Shqiptarët hyzmeqarë, punët i marrin maqedonasit

Pollogu ka më shumë firma për banorë në Maqedoni, por sërish ky rajon merr pjesë me përqindjen më të vogël në krijimin e Bruto Prodhimit Vendor. Këtë e tregon hulumtimi i Qendrës për Komunikime Qytetare për kushtet ekonomike në tetë rajonet në vend, shkruan gazeta “Koha“.

Dallimi i madh në mes të aktivitetit ekonomik të kompanive në Pollog në raport me Bruto-Prodhimit Vendor si indikatorë makro-ekonomik, që është matës agregat i vlerave të të gjitha produkteve dhe shërbimeve përfundimtare të prodhuara në ekonominë e një shteti, dëshmon edhe jobarazinë zhvillimore brenda rajoneve në Maqedoni. Sipas Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore dhe ekspertëve ekonomik, ky dallim ka burimin në politikat jo të përshtatshme qeveritare ndaj këtij rajoni, lënies pas dore të zhvillimit të infrastrukturës dhe ngufatjes së iniciativave dhe pamundësisë që ato të veprojnë dhe gjenerojnë efekte të bruto-pordhimit vendor.

“Të gjithë qeveritë pa përjashtim nuk kanë ndërmarrë hapa konkret për të ndihmuar zhvillimin e biznesit në këtë rajon. Kjo i dedikohet edhe politikave jo të përshtatshme në të kaluarën që nuk i kanë kushtuar një vëmendje më të madhe zhvillimit të barabartë rajonal. Me një fjalë, në Pollog janë lënë pas dore çështje me rëndësi si infrastruktura, Korridori 8-të si dhe politikat e tjera investuese”, thotë kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Menderez Kuçi.

Ai thotë se nevojitet sa më parë të realizohen investimet në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore, me çka bizneset do të jenë më konkurruese me qëllim të përmirësimit të ambientit të biznesit dhe plotësimit të kushteve që sa më shumë investitorë vendor dhe të huaj të shqyrtojnë mundësinë e investimit, me çka do të realizohej gjysma e kërkesave të biznesit.

Akademiku Abdylmenaf Bexheti thotë se në rajonin e Pollogut nuk ka munguar iniciativa private dhe shpirti sipërmarrës, por ka munguar një mbështetje më e madhe institucionale dhe shtetërore ndaj afaristëve të kësaj ane. “Ky indikatorë tregon shpirtin ndërmarrës dhe iniciativat private në Pollog, që është për t’u përshëndetur,  por në krahasim me efektin e këtij aksioni duhet të përgjigjen politikbërësit e politikave ekonomike, që si duket s’e kanë idenë e çështjes. Thjesht rezultati negativ nga ky raport në krahasim me gjithë regjionet tjera statistikore(nga 8 gjithsej) është për shkak të ngufatjes së iniciativave dhe pamundësisë që ato të veprojnë dhe gjenerojnë efekte të BPV e më këtë edhe standard jetësor”, thekson Bexheti. Sipas tij, edhe treguesit e tjerë dëshmojnë jobarazinë ekonomike të Pollogut. “Edhe ky indikator si shumë tjerë të elaboruar deri më tani, tregon sa inferiorë jemi në ‘hisemarrjen ekonomike’ që politik bërësit shpesh tentojnë ta shesin si ‘gogla për dushk’ Po ja që rezultatet shpejt dhe gjithmonë i demantojnë ata. Një shembull edhe më praktik, analizoni kush është ‘tender marrës’ bile edhe për institucione dhe kompani publike nga regjioni i Pollogut, kryesisht punët i marrin maqedonasit dhe pastaj ua shpërndajnë shqiptareve që t’i kryejnë si hyzmeqarë”, thotë profesori universitar Abdylmenaf Bexheti.

Lajme të ngjashme

Back to top button