Pozoi si Hitleri, tash do të hetohet: Lideri i Pegidës azilantët i quajti kafshë

Për shkak të nxitjes të urrejtjes, Zyra e prokurorit të shtetit gjerman hapi të mërkurën hetime ndaj udhëheqësit të lëvizjes antimyslimane Pegida, pasi e përditshmja Bild botoi fotografinë ku ai pozon në stilin e liderit nazist, Adolf Hitler, me komentet ku refugjatët i quan “kafshë” dhe “hiça”.

“Patriotët evropianë kundër islamizimit të Perëndimit” (Pegida), ka dalë në skenën politike me slogane kundër ardhacakëve, duke tërhequr mijëra njerëz në tubimet e tyre të rregullta të të hënave në Dresden.

Parada e lëvizjes simotër të Pegidës, Legida, është paralajmëruar për sot në mbrëmje në Leipzig, pasi policia të hënën ndaloi tubimin në Dresden, transmeton Telegrafi.

Bashkë-themeluesi i Pegidës, Lutz Bachmann, i cili u dënua për vjedhje, por që mohon se është një racist apo kundërshtar i myslimanëve, tani kërcënohet me një hetim penal.

“Janë iniciuar hetimet paraprake për dyshimin për nxitjen e urrejtjes në popull”, tha një zëdhënës për zyrën e Prokurorit të Shtetit në Dresden, duke shtuar se shkas janë fotografitë me pozat e Hitlerit si dhe komentet e Bachmannit.

Ditorja Dresdner Morgenpost ka transmetuar mesazhet Bachmannit nga Facebooku, ku ai pretendon se kërkuesit e azilit në zyrat ku kërkojnë ndihmë sociale sillen si “hiça” dhe se duhet rritur sigurimin që “”të mbrojnë punonjësit nga kafshët”. /Telegrafi/

Lajme të ngjashme

Back to top button