Hanis Bagashov: Puno, luaj dhe kënaqu! (Intervistë)

Hanisi është 15 vjeç dhe deri tani ka shkruar skenar dhe ka qenë regjisor i disa filmave. Sot ai hapëron drejt suksesit me hapa të sigurt. Tetova do të krenohet me suksesin e Hanisit në të ardhmen. Lexojeni dhe shpërndajeni këtë intervistë për të motivuar edhe të tjerët!

Intervistoi: Venhar Ramadani

Hanis, ju keni qenë regji filmash, keni aktruar nëpër filma dhe në teatër, keni patur ekspozita me fotografi dhe gjithashtu jeni të nominuar e keni fituar çmime të ndryshme. Si është e mundur e gjithë kjo?

H.Bagashov: Me punë, edhe pse shpesh këtë fjalë e zavendësoj me “lojë”. Kur një njeri punon diçka dhe e shikon si lojë, domethënë se ai kënaqet, argëtohet me atë.

Filma në regji dhe skenar të Hanis Bagashov janë Blind (2014), Compass (2013), Film për 28 Nentorin-projekt shkollor (2013), Will and Money (2013), 1 denar (2012), Victory (2012). Sa veta i kanë ndjekur këto filma dhe ku janë prezentuar këto filma?

H.Bagashov: Sa veta nuk e di edhe nuk mund ta di, pasi që jane të publikuara. Disa nga to kanë pasur promovime-premiere dhe kanë qenë pjesemarrës në disa festivale këtu dhe jashtë. Filmi Blind i cili është xhiruar në vitin 2013, kur i pata 13 vjet, ishte pjesëmarrës në festivalin Catskill Mountains Film Festival në New York, SHBA dhe pjesë e programit për orët e media kulturë në disa shkolla fillore dhe të mesme në Tetovë dhe Shkup, për shkak të tematikës. 1 Denar ka qenë pjesëmarrës në Tetova International Film Festival Oda 2 dhe një në Online Film Festival me qendër në Indi.

Fitues i çmimit Best New Talent në festivalin e filmit Oda-Tetovë, 2013, i nominuar për çmimin Milingona e Artë 2013 dhe vend i dytë në Maqedoni në kategorinë e video teknikës në vitin 2014. Ku buron fuqia juaj?

H.Bagashov: Hmm…Aristoteli ka thënë se shpresa është një ënderr e zgjuar. Me siguri këtu buron fuqia ime.

Çfarë momenti ju duhet për të krijuar?
H.Bagashov: Momenti i lirisë.

Edhe pse je shumë i ri çfarë gjërash keni mësuar në jetë për këto vite?

H.Bagashov: Kam mësuar se duhet gjithë jetën të mësoj. Mendoj se kjo është baza e të gjithëve.

Nga e merr inspirimin kur dëshiron të bësh dicka?

H.Bagashov: Kryesorja është njeriu të dëshiron gjithmon të bën diçka, ashtu vjen edhe inspirimi. Ashtu mund të inspirohet nga çdo gjë në jetë. Personalisht e praktitkoj këtë, shikoj në çdo gjë, si objekt inspirues.

Si e përshkruani punën tuaj, a jeni i dhënë pas punës dhe a është e vështirë të mbani këtë tempo pune?

H.Bagashov: Në jetë ka kohë për gjithçka! Fjalinë “nuk kam kohë” e përdorin njerëzit dembel. Për çdo gjë ka kohë, vetëm duhet menaxhim i mirë të saj dhe energji. E dini, Konfuçi ka thënë Gjeje punën çka e don dhe nuk do te kesh asnjë ditë punë. Unë nëpërmjet krijimit të veprave artistike relaksohem (për atë shërben arti), prandaj nuk e shof atë si lodhje dhe vështirësi. Askush nuk më forcon ta bëj atë çka jam duke e bërë.

Nga mendoni se vinë qartësia e vizioneve tuaja?

H.Bagashov: Mendoj se nga ndjekja e njerëzve të mëdhenj botëror. Bota ka plot art dhe me rëndësi është të mos kufizohemi në vendin ku jetojmë.

A je perfeksionist?

H.Bagashov: Perfeksionizmi është gjë relative! Gjithçka është perfekte në mënyrën dhe pikëpamjen e vetë. Mundohem të punoj instiktivisht dhe të mos kufizohem vetëm në një ide. Domethënë se në një mënyrë jam kërkues i “perfektes”. Nuk bazohem çdo herë në planin e krijuar më para.

A bëni shumë përgatitje para çdo projekti apo i besoni spontanitetit?

H.Bagashov: I besoj spontanitetit pasi zakonisht aty lindin idejat më të mira, por çdo punë kërkon disciplinë. Prandaj nuk mund të bëhet gjithçka pa ndonjë përgatitje, veçanarisht nëse bëhet fjalë për filma.

Si i merrni kritikat? Si mund të ndikoj kritika në punën tuaj?

H.Bagashov: Me interesim dhe kënaqësi dua ti dëgjoj, jam i hapur për sugjerime dhe kritika. Nuk ka rëndësi a do ti zbatoj të gjitha, kryesorja është ti “vjedh” anët pozitive të tyre.

Çfarë mësimi jetësor aktualisht jeni duke mësuar?

H.Bagashov: Tani jam në moshë kur krijohem si person dhe pikërisht ky është mësimi.

Cili është filmi juaj i preferuar?

H.Bagashov: Kjo është një pyetje e rëndë. Ka shumë filma të mirë kjo botë dhe nuk është mirë të bëhen kualifikime. Por, sidoqoftë, do ta ndaj Amadeus nga Milos Forman, si një i veçantë. Është një film gjenial, jashtzakonisht i pasur në të gjithë aspektet, siç është edhe vet regjisori, Milos Forman.

Çfarë libri lexoni për momentin dhe cili është libri juaj i preferuar?

H.Bagashov: Për momentin jam duke lexuar Emaus nga Aleksandro Bariko. Nuk kam libër të preferuar…por libri i fundit që e lexova është Roshalde nga Herman Hesse dhe më la përshtypje të mirë.

Çka mendoni për televizionin si media? Si mund të rinjët të zhvillohen nëpërmjet programeve televizive?

H.Bagashov: Varësisht nga programi, nga materijali i cili e ofron për shikuesit. Ekzistojnë programe botërore të cilët vlejnë të shikohen, por numri më i madh dhe më i shikuar (veçanarisht tonët) nuk vlejnë për asgjë, posaçërisht nëse bëhet fjalë për zhvillim të mirë tek të rinjtë. Nuk mund të pritet zhvillim të mirë, nëpërmjet serialeve turke të cilët shkojnë gjithë ditën nëpër programe. Prandaj, mund të thuhet se edhe më mirë është të mos shikojmë aspak, ti ikim manipuleve.

A mendoni se prindërit kanë patur ndikim në karrierën tuaj? A duhet të rinjtë të konsultohen me prindërit për hapat në karrierë?

H.Bagashov: Po, sigurisht që po. Njeriu është i krijuar të bashkëpunoj, të jëtoj bashkë me tjerët. Në këtë kohë, në kë botë, prindërit janë njerëzit më të sinqertë dhe më shpirtmirët të cilët mund ti gjen njeriu.

Kjo intervistë është bërë nga vizione.info dhe Portalb.mk i ka të gjitha të drejtat e publikimit të intervistës, sipas marrëveshje së arritur mes palëve. Për më shumë intervista, ndjekni VIZIONE në rrjetet sociale.

Lajme të ngjashme

Back to top button