Rusia reagon për fjalimin e Obamës: Synojnë të dominojnë botën

Rusia i është kundërpërgjigjur menjëherë fjalimit të përvitshëm të Presidentit amerikan Barack Obama, të quajtur “State of the Union”, duke thënë se përmes tij Shtetet e Bashkuara tregojnë edhe njëherë se besojnë që janë “numri 1” dhe synojnë dominimin në botë.

Obama tha se vendi i tij respektonte “parimin bazë se vendet e mëdha nuk duhet të detyrojnë vendet e vogla”, duke kundërshtuar agresionin e Rusisë, duke mbështetur demokracinë në Ukrainë, dhe duke thënë se Rusia është izoluar tashmë.

“Amerikanët kanë zgjedhur kursin e konfrontimit dhe nuk i vlerësojnë aspak në mënyrë kritike hapat e tyre në tërësi”, tha ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, në një konferencë për shtyp. “Fjalimi i djeshëm i Presidentit Obama tregon se në qendër të filozofisë së Amerikës është vetëm një gjë: ‘Ata janë numri një dhe të gjithë të tjerët duhet të pranojnë këtë’… Kjo tregon se Shtetet e Bashkuara kërkojnë gjithçka për të dominuar botën dhe jo të jenë thjesht të parët mes të barabartëve”.

Kjo fazë mund të kalojë, tha Lavrov, por shtoi se do të duhet ende kohë për Shtetet e Bashkuara, që të mendojnë mbi zbutjen e politikës së jashtme të tyre, për ta bërë pak më agresive.

“Do të preferoja që të gjithë vendet të adoptonin filozofinë e bashkëpunimit, jo diktatin”, tha ai.

Marrëdhëniet mes Rusisë dhe Shtetet e Bashkuara kanë kapur nivelet më të ulëta që prej fundit të Luftës së Ftohtë, kryesisht për shkak të konfrontimit të Moskës me Perëndimin mbi krizën në Ukrainë, gjatë së cilës Perëndimi ka vendosur edhe sanksione ndaj Rusisë.

Lavrov tha se marrëdhëniet mes Moskës dhe Uashingtonit “janë përkeqësuar ndjeshëm” gjatë 2014-s, si dhe bëri thirrje për “bashkëpunim konstruktiv” përfshi edhe për çështje të tjera të nxehta si Irani dhe Siria.

Uashingtoni dhe Perëndimi thonë se Moska ka përfshirë trupat e saj ushtarake pas rebelimit të separatistëve prorusë në lindje të Ukrainës, madje duke i furnizuar ata edhe me armë, por Rusia e mohon këtë.

Lavrov hoqi një paralele mes protestave në sheshin “Maidan” të Kievit, që kulmuan me rrëzimin vitin e kaluar të Presidentit të mbështetur nga Moska, Viktor Yanukovych, me dhunën e shfaqur në Ferguson të Shteteve të Bashkuara për shkak të një vendimi të gjykatës që shtoi edhe më tej tensionet raciste.

Ai citoi Obamën të ketë thënë se shkatërrimi i pronës gjatë trazirave është krim dhe duhet ndjekur penalisht. “Askush në Perëndim nuk tha diçka të ngjashme pas atyre që ndodhën në Maidan. Askush! Atje u dogjën ndërtesa dhe u vranë njerëz”, tha ai, duke akuzuar Perëndimin se i është kthyer standardeve të dyfishta. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button