Mes Charlie Hebdo-së dhe Jabllanoviqit

1. Rasti i “Charlie Hebdo”-së aktualizoi ca tema interesante, të fjetura mbase, por  të akumuluara gjithsesi.

Charlie Hebdo, revistë kontroverse që satirizon në bazë të konceptit të vet mbi lirinë e shprehjes, dëshmoi një vetëbesim që kalon në arrogancë duke mos marrë parasysh asnjë kodeks moral apo të ndërgjegjes për mos lëndimin e vlerave të dikujt. Fatkeqësisht kjo i bëri dëm vetë revistës me pasojë fatale në punonjës pas një akti barbar (në rrafshin ekonomik, me tirazh, ndoshta mund t’ia kenë parë edhe hairin kësaj pune).

Tani, si kërpudha pas shiut na u shfaqën çështje si siguria në Evropë, “identifikimi/etiketimi” i terroristëve, rreziku nga të huajt, liria e shprehjes, solidarizimi me të vrarët nën moton “Je suis Charlie/Unë jam Charlie” që më shumë dukej se në vete ngërthente një kompleks për të mbuluar ksenofobinë ndaj jo-evropianëve dhe veçanërisht islamofobinë, se sa një keqardhje të sinqertë për tragjedinë, etj.

Rasti u shfrytëzua nga disa liderë edhe për të dëshmuar se përveç sukseseve në politikë, mund të synojnë edhe çmimin “Oscar”. Shembull ishte Benamin Netanyahu i Izraelit, që përkundër mos ftesës së Presidentit Hollande, kishte vendosur të bëjë show në paradën e Parisit. Për një moment i kishte dalë nga mendja se shteti i tij është vrasës i mijëra civilëve palestinezë. Apo edhe ironia tjetër; Beshar Esadi i  Sirisë, si vrasës i rreth 300 mijë qytetarëve të vet, dënon ashpër aktin në Paris.

Kur flitet për një krim, duhet pasur parasysh edhe rrethanat që e sollën atë dhe jo vetëm analizën shterpe të pasojës. Për ta kuptuar këtë, përveç ligjeve juridike mund të na shërbejnë edhe ligjet e Njutonit.

2. As Jabllanoviqi nuk u kursye nga “shprehja e lirë”. Fjala “divljaci/egërsira” nuk ishte një reagim i çastit siç u mundua të arsyetohet disa ditë më pas. Shqiptarët, dikur “njerëz me bisht”, evoluan së prapthi në “egërsira”. Kjo shpërfaqi edhe njëherë mendësinë e pandryshueshme me ngulm të autoriteteve në Beograd dhe derivateve të tij këtu tek ne.

Dita-ditës po shihet se bisedimet në Bruksel po na paraqiten në formë reperkusionesh të rënda për shtetin tonë. Një Kuvend i zënë peng nga Lista Srpska kur janë në pyetje çështjet jetike politike a juridike,  një Qeveri me disa qendra të vendosjes, vizitat spektakolare të lidershipit nga Serbia, e të tilla gjëra, po tronditin krenarinë tonë shtet-formuese. E sikur të mos mjaftonte asnjëra nga këto, ministri Aleksandar Jabllanoviq, i akomoduar si është më së miri me të gjitha lukset e një qeveritari me kontributet e tatimpaguesve kosovarë që humbën në luftë më të dashurit,  rishfaqet në skenë për të thënë se nuk paskësh dijeni se në Kosovë kanë ndodhur masakra. Kjo tallje publike, kjo prepotencë fashiste, ky mohim i realitetit na bën dyshues ne si qytetarë se kush është zot shtëpie, cili është sovrani i vërtetë dhe nëse Republika e jonë i mbron apo jo interesat e shtetasve të saj.

Besoj se është koha të shohim strukturën e boshtit kurrizor të Qeverisë. Të dimë se a bëhet fjalë për një trup të fuqishëm apo një amebë të pasigurt në ujëra të tjera.

T’i tregojmë edhe botës demokratike se ne dimë të konsolidojmë shtet. Jo përkundër popullit, por me popullin. Andaj, Jabllanoviqi të shkarkohet, por ama, t’i mundësohet  bile një kurs njerëzillëku e pastaj edhe një me leksione historie, qoftë edhe nëse i paguhet nga buxheti i Kosovës. Uroj t’i gjendet ndonjë ligjërues i mirë.

Prizren, 17 janar 2015

Lajme të ngjashme

Back to top button