Gjysëmvjetori i dytë i gjen në gjendje të mjerueshme shkollat

Sot fillon gjysëmvjetori i dytë në shkollat fillore dhe ato të mesme në mbarë Maqedoninë, me ç’rast shkollat periferike edhe këtë gjysëmvjetor e fillojnë në kushte të mjerueshme dhe jo të përshtatshme për zhvillimin e mësimit.

Disa në to janë edhe shkollat fillore  “Liman Kaba” në Lubeten të Shkupit, “Vasill Gllavinov” në fshatin Slivnik të Velesit dhe shkolla “Ismail Qemali”në Nerasht të Tetovës.

Drejtori i shkollës fillore të Lubetenit, Xhezmi Abdyrrahmani thotë se kushtet në këtë shkollë vazhdojnë të jenë të papërmirësueshme dhe shton se është vështirë që kështu të zhvillohet mësimi.

“Kushtet janë të njëjta pa asnjë ndryshim. Ministri i Arsimit ende nuk na ka vizituar por nga MASH na e kërkuan plan projektin për rindërtimin e shkollës dhe ka më shumë se një muaj e gjysmë që e kemi dërguar por ja që ende nuk kemi asnjë informacion lidhur më këtë çështje, shpresojmë që sa më shpejtë të rregullohet shkolla sepse nuk është mirë që klasat të jenë të improvizuara dhe numri i nxënësve në një klasë të jetë tejet i madh, sepse këto gjëra ndikojnë dhe pengojnë dukshëm zhvillimin e mësimit”, tha për Portalb, Abdyrrahmani.

Po ashtu pothuajse e njëjta situatë mbizotëron edhe në shkollën fillore  “Vasill Gllavinov” në fshatin Slivnik të Velesit, ku mësimdhënësi Qemal Musa thotë për Portalb, se ende nuk ka asgjë të re, asgjë nga ajo që u premtua nga ministri Ademi.

“Sërish këtë gjysëmvjetor e fillojmë po në ato kushte si më parë. Sa është e përshtatshme që në një klasë të mësojnë 86 nxënës, këtë le ta vlerësojnë të tjerët. Sepse në disa herë kemi kërkuar zgjerimin e klasave, dhe kemi marrë premtime të shumta. Do të presim deri në muajin mars të këtij viti nëse nuk ndërmerret asgjë atëherë  ka gjasa që sërish të bojkotohet mësimi, sepse në këto kushte nuk shtyhet më. Nuk do ta fillojmë edhe një vit shkollor në këtë mënyrë”, tha për Portalb, Musa.

Gjithashtu edhe objekti i shkollës fillore “Ismail Qemali” në Nerasht të Tetovës është i vjetër dhe procesin mësimor e ndjekin në kushte të rënda, madje edhe me rrezikun nga shembja e kulmit të shkollës i cili mbahet nga drunj të kalbur.

“Për momentin nuk ka asgjë të re. Ne projektin ia kemi dërguar komunës për renovimin e kulmit dhe është i përgatitur në gjuhën maqedonase angleze dhe gjermane, e kemi dërguar edhe në shtetet tjera por, deri më tani nuk ka asgjë të re në lidhje me kulmin. Ne më herrët para borës kemi venduar direkët e çatisë e kemi përforcua pak që t`mos bjer ajo por është rrezik. Tash është pak borë por me ra borë më e madhe ajo është në rrezik dhe mundë të bie. Në shkollë kemi 230 nxënës dhe plus çerdhen e fëmijëve diku rreth 260 krejtësisht”, tha kohë më parë Azir Mustafi, drejtor i kësaj shkollë.

Jo zyrtarisht mësohet se inspektorët e MASH-it kanë vizituar këtë shkollë por kanë konstatuar se nuk ka nevojë për rikonstruim, pasi që nuk kanë kontrolluar dhe vizituar fare kulmin i cili rrezikon të shembet. Sipas informacioneve, ata kanë shikuar dhe kontrolluar vetëm katin e parë të kësaj shkolle./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button