ANALIZË: A e ndryshon BDI-ja strategjinë?

Pas tetë vitesh radhazi në pushtet, BDI-ja paralajmëron ndryshim të strategjisë. Sipas liderit të partisë, Ali Ahmeti, prioritet i politikës partiake për këtë vit do të jetë ekonomia, investimet, përmirësimi i standardit jetësor. A do të përpiqet BDI-ja me qasjen e re që t’i ruajë votuesit ekzistues në vigjilie të zgjedhjeve të mundshme të parakohshme parlamentare? Pse u lanë integrimet euroatlantike në plan të dytë – kartë në të cilën partia e Ahmetit ka luajtur me sukses vitet e fundit?

Projektet ekonomike – prej premtimeve deri te realizimi…
Anëtarësia në NATO dhe në Bashkimin Evropian, mbeten çështje prioritare për BDI-në, mirëpo partia këtë vit do të orientohet në kërkimin e zgjidhjes për problemet ekonomike. Ky paralajmërim erdhi nga lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, me të cilin praktikisht e shpalli edhe strategjinë e re partiake. Pas tetë vitesh në pushtet, sipas një pjese të ekspertëve, ky veprim i BDI-së mund të jetë i vonuar.

“Në të gjitha zgjedhjet, BDI-ja para elektoratit dilte me Programin e saj, ku vend të veçantë kishte edhe pjesa ekonomike. Partia kishte kohë dhe mundësi që ta realizojë atë – pjesërisht ose në tërësi. Mirëpo, për fat të keq, shumë pak nga ajo që ishte shënuar në program edhe u realizua. Deri tani, askush nuk i ka ndaluar përfaqësuesit e kësaj partie që të kontribuojnë në zhvillimin e ekonomisë, aq më tepër që në krye të Ministrisë për Ekonomi, dy mandate me radhë, ishin përfaqësues të kësaj partie. Ky vit dhe vitet e ardhshme që vijnë, do të jenë me shumë sfida, mirëpo vështirë se mund të shpresojmë për diçka më të mirë, për shkak se përvoja e dëshmon të kundërtën. Poashtu, mendoj se përfaqësuesit e kësaj partie janë të margjinalizuar gjatë marrjes së këtyre vendimeve dhe shpeshherë janë të pafuqishëm”, thotë për Portalb, profesori universitar, Nasir Selimi.

Pas zgjedhjeve, gjatë ndarjes së ministrive, BDI-ja dy mandate e ka fituar njërin nga resoret më të rëndësishme ekonomike, Ministrinë për Transport dhe Lidhje. Në një mandat e menaxhoi edhe Ministrinë për Transport dhe Lidhje edhe Ministrinë për Punë dhe Politikë Sociale, e cila është njëra nga ministritë që disponon me buxhetin më të madh. Poashtu, BDI-ja e menaxhon edhe Ministrinë për Vetëqeverisje Lokale, nëpërmjet së cilës realizohen projekte për zhvillim rajonal, për nxitjen e zonave ekonomikisht të pazhvilluara, e poashtu ajo e ndjek edhe përparimin e vetëqeverisjes lokale. Në të njëjtën kohë, nga radhët e BDI-së është edhe njeriu i dytë në Ministrinë për Financa, si zëvendës i ministrit.

Edhe përkundër shpërndarjes së këtillë të forcave, opozita shqiptare edhe një pjesë e analistëve vlerësuan se BDI-ja nuk arriti të realizojë projekte të rëndësishme në rajonet me popullatë domimante shqiptare.

“Për fat të keq, kjo qeveri, e poashtu edhe ato të mëparshmet, nuk bënë ndonjë hap të rëndësishëm përpara për përmirësimin e gjendjes ekonomike të pjesës perëndimore të Maqedonisë. Standardi jetësor dhe mirëqenia e qytetarëve në këtë pjesë të vendit, jo vetëm që nuk është përmirësuar, por përkundrazi është përkeqësuar. Numri i qytetarëve të varfër është i lartë, vetëm të përkujtoj se Maqedonia është njëra nga vendet më të varfëra në Evropë, e poashtu edhe papunësia është problem i madh, veçanërisht te të rinjtë. Jemi dëshmitarë se për çdo ditë njerëz të rinj emigrojnë në vendet evropiane me shpresë se do të sigurojnë jetë dhe perspektivë më të mirë”, thotë profesori Selimi dhe shton se nuk ka ndonjë projekt ose investim më të madh në rajon, i cili jep shpresë se gjërat do të ndryshojnë në të ardhmen.

