10 gabimet më të mëdha të larjes së fytyrës

Kujdesuni për lëkurën tuaj duke shmangur gabimet më të zakonta që bëhen gjatë larjes së fytyrës.

Pastrimi dhe pse duket si një procedurë e rëndomtë, është baza e trajtimit të fytyrës. Prandaj është shumë e rëndësishme të bëjmë kujdes

Produkti i gabuar

Pastruesi i duhur duhet të heqë, plotësisht, papastërtitë, make up-in dhe grimin, por jo të largojë gjithë vajin e lëkurës dhe qelizat e shëndetshme. Zgjidh një që e bën këtë punë dhe nuk është as shumë i butë (do detyrohesh ta lash dy herë ose të bësh skrab të fuqishëm për ta pastruar mirë), as shumë I fortë (e skuq, e irriton ose e than shumë lëkurën).

Tejkalimi i sasisë

Për shumë, larja një herë ose dy herë në ditë është e mjaftueshme, por një herë e tretë I bën dëm lëkurës, duke shkaktuar për ironi mbiprodhim të yndyrës. Nëse nuk ke vendosur make up, nuk e ke tepruar me krem mbrojtës, apo nuk ke djersitur shumë, eleminoje pastruesin në mbrëmje dhe shpëlaje fytyrën me ujë të vakët. Lëkurës i bën mirë nëse herë pas here bën pak pushim nga kujdesi me produkte.

Temperatura e ujit

Është shumë i njohur miti që uji i ngrohtë hap poret dhe i ftohti i mbyll. E vërteta është që poret nuk kanë muskuj për t’u hapur dhe për t’u mbyllur. Ndërkohë që dhe pse mund të pëlqejë ndjesia e ujit të ngrohtë në fytyrë, ai prish punë me yndyrën natyrale dhe mbrojtëse të lëkurës dhe çon në mbitharjen e saj ose mbiprodhimin e sebumit, ose yndyrës. Uji i vakët është më i mirë për të pastruar pa dëmtuar.

Eksofolimi i tepërt

Eksfolimi është një praktikë e shëndetshme për të hequr qelizat pa jetë, por sekreti është te moderimi. Zgjidh exfoliantë granulorë (skrabet me sheqer dhe acidet e frutave janë një opsion delicat) dhe mos e përdor më shumë sesa dy ose tri herë në javë. Përdor gishtat dhe jo ndonjë sfungjer për të parandaluar dëmtimet e lëkurës.

Mosshpëlarja e mirë e lëkurës

Nëse nuk e shpëlan mirë fytyrën rrezikon që të të bllokohen poret e lëkurës. Shpëlaje gjithmonë të gjithën, edhe kur je vonë në mëngjes ose shumë e lodhur në mbrëmje. Konturet e saj poshtë nofullës, ku nisin flokët dhe hunda janë zonat më të neglizhuara zakonisht, prandaj jepu pak vëmendje!

Përbërësit e gabuar

Bëji fytyrës tënde një nder dhe mos përdor përbërës irritues si fragrancat, ngjyruesit dhe ruajtësit sintetikë si parabenët. Sodium lauryl sulfate (lënë në anglisht për ta identifikuar më mirë në etiketa) është një tjetër armik që zakonisht përdoret për pastrimin e lëkurës, por që është gjithashtu një shkak I zakonshëm I irritimit dhe alergjive. Lexo gjithmonë më parë etiketën e përbërësve.

Fshirja me peshqir

Tampono, mos fërko. Fshirja mund të të pëlqejë, por ai e ngjesh dhe e tërheq lëkurën, që e dëmton elastinën. Dhe mos merr peshqirin e parë të duarve që të del përpara. Mendo për peshqirë të pastër dhe të butë që e respektojnë fytyrën e sapolarë.

Ta lësh fytyrën të rrijë shumë para hidratantit

Për një thithje maksimale të kremit hidratues, aplikoje direkt pasi e ke pastruar ndërkohë që lëkura është ende e butë. E njëjta gjë është e vërtetë edhe për serumet apo produktet e veçanta trajtuese. Po të presësh sa lëkura të thahet plotësisht, përbërësit aktivë do e kenë më të vështirë të zhyten brenda lëkurës dhe kjo do i japë lëkurës një pamje të yndyrshme dhe ngjitëse.

Të shpenzosh shumë

Të nxjerrësh nga xhepi shuma marramendëse vetëm për pastrimin e fytyrës, nuk është veprim shumë i kujdesshëm. Zgjidh një pastrues me përbërës të thjeshtë dhe kurse për produkte që japin benfite afatgjata, si serumet apo kremrat.

Frika nga vajërat

Për një kohë të gjatë, vajërat janë quajtur bllokues poresh, por kahu i mendimeve po ndryshon. Specialistët thonë që të gjitha llojet e lëkurës mund të përfitojnë nga pastrimi me vajëra deri dhe lëkurat e yndryshme. Vaji del me vaj, si përfundim. Vajërat e duhur pastrojnë poret nga papastërtia dhe bakteret dhe ndihmojnë për trajtimin dhe balancimin e lëkurës. Kërko produkte vajore pastruese me vajëra bimore ose mund të përdorësh edhe vaj cilësor bajameje, vaj farash kajsie, vaj nga farat e rrushit, ose vaj luledielli nga ai i supermarketit (vaji i kokosit dhe vaji i ullirit mund të jenë të mirë për disa, por është vënë re që shkaktojnë probleme për disa), thjesht masazho vajin mbi fytyrë dhe fshije me një copë të butë të zhytur në ujë të ngrohtë. Sigurohu që ta fshish të gjithë vajin për të parandaluar grumbullimin e tij dhe për t’i mbajtur poret të pastra./ RevistaClass

Lajme të ngjashme

Back to top button