Muzë

Shikimi i trishtë i saj …shikimi i mbushur me frikë…

Shikonte përtej gjithçkaje që e rrethonte. Mbante një karajfil të freskët në njërën dorë e me gishtat e gjatë, elegant, të papastër të dorës tjetër ledhatonte petalet me tempo të njëjte. Kishte lëkurë të bardhë…oh sa të bardhë, si muzat…së paku ashtu ua imagjinoja muzave lëkurën. Lëvizte buzët. Sikur mu duk!?

Ajo prap lëvizi buzët pa lëshuar zë.

Ajo po fliste me vehten.

Ajo kishte përqëndruar shikimin në një pikë të dritares që gjendej prapa shpinës sime dhe në fakt aspak nuk shikonte jashtë dritares, ajo para syve të saj kishte gjithçka që ajo dëshironte të shihte, dhe fliste me to.

Shpirt i bukur, po si mund të shpërndaje gjithë atë trishtim, dhimbje e drojtje vetëm me një shikim?

Kush, çka kishte pasur gjithë atë fuqi të të mposhte fuqinë e mendjes?

Si mundej gjithë rrugës për në shtëpi, deri në stacionin e fundit timin, sytë e tu të mbanin po atë sasi lotësh, as më shumë që të rridhnin, e as më pak që të thaheshin?

Për cilin yll të mëngjesit po vuante çdo qelizë e trupit tënd?

Cilën ndjenjë kërkonte shpirti ytë të mbillte që mos ta kërkoje atë jashtë dritareve, autobusëve, duke bredhur e luhatur rrugëve, e duke formuar fjalët e lutjes pa lëshuar zë?

Thuaje me zë, thuama, se ja stacioni im, po zbres dhe do më mbetet peng në shpirt.

Arlinda Zymeri – Shkup

Lajme të ngjashme

Back to top button