Vite të humbura

Në Indinë e vjetër e kishin dënuar një person me vdekje. Para momentit të ekzekutimit, ai e kishte lutur mbretin që t’ia falë dënimin, me atë që për dy vite do ta mësonte kalin e tij fluturim. Mbreti me shumë kënaqësi ishte pajtuar. Kur më pas të afërmit e tij i kishin thënë se dy vite do të kalojnë shpejtë, ai ishte përgjigjur – për dy vite mund të ndodhin shumë gjëra: mund mbreti  të vdesë. Mund që unë vet të vdes. Apo kali të ngordhë. Por, gjëja më e sigurtë është se unë i fitova edhe dy vite jetë.

Ky tregim sikur i ngjan kohës 22 vjeçare të funksionimit të Maqedonisë si shtet, ku e vetmja gjë që është fituar ka qenë koha e përfituar për të qenë pushtet. Por, kjo njëherit i ngjanë edhe pozicionit participues shqiptar në qeveritë e gjertanishme të Maqedonisë, pasi ata gjatë kësaj kohe kanë fituar bindjen – në esencë të zbrazur – se janë pushtet, kurse në fakt ata janë kënaqur vetëm me do fatamorgana përplot me shpresa dhe pak efektiva. Gjithherë kanë menduar se diçka do të ndodhë në të mirë të tyre, duke pritur që mbreti të vdesë apo kali të ngordhë…

Shumë vite kaluan që kur në Ballkan u krijuan shumë shtete të reja. Nga këta, ndonjëra më pak e tjetra më shumë, kanë treguar njëfarë vitaliteti zhvillimor. Kanë ecur përpara. Maqedonia ka mbetur një ekzemplar i vetëm, që këto 22 vite i harxhoi duke ecur mbrapa. Mbeti i vetmi shtet në rajon që nuk ka arsyetuar logjikën e ekzistimit të vet. Njerëzit vështirë kuptojnë se ardhmëria nuk është çështje e fatit, por çështje që ne vet e kemi zgjedhur. Banorët e këtij shteti tani jetojnë rreth 30 për qind më dobët se në vitet e nëntëdhjeta kur edhe u pavarësua ky shtet. Jeta vazhdon të jetë një kaos i vërtetë,  kurse ne vazhdimisht besojmë se së shpejti do të na ndodhin diçka normale. Apo ndoshta duhet besuar propagandës së pushtetmbajtësve, të cilët fuqishëm janë duke na bindur se në realitet janë duke na ndodhur shumë gjëra të mira, por që ne nuk kemi kapacitet mental që t’i ndjejmë. Por, në situata kur të pavërtetat dhe mashtrimet ngriten në nivel të të mirave publike, atëherë ndonjë e mirë mund të ndodhë vetëm nga ndonjë gabim eventual i Zotit. Por, për fat të keq Zoti kurrë nuk gabon.

Garnitura udhëheqëse e këtij shteti, nën maskën e tensioneve ndëretnike bëri privatizimin më të kriminalizuar ndër vendet në tranzicion. Bëri grabitje shekullore të pronësisë publike, ku qytetarët e rëndom mbetën në pozitë jo të rëndomë. Shqiptarët an-bllok ishin në aut. Edhe sot e kësaj dite firmat shqiptare janë sikur macja nën tryez. Madje edhe ato pak investime të lobuara nga shteti, kryesisht orijentohen nga pjesa lindore e shtetit. Të tilla janë – ,,Jonson Controls,, (investim shtesë) ,,Johnson Meti,, (poashtu investim shtesë) ,,Technnohaze Kemet Electronics,, ,,Cromberg & Shubert,, ,,Prota,, ,,projekti i Kavadarit,, ,,Grishko,, (fabrikë ruse për paisje estradash), Xhumajlija etj. Vlera e tyre do të arrijë në afro 900 milion euro, kurse priten të punësohen rreth 15 mijë veta. Qeveria shpenzon pesë milion euro për Akua parkun, kurse nuk jep as një milion për Liqenin e Matkës. 

