitë e eksploatimit dhe përpunimit të tyre.

Si shtesë, për herë të parë në Ballkan, gjegjësisht në Mitrovicë u ndërtua fusha e tenisit, pishina olimpike, dhe ndërtesat e banimit të punëtorëve të shoqëruara me të gjitha elementet përcjellëse që për rrethanat ballkanike krijonin një lloj çudie.

E drejta e shfrytëzimit të minierës, britanikëve u është ndërprerë në mënyrë të paligjshme në vitin 1941. Në këtë vit, gjermanët, për shkak të rëndësisë që kishte “Trepça”, okupuan vetëm këtë pjesë të Kosovës. Nga ky moment e deri në vitin 1944, gjermanët e shfrytëzuan minierën dhe prodhimet e saja për makinerinë e tyre të luftës.

Britanikët, me përfundimin e luftës, me të drejtë tentuan që të ktheheshin në pasurinë e tyre në “Trepçë”, por kjo gjë nuk ju mundësua nga regjimi i ri komunist i Titos. Partizanët, sikur edhe gjermanët, kishin nxituar që ta fusnin në dorë minierën dhe filluan me prodhimin, duke u sjellë sikur që ishin pronarë të vërtetë. Pas shumë peripecive, në vitin 1945 komunistët lejuan një delegacion të pronarëve britanikë që ta vizitonin “Trepçën”. Ata u ndanë të tmerruar nga mënyra “partizanqe” e eksploatimit të minierës që kishte filluar regjimi i ri.

Një vit më vonë, përkundër premtimeve që iu dhanë britanikëve, “Trepça” u nacionalizua duke u bërë pasuri shtetërore jugosllave. Pronarët e “Trepçës”, si kompensim, morën një shumë simbolike të parave nga një fond i varfër të cilin Beogradi e ndau për të gjitha kompanitë britanike. Por, kompania “Trepça Mines Limited” kurrë nuk e pranoi këtë padrejtësi dhe nuk u shua deri në vitin 1960.

Privimi nga e drejta e shfrytëzimit që iu bë pronarëve legjitimë britanikë nga nazistët gjermanë ishte një veprim tërësisht joligjor dhe i paparanueshëm, pasi që kjo ishte bërë nga një fuqi agresive që kishte filluar luftën dhe pastaj e kishte humbur.

Nacionalizimi i “Trepçës” nga Beogradi ishte po ashtu i paakceptueshëm nga britanikët të cilët asnjëherë nuk e pranuan këtë gjë. Madje, regjimi komunist jugosllav kishte shkelur në mënyrë drastike edhe rregullat dhe ligjet e veta me rastin e nacionalizimit, pasi që kishte vendosur që “Trepça” të mos ju kthehej britanikëve në asnjë mënyrë.

Britanikët edhe sot mund të argumentojnë fare lehtë se “Trepça” është pasuri e tyre dhe se që nga viti 1941 e deri sot është duke u shfrytëzuar në mënyrë të paligjshme. Natyrisht, për kthim të “Trepçës” në gjendjen e mëparshme (Restitutio in Integrum) duhet që të bëhet një kërkesë nga ana e tyre. Është vështirë të thuhet saktësisht se kush është në pozitë juridike për të parashtruar kërkesën, por ata mund të jenë trashëgimtarët e pronarëve ose vetë kompania “Selection Trust”.

Megjithatë, një kërkesë e kësaj natyre duket se është bërë në verën e vitit 2010 kur një delegacion i lartë i investitorëve britanikë i udhëhequr nga Princi Micheal i Kentit, ka vizituar Kosovën. Ata kanë vizituar “Trepçën”, qëllimin e destinacionit të tyre, dhe Agjencinë Kosovare të Privatizmit ku kanë paraqitur qëllimin e vizitës. Mediat e Kosovës nuk i kanë kushtuar ndonjë rëndësi kësaj vizite.

Vetëm njëra nga gazetat ka raportuar se zyrtarët e Agjencisë së Privatizimit kanë shprehur habi kur ky delegacion ka dokumentuar se “Trepça” është pasuri britanike. Duket që zyrtarët e kësaj agjencie nuk e kishin dëgjuar këtë gjë më parë.

Sidoqoftë, askush nuk është më afër, juridikisht e as faktikisht, për të vënë “Trepçën” në pronësi. Britanikët, sipas të drejtës së koncesionit është dashur ta shfrytëzojnë “Trepçën” deri në vitin 1977. E drejta e shfrytëzimit u është ndërprerë në mënyrë të dhunshme dhe joligjore në vitin 1941.

Britanikëve u është mohuar kohëzgjatja 35-vjeçare e drejtës së shfrytëzimit. Ky fakt do të duhej të vinte në konsiderim serioz nëse britanikët paraqiten në rastin e privatizimit.

Një qeveri e mirëfilltë dhe një agjencion serioz i privatizimit do të duhej ta mundësonte rikthimin e gëzimit të së drejtës pronësore së paku për afatin e cekur më lart.

Pasi që Qeveria e Kosovës duket se nuk është në gjendje ta zgjidhë problemin ndryshe, kthimi i britanikëve do të prodhonte efekte politike stabilizuese në rajon. Me këtë, nëse Serbia pretendon hise në “Trepçë”, ajo duhet ta pranojë faktin se është trashëgimtare e Jugosllavisë dhe t’u ofrojë britanikëve kompensim, por edhe dëmshpërblim për fitimin e humbur që nga viti 1945 e deri më 1999, periudhë kjo kur efektet financiare të “Trepçës” niseshin dhe përfundonin në Beograd.

Britanikët ende janë në gjendje që Serbisë dhe pretendentëve tjerë t’ua tregojnë vendin dhe t’ua mbyllin gojën. Dhe, nga ky veprim do të fitonin të gjithë.

(Daut Dauti është autor i librit: “Lufta për Trepçën – sipas dokumenteve britanike”)

Lajme të ngjashme

Back to top button