Çfarë po ndodh në Egjipt?

Egjipti njihet si vendi i qytetërimit arab. Çdo egjiptian krenohet me kulturën dhe trashëgiminë kulturore që e posedojnë. Qofshin musliman apo laik, çdo egjiptian krenohet me diçka, muslimanët me xhamitë mija vjeçare, ndërsa laikët me përmendoret dhe historinë e lashtë. Thjeshtë, në botën arabe, të jesh egjiptian, nënkupton të jesh i qytetëruar.

Me rrëzimin e Hosni Mubarakut, analistët nga e gjithë bota parashtronin pyetjen: Çfarë pastaj? Kush do të vijë pas tij dhe si do ta udhëheq një shtet i cili njihet si qendra e lidhjes së Lindjes së Mesme me veriun e kontinentit afrikan, që i ndajnë kufijtë, mirëpo i bashkon feja.

Lëvizja opozitare në Egjipt, e njohur si “Ikhvanul muslimin” (Vëllazëria muslimane) është një ndër lëvizjet më me ndikim në botën arabe. Jo nga fakti se ata kanë ndonjë planprogram për udhëheqje, por arsyeja e ndikimit të madh që e kanë ata, është se në shumicën e rasteve, në krahasim me lëvizjet tjera sunnite, janë më liberal, futen edhe atje ku nuk e lejon feja. Me një përpjekje mbi katër dhjetë vjeçare, lëvizja në fjalë, është munduar që të futet në krye të shumë shteteve, mirëpo, pas gjithë mundimit dhe tentimeve, edhe kur ka arritur në maje, kanë qenë të tradhtuar po nga ai liderë që e kanë përkrahur.[1]

Pas rrëzimit të presidentit të mëparshëm, lëvizja opozitare mori hapat e duhura që në krye të vendit të vije njeriu i tyre, sepse sipas mediave që përkrahen dhe financohen nga lëvizja “Ikhvanul muslimin”,[2] ata ishin “faktori kryesorë” për rrëzimin e presidentit, edhe pse kjo aspak nuk është e vërtetë, sepse si në Tunizi, ashtu edhe në Egjipt, pakënaqësia dhe revolti ka filluar nga qytetarët që nuk kanë qenë të përzier në asnjë lëvizje, duke e pasur parasysh faktin se në Tunizi, arsyeja kryesore e fillimit të “Pranverës arabe”, ishte njeriu i cili dogji veten e tij, e pastaj filluan edhe protestat masive[3], ndërkohë që lëvizja “Ikhvanul muslimin” vetëm ka shfrytëzuar “rastin” që e gjithë situata të shkojë në favor të tyre. Kjo edhe ka ndodhur në Tunizi, Libi dhe Egjipt.

Duke e pasur parasysh se lëvizjet që janë “pro xhihadike”, në statutet e tyre lexohet qartë se “Nuk ka zbatim të Sheriatit nëpërmjet demokracisë”, lëvizja në fjalë ka shfrytëzuar gjithë situatën dhe kështu, në Libi, tjetër kush luftoi[4], siç ishte lëvizja selefiste “Ansar al-Sharia”, ndërsa tjetër kush u fut në krye të shtetit, apo thënë me gjuhën fetare: Njëri sevap, tjetri qebap.

Nga vetë e kaluara, shumë analist arab kanë pritur se gjithë revolucionin do ta tradhtojë lëvizja “Ikhvanul muslimin”, sepse me vetë rrëzimin e presidentit Mubarak, pritej që të dalin me kandidat të tyre, pa marrë parasysh se me çfarë ligji dhe kushtetute sundohet Egjipti. Por, tradhti nuk është pritur nga lëvizjet selefiste, të cilat çdoherë kanë qenë kundër ideologjisë së “Ikhvanul Muslimin” dhe kanë kritikuar çdo veprim të tyre, qoftë në Afrikën Veriore, por qoftë edhe në Lindjen e Mesme. Doli e kundërta, partia selefiste “Hizbu-Nur”, përkrahu kandidatin e lëvizjes “Ikhvanul Muslimin”, me çka edhe i fituan zgjedhjet dhe Mohamed Morsi, u emërtua si presidenti i ri i Egjiptit.

Armiku më i madh i lëvizjes “Ikhvanul Muslimin”, apo thënë ndryshe, konkurrenca e tyre, Mbretëria e Arabisë Saudite, të cilat, si lëvizja, po ashtu edhe mbretëria, përkrahen nga SHBA-ja, filluan me bojkotimin e Egjiptit që pastaj nëpërmjet propagandës mediatike, Morsi të gjen rrugëdalje tjetër, me çka, filloi bojkotimi i furnizimit me naftë dhe nga mos pasja e ndonjë rrugëdalje tjetër, Morsi filloi bisedimet me armikun e sunnive në botën arabe, Iranin, që tek sunnitë shihet si një problem tepër i madh, i rrezikshëm dhe tradhti.