“Pesë-gjashtë vite flitet për Zonë e lirë tregtare në Tetovë, mirëpo, ajo assesi të fillojë të funksionojë. Dy qytetet më të mëdha të rajonit, Gostivari dhe Tetova, nuk kanë siguruar ujë të pijshëm për qytetarët e tyre edhe atë tani në shekullin e 21-të. Në të kaluarën kishte shumë ndërmarrje që kishin numër të madh të punësuarish, e sot ato janë të rralla”, thotë për Portalb, profesori Selimi.

Si projekte më të rëndësishme që janë realizuar ose që janë në fazën e realizimit, sipas vlerësimeve partiake të BDI-së, përmenden fillimi i ndërtimit të autostradës Kërçovë-Ohër dhe Shkup-Bllacë. Ndërsa projekti për ndërtimin e hekurudhës Kërçovë-Shqipëri është në fazë të përgatitjes, akoma larg realizimit përfundimtar. Si projekt i realizuar konsiderohet ndërtimi i sheshit “Skënderbeu”, i cili është në pritje të realizimit të fazës së dytë. Projektet e rëndësishme infrastrukturore, si ujësjellësit në Likovë, Zajaz dhe Tetovë akoma janë në pritje të përfundimit të tyre.

“Jemi të gatshëm t’u ndihmojmë të gjithë investitorëve potencialë, të vendit dhe të huaj, si dhe t’u ndihmojmë gjatë realizimit të investimeve të tyre, për shkak se ashtu hapen vende të reja pune dhe zhvillohet ekonomia” – deklaroi para do kohësh, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili vlerësoi se investitorët kërkojnë klimë stabile politike, e cila mund të sigurohet nëpërmjet anëtarësisë në NATO dhe BE.

Pse integristët dalëngadalë e riorientojnë agjendën partiake drejt çështjeve ekonomike? Për një pjesë të analistëve, ky ndryshim është tregues se kontesti me Greqinë për çështjen e emrit, që e kushtëzon edhe anëtarësimin e Maqedonisë në integrimet euroatlantike, nuk mund dhe nuk duhet të jetë çështje për manipulim të votuesve.

“Pasi e panë se koha prej gjashtë muajsh, për të cilën ata premtonin se do ta integrojnë Maqedoninë në NATO, kaloi pa asnjë rezultat, tani duan që vëmendjen e votuesve të tyre ta kthejnë kah aktivitetet ekonomike. BDI-ja e pa se problemi me emrin është “arrë e fortë” dhe se jo vetëm që vetë ajo nuk mund ta zgjidhë, por se deri te zgjidhja do të arrihet vetëm me vullnet dhe angazhim të madh politik të të gjitha partive të vendit, gjithsesi me asistencë të bashkësisë ndërkombëtare. Kompromisi është i domosdoshëm nga të gjitha anët, e jo megalomania”, thotë për Portalb, profesori Selimi.

Një pjesë e analistëve konsiderojnë se BDI-ja paralajmëron ndryshim të agjendës së saj, në një vit kur mund të priten ndarje të theksuara në bllokun politik shqiptar.

“Koalicioni në pushtet e ka çimentuar përparësinë e tij në krahasim me opozitën e dezorientuar dhe pa pengesa vazhdon me politikën e tij. BDI-ja gjithnjë e më shpesh akuzohet nga publiku shqiptar për politikën e saj vazale ndaj DPMNE-së për projekte të ndryshme anti-shqiptare. BDI-ja frikësohet se lëvizja Besa mund të shfrytëzojë këtë kërcënim të Zaevit dhe të fitojë numër të mjaftueshëm mandatesh në dëm të BDI-së. Poashtu edhe blloku opozitar shqiptar do të ndahet me lëvizjen e Zijadin Selës në dëm të PDSH-së”, vlerësoi për Portalb, analisti Jasmin Rexhepi.

Sa do t’i ndihmojë BDI-së “karta” e re që të shmanget nga kritikat për lënien pas dore të problemeve esenciale dhe të përditshme me të cilat ballafaqohen qytetarët pritet të shihet, veçanërisht nëse dhe këtë vit partitë ballafaqohen me votuesit në mejdanin zgjedhor.  /Portalb

Lajme të ngjashme

Një koment

Back to top button