BDI: PDSH akuzon pa bazë, ne flasim për projekte të realizueshme

Akuzat paushalle që vijnë nga një parti, e cila fatkeqësisht, prapa vetes nuk ka asnjë projekt të rëndësishëm për shqiptarët, është vetëm një tjetër konfirmim i mungesës së vizionit dhe të kuptuarit të projekteve të mëdha politike.
Kështu thuhet në reagimin e Bashkimit Demokratik për Integrim, ndaj pres konferencës së deputetit të PDSH-së lidhur me propozim Buxhetin për vitin 2014.

Derisa PDSH-ja merret me akuza të pabaza dhe ‘fjalë boshe’, ne flasim për projekte kapitale dhe zhvillimore që realizohen dhe do të realizohen, thonë nga BDI.

“Ne flasim për ndërtimin e shkollave të reja fillore dhe të mesme, si ndërtimi i shkollës “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Haraçinë, shkollës “Kongresi i Manastirit” në Çair, ndërtimi i shkollës së mesme në Saraj, ndërtimi i shkollës fillore në Bogovinë, dy shkolla në komunën e Zhelinës, fshati Merovë dhe Novosellë, shkolla fillore në fshatin Mojancë si dhe shkolla tjera në vendbanimet shqiptare. Gjatë këtyre viteve kemi investuar dhe do të investojmë në krijimin e kushteve për nxënësit dhe studentët shqiptarë. Edhe këtë vit kemi ndarë mjete për investime kapitale për Universitetin Shtetëror të Tetovës, ndërsa në kohën e qeverisjes sonë është lëshuar në përdorim edhe objekti i ri i USHT-së në Tetovë, si dhe objektet e këtij universiteti në Kërçovë, Dibër, Kumanovë dhe Gostivar” thonë nga BDI.

Më tej kjo parti ka numëruar projektet e parashikuara për ndërtim dhe atë: Salla sportive në f. Negotinë të Komunës së Vrapçishtit, në Tetovë, Gostivar, 40 milion denarë për Klinikën e Tetovës, 40 milion denarë për Spitalin e Kërçovës si dhe ndërtimi i Qendrës së re Klinike në Shkup.

“Ne flasim për ndërtimin e Ujësjellësave në Tetovë, Likovë, Zaraj si dhe stacioneve për filtrimin e ujit në Gostivar dhe Saraj. Ne flasim per ndërtimin e autostradës Kërçovë-Strugë si dhe ndërtimin e shumë rrugëve tjera lokale dhe rajonale. Ne flasim për ndërtimin e mbi 15 hidrocentraleve të reja të ndërtuar gjatë 2 viteve të fundit, në Likovë, Tearcë, Tetovë, Dibër, Mavrovë, Kërçovë e Strugë. Për projekte kulturore janë ndarë mjete për rindërtimin e Teatrit Shqiptar në Shkup edhe atë 74 milion denarë, dhe për Teatrin dhe bibliotekën në Tetovë 70 milionë denarë. Për Zonat e lira ekonomike me  buxhetin për vitin 2014-të janë ndarë 428 milion denarë, ku afër 50 për qind janë paraparë për zonën në Strugë, Kërçovë dhe Tetovë” thonë nga BDI.

PDSH sot akuzoi BDI-në se i vetmi projekt i suksesshëm i BDI-së është marrja e haraçit shqiptarëve, miliona euro dënime për bizneset shqiptare vetëm ditëve të fundit.

Lajme të ngjashme

Back to top button