Reagon Komuna e Çairit ndaj akuzave të “Klubi ELITA”: Nuk bëhet parti me zyre të huaja

Pas akuzave që bëri Kryesia e Shoqatës për Edukim Arsimor dhe Kulturor të Qytetarëve “Klubi ELITA” – Shkup, ndaj zyrtarëve të Komunës së Çairit, në krye me Izet Mexhitin, komuna në fjalë demanton duke thënë se është  përpjekje tjetër për të dalë në sipërfaqe personi që duke u fshehur pas sektorit civil, kërkon të realizojë ambiciet e tij politike.

“Skënder Rexhepi, i ashtuquajtur Zejdi, nuk mund të pretendojë posedimin e zyrave, pronë publike e Komunës së Çairit dhe e qytetarëve të saj, për të kryer veprimtari politike nën mbulesën e sektorit civil. Pas 9 vitesh shfrytëzimi të zyrave, Skënder Rexhepi nuk ka të drejtë të mbajë në uzurpim pronën publike dhe të qytetarëve, në funksion të interesave private dhe politike të tij”, thuhet në reagimin e Komunës Çair.

Nga kjo Komunë po ashtu thonë se janë normale ambiciet politike të gjithsecilit, përfshi këtu edhe ato të Skënder Rexhepit për të qenë kryetar partie, sado që ky i fundit ka karrierë të palavdishme politike, pas dëbimit nga partia e tij e vjetër me akuza të rënda që ai vetë dhe një pjesë e opinionit i dinë më mirë.

“Por për institucionin tonë janë absolutisht të patolerueshme tentimet për të kthyer pronën e qytetarëve, nga zyrë shoqate në mëngjes, në zyrë partie në darkë.  Prandaj, pikërisht sepse marrëveshja për shfrytëzimin e zyrave është shkelur nga organizata në fjalë, duke ia ndryshuar paturpësisht rolin dhe qëllimin objektit dhënë në shfrytëzim, Komuna e Çairit e ka vënë në dijeni atë për vendimin për largim, madje një muaj më herët.  Në vend që Skënder Rexhepi dhe klika e tij të largoheshin nga zyrat ditën që vendosën të braktisnin shoqërinë civile dhe të merreshin me politikë, vazhduan të abuzonin me pronën publike, duke harruar që, ashtu siç në dasmë nuk shkohet me rroba të huaja, nuk formohet as parti politike me zyra të huaja. Aq më pak me ato që u përkasin qytetarëve.  Sektori civil, pa dyshim, do të ketë edhe në të ardhmen mbështetjen e plotë të Komunës, ashtu siç e ka pasur deri tani”, thuhet më tej në reagim.

Lajme të ngjashme

Back to top button