Edhe pse, thënë ka del shpirti, gjatë udhëheqjes së Egjiptit në krye me presidentin Mohamed Morsi, ka pasur disa përparime në aspektin fetar, shumë hoxhallarë që kanë qenë kundër Mubarakut, janë liruar nga burgu, duke futur këtu edhe gazetarë, analistë dhe kritikues të tjerë që kanë qëndruar në burg me dekada, mirëpo, nga aspekti ekonomik, Morsi nuk ka lëvizur, e gjatë mos lëvizjes së tij, kanë punuar armiqtë e tij me propagandë se ai nuk meriton të jetë në krye të vendit. Arsyeja e dytë është feja, me ardhjen e tij në krye të vendit, praktikimi i fesë ka qenë më i lirë, deputetë kanë thirrur ezanin[5] në mes të parlamentit, me çka edhe filloi edhe revolti i laikëve, të cilët asnjëherë nuk kanë dashur ta pranojnë realitetin se Egjipti është një ndër vendet më të flakta për fenë Islame dhe asnjëherë nuk mund të jetë një vend me laicizëm të plotë.

Lëvizja selefiste “Hizbu-nur”, e cila thuajse në mënyrë indirekte çdoherë ka anuar kah politika e Arabisë Saudite, ishte e pakënaqur me politikën e Morsit, me çka erdhi edhe deri tek grusht shteti, duke përkrahur ushtrinë egjiptiane kundër tij, e gjithë kjo ndodhi me parollën e tyre “se dëshirojmë mirë”, edhe pse doli e kundërta, sepse menjëherë pas rrëzimit të presidentit Morsi, filluan vrasjet e civilëve të pafajshëm me çka lëvizja selefiste u distancua nga veprat e ushtrisë, por ishte tepër vonë.

Rrëzimi i Mohamed Morsit, tek analistët arab shihet si luftë ndaj fesë Islame, këtë nuk e thonë vetëm ata, por e thonë edhe shumica e protestuesve, të cilët gjatë intervistave për media të ndryshme, kanë thënë se në protesta kanë dalë për shkak fesë Islame, sepse ushtria dëshiron zhdukjen e fesë Islame.

Në krye me presidentin Morsi, rrezikohej Izraeli, që në mënyrë dinake përzihet në çdo politikë të vendeve arabe. Nga fakti se gjatë kohës kur Morsi ishte në krye të vendit, kufiri i Izraelit është sulmuar disa herë, ndërsa nga ana tjetër e kufirit ku lëvizjet opozitare në Siri korrin fitore të përditshme, Izraeli vije në një situatë ku nuk mund ta mbrojë vendin e vjedhur, të plaçkitur nga palestinezët dhe tradhtarët arab, tregon qartë se gjenerali i ushtrisë, Al-Sisi ka pasur kontakte direkte me Izraelin për rrëzimin e Morsit, ndërsa lëvizja selefiste me naivitet ka përkrahur çdo vepër të tij (gjeneralit al-Sisi), derisa filloi të derdhet gjaku i qytetarëve të revoltuar nga grusht shteti.

Me ngjarjet e fundit, ku sipas mediave egjiptiane, thuhet se mbi 4000 janë të vrarë dhe mbi 11.000 të plagosur, do të dëshmohet ajo që e ka dëshmuar historia. Çdoherë kur mbi një popull bëhet presion dhe vrasje, nga aty dalin edhe lëvizje rezistuese, të armatosura dhe të revoltuara. Thuhet se faktori kryesor për ekzistimin e “terrorizmit” është presioni dhe varfëria, ndërsa këto dy faktorë, ekzistojnë në popullin egjiptian, edhe pse Al-Sisi mendoi se me vrasjen e civilëve të pafajshëm, do të futet frika dhe do të anulohen protestat, por doli e kundërta, tash kur e shkruaj këtë shkrim, lexoj se protestuesit kanë bërë thirrje në mobilizim, me çka situata edhe më tepër vështirësohet, ndërsa nuk dihet fati i gjithë vendit.

Vendet ish-komuniste në botën arabe, ende nuk mund ta kuptojnë rizgjimin e rinisë arabe, ende nuk mund ta kuptojnë se ata dëshirojnë praktikimin lirshëm të fesë islame, e jo siç ka ndodhur në të kaluarën kur në Tunizi, gjatë sundimit të Ben Aliut, nuk kanë mundur të dalin të falen në faljen e mëngjesit, sepse shërbimet sekrete menjëherë i kanë marrë në pyetje, apo gjatë sundimit të Hosni Mubarakut, kur automjetet policore kanë qëndruar në dyert e xhamive, menjëherë pas daljes nga xhamia, të gjithë falësit janë marrë në pyetje.

Ata nuk mund ta pranojnë realitetin e popullit të tyre, se ata e duan praktikimin e fesë, e duan atë që ju mungonte plotë një shekull dhe se vetëm nëpërmjet dëshirave të tyre, mund të arrihet paqja.


[1] https://www.fas.org/irp/world/para/mb.htm

[2] Siç janë worldbulletin.net, mesazhi.com etj.

[3] http://en.wikipedia.org/wiki/Tunisian_revolution

[4] http://en.wikipedia.org/wiki/Ansar_al-Sharia_(Libya)

[5] http://www.youtube.com/watch?v=ETeSE5zvLgo

Lajme të ngjashme

Back to top button