Pse luftojnë shqiptarët në Siri?

Pothuajse nuk kaloi asnjë javë gjatë muajit të fundit pa ndonjë lajm për vrasje të luftëtarëve shqiptarë në Siri. Ndërkohë që nuk dihet saktë sa luftojnë në këtë vend të largët, mediet supozojnë që ka disa qindra myslimanë nga shtete të ndryshme evropiane.

Fatkeqësisht për popullatën e dërmuar, ka pak gjasa që kjo luftë civile të ketë një përfundim të shpejtë. Pas dështimit të përpjekjeve për zbutje të Kryetarit Bashar al-Asad, lufta shkallëzohet si garë mes hegjemonëve rajonalë, ku vendet shiite nën udhëheqjen e Iranit ballafaqohen me shtetet sunite, të kryesuara nga Turqia dhe Arabia. Qeverisja e pakicës së alavitëve, të cilës i takon familja Asad, rrezikohet seriozisht nga shumica sunite (75%), ndërkohë që në nivel gjeostrategjik përplasen shumë interesa – amerikane, ruse dhe kineze, si dhe ato izraelite, turke, arabe dhe egjiptase.

Në një hartë kaq të koklavitur, përshkallëzimi i konfliktit në Siri mund ta ndez flakën në mbarë rajonin e gjerë, deri në Ballkan, duke e marrë parasysh që në Turqi llogaritet të jetojnë rreth 15-20 milionë alavitë, të afërt me shiitët në Lindjen e Mesme. Për ilustrim, kombinimi etnik dhe fetar në Siri është shumë më i komplikuar se në ish-Jugosllavi, ku përveç ndarjes intra-islame ka edhe pakica krishtere dhe të tjera, që përbëjnë rreth 10% të popullatës në vise të ndryshme të vendit. 

Në frikë të përsëritjes së Afganistanit, rritja e pranisë së luftëtarëve me ideologji fetare shkakton tmerr tek amerikanët dhe evropianët, duke e zhbërë mundësinë e mbështetjes ushtarake pro-opozitare. Kështu, vetë rreziku për krijimin e një zone të al-Kaidës në Mesdhe i përgjigjet drejtpërdrejtë regjimit të Asadit, që shfaqet si alternativë ndaj ekstremistëve. Andaj, nëse janë të vërteta raportet që shqiptarët rreshtohen përkrah grupeve si al-Nusra, e lidhur me al-Kaidën terroriste, ata në fakt vetëm se e dëmtojnë idenë e opozitës siriane, që vështirë mund të mbijetojë pa ndihmë perëndimore. 

Preteksti tjetër për pjesëmarrjen e shqiptarëve, së bashku me atë fetar, lidhet me ekzistimin e pakicës shqiptare në Siri prej rreth 10-15.000 të mbetur aty pas rënies së Perandorisë osmane. Pavarësisht faktit se ata janë pjesë e kombit, nuk dihet nëse të gjithë rreshtohen përkrah ose kundër Asadit. Mbi të gjitha, vështirë besohet skenari i solidaritetit kombëtar për bashkëkombasit e harruar, kur indoktrinimi ekstrem predikon me verbëri se feja është mbi kombin, e shprehur përmes mohimit të pacipë të figurës madhështore të Nënës Terezë dhe Skënderbeut, madje edhe ideve të shqiptarisë.

Për një popull që përjetoi gjenocid para vetëm katërmbëdhjetë viteve, me kujtime të freskta të ekzodit dhe masakrave në Kosovë, pjesëmarrja në një luftë të largët civile është zhgënjyese. Të huajt i bashkëngjiten luftimeve për agjenda të veta, si që i kemi parë mercenarët rus dhe ukrainas, të cilët luftonin kundër shqiptarëve autoktonë në emër të fundamentalizmit pan-ortodoks. Sot, disa shqiptarë frymëzohen nga urrejtja e shiitëve, luftë kjo për dominim intra-fetar që nuk i ka sjellë asgjë të mirë njerëzimit. Al-Nusra dhe grupet tjera ekstreme – në cilëndo anë qofshin dhe pavarësisht gjatësisë së mjekrave – nuk luftojnë për qëllime iluministe. Përkundrazi, ato përkushtohen qartë për krijimin e një shteti strikt islamik, që bie ndesh me natyrën e dëshmuar tolerante të shoqërisë së moçme siriane. 

Ne nuk kemi asgjë të përbashkët me idetë e këtilla, që mbeten pa u ballafaquar nga shoqëritë në Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri. Ekstremet fetare dhe besimet absolutiste, kudo qofshin, nuk njihet të kenë sjellë paqe dhe progres. Problemi rrjedhojë vetëm se shtohet me heshtjen tonë kolektive, maskimin e treguesve problematikë dhe intrigat e strukturave rajonale të zbulimit që luajnë lojë të dyfishtë për t’i etiketuar shqiptarët si anti-perëndimorë dhe pjesë e “transversales së gjelbër”.   

Si që dëshmohet nga përvoja e kaluar, luftëtarët që e mbijetojnë ideologjike fetare nuk kthehen në shtëpi për të jetuar si qytetarë të sjellshëm, por e vazhdojnë betejën kudo që ka hapësirë për vazhdimin e misionit të dështuar. Kjo është pikërisht arsyeja se pse duhet vepruar fuqishëm kundër këtij frymëzimi, që kërkon tokë pjellore në çdo vend me krizë shoqërore dhe ekonomike. 

Si shqiptarë, nuk duhet të harrojmë që lufta në Kosovë fitoi përkrahje vendimtare amerikane edhe falë bllokimit të ndikimit fundamentalist mbi përpjekjen çlirimtare shqiptare. Nëse ne i shpëtuam farosjes falë bashkimit tonë kombëtar dhe ndërhyrjes së fuqive perëndimore, si arsyetohet lufta për diçka që është diametralisht e kundërt? Zëvendësimi i civilizimit sirian dhe kulturës mijëvjeçare me idetë primitive të shteteve fetare nuk i bën nder as të shtypurve sirianë nga regjimi, aq më pak shqiptarëve të cilët janë shquar për kontributin e tyre në historinë dhe jetën bashkëkohore siriane.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mkTë drejtat e publikimit i kanë vetëm © Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button