Pushtetet në kontinuitet bënin kriminale të thellë dhe atë e maskonin ose me shpifje ndëretnike ose me lëvdata të rrejshme historike. Tani Shkupi 2014, një vepër sa komike po aq edhe tragjike, paraqet një larje serioze të parave, në emër të një historie të rrejshme, por për llogari të parave të vërteta të dikujt. Ne vazhdojmë të durojmë sikur jemi të lindur për durim. Durojmë edhe atëherë kur ndokush ndërton të kaluarën e vet duke shembur të ardhmen tonë. Edhe atëherë kur ndokush ndërton identitetin e vet të rrejshëm duke shkelur mbi dinjitetit tonë të vërtetë. Edhe atëherë kur na premtojnë bashkëjetesë që do ta ndërtojnë me ndihmën e urrejtjes. Vazhdojmë të mbetemi statistë. Madje, varësisht nga intereset, herë pushtetin e trajtojmë si demokraturë e here si demokraci. Herë si dështim e herë si sukses. Herë si dëshpërim e herë si gëzim. 
Pushteti është shndërrua në farkues të fatkeqësisë. Dekada me radhë ndokush ndërton fatin personal mbi fatkeqësinë e të gjithë popullatës. Nga bota normale do të pyesnin – pse këta njerëz dekada me radhë preferojnë vetëmashtrimet, tolerojnë që dikush t’ua shkel dinjitetit dhe integritetin fizik e mental, t’ua nënçmojë trurin dhe inteligjencën?!!!

Ku janë gjithë ata studentë që heshtin përpara përdhosjes, jo vetëm të eurointergrimeve, por edhe të dinjitetit elementar të tyre!!! Dinë ata se çka janë protestat? Energjia e tyre e demonstruar në formë demokratike mund të bëjnë shumë më tepër se sa partitë politike. Pasi partitë politike shpesh në gojë kanë patriotizma, kurse në zemër profite. Maqedonia është shembull tipik se si konvertohen patriotizmat në para. Lansohen lloj lloj projektesh për ndasi etnike dhe fetare, kurse masa apolitike qëndron amorfe. Nuk është e natyrshme që pushteti të fletë kurse njerëzit të heshtin. I famshmi Rene Tores do të kishte thënë – “askush të mos shpresoj në ardhmërinë e vet nëse nuk ka guxim haptazi të mbrojë dinjitetin e vet, pasi fati i ndjek vetëm ata që kanë guximin.” Mjerim është kur duron të keqen, por mjerim më i madh është kur lëvdon të keqen.

Lojërat djallëzore akoma vazhdojnë. Kjo i ngjanë një maratoni lundrues nëpër ujëra të egërsuara, ku barkat më të dobëta përplasen për shkëmbinjve. Partitë shqiptare, madje edhe ato në opozitë, në çfarëdo skenarësh koketojnë me VMRO-DPMNE, sikur nuk duan të kuptojnë se sa më afër kësaj partie, aq më tepër janë larg popullit të vet. Sa më afër Gruevskit aq më larg lirisë, demokracisë dhe zhvillimit. Sa më afër këtij pushteti aq më larg Zotit. Të bashkëveprosh me këso pushteti është sikur të koalicionosh me djallin. Ne mbajmë përgjegjësi edhe për izolimin që kemi. Këtë pushtet më askush nuk e viziton, përveç shatëll-udhëtimeve që kanë për qëllim të ushtrojnë presion për t’i detyruar në diçka. Bota tani e ka të qartë se këtij pushteti as që i bëhet më vonë për NATO dhe Union Evropian. Flitet se në këtë shtet të vogël e me probleme të mëdha gradualisht është duke u instaluar formë e maskuar e diktaturës. Se shumë mediume në masë të madhe janë nën kontrollin total qeveritar. Se institucionet funksionojnë jo konform ligjeve, por sipas direktivave partiake. Se intelektualët në përmasa shqetësuese janë në heshtje apo konformizëm dhe se mendimin e lirë dhe moralin e kanë konvertuar në ndonjë interes qoftë edhe simbolik. Se ky lloj pushteti ekziston vetëm për vetveten, kurse gjithçka tjetër është shndërrua në improvizim. Pushteti gjithë kohën funksionon me (jo)logjikën se njerëzit më lehtë mund t’i ngopësh me përralla se sa me bukë. Një politikë e tillë ka sjellë gjer te një mjerim serioz kolektiv, kur shportat ushqimore zëvendësohen me kontejnerë të rrugës. Kështu siç jemi u ngjasojmë atyre që luftojë me mullinjë të erës. Por, shumë nga ne janë kthyer andej kah nga fryen era. 

Vitet shpejtë kalojnë kurse mbreti asesi të vdesë, e as kali të ngordhë. Por, ne jemi duke vdekur. Vdekja nuk është gjithëherë fizike. Këto vite të humbura na kushtojnë histori. Madje edhe tani Gruevski blenë kohën që ne me zemërgjërësi e shesim.

Lajme të ngjashme

Back to top button