Telegramet e Ali Ahmetit

Veprimi i qëndrueshëm politik me koherencë dhe rrjedhshmëri logjike, paraqitet si virtyt jetik i politikanëve largpamës me ideale të paracaktuara dhe të definuar mirë.

Ato që e njohin hollësisht veprimtarinë politike të Ali Ahmetit, e kanë lehtë të konstatojnë me përgjegjësi morale se pikërisht politika e ndjekur nga ai përmban elementet e një politikani të urtë, vizionar dhe syçelë. Kur përmendet  veprimtaria politike e tij, merret para sysh periudha nga vitet e me hershme, qysh si student në Prishtinë dhe pastaj si një nga veprimtarët kryesor të aktiviteteve të mërgatës shqiptare. Ahmeti paraqitet si njëri nga pishtarët e plejadës së veprimtarëve politik të diasporës shqiptare në fundshekullin e kaluar dhe tani, dhe fal veprimtarisë së kësaj plejade sot pozicioni i shqiptarëve në Ballkan ka ndryshuar rrënjësisht. Njerëzit që patën rastin të ndjekin nga afër qasjen e tij në politikë, tani pas më se 30 vite mund të japin një vlerësim shumë objektiv për veprimtarinë e tij politike. Veprimet e tij të fundit, sa i përket çështjes së tejkalimit të kontestit rreth emrit me Greqinë, ngjajnë aq  shumë me veprimet e tij të mëhershme në ilegalitet.

Pretekst për këtë krahasim mes etapash dhe qasjesh, peticionet dërguar dje dhe letrat dërguar sot në qendrat diplomatike të Evropës dhe Botës. Në kujtesën tonë të freskëta janë qindra dhe mijëra peticionet e mërgatës shqiptare në kohën e Ish Jugosllavisë, drejtuar konsujve dhe qendrave diplomatike gjithandej Brukselit, Gjenevës, Bonit,, Parisit, Romës gjetiu. Një nga promotorët kryesor ishte Ali Ahmeti, kurse kërkesat ndërlidheshin me statusin e pazgjedhur të shqiptarëve në ish federatën jugosllave. Sot kemi një veprim po aq identik dhe me qëllime po aq identike.

Nisen me nënshkrimin e tij mbi 100 letra drejt qendrave diplomatike të Evropës dhe Botës, realizohen një serë takimesh në seli të rëndësishme të politikës ndërkombëtare dhe vendase ku kërkohet mbështetje për zgjidhje të kontestit mes Maqedonisë dhe Greqisë, dhe si rezultat, edhe ç’bllokimin e procesit të euro integrimeve të Maqedonisë. Veprimi politik i Ali Ahmetit nuk ka ndryshuar aspak ndoshta edhe nga fakti se ka të bëjë me pushtetarë me mentalitet dhe ideologji të njëjtë si në garniturën e kaluar të ish federatës jugosllave, ashtu edhe të pushtetarëve aktual të Maqedonisë.

Si pasojë e qasjes së tillë destrkutive të politikës sllave, shpërthyen tre luftëra lavdie të shqiptarëve. Ali Ahmeti sot nuk bënë gjë tjetër veçse apelon dhe sensibilizon opinionin diplomatik ndërkombëtarë, mbi një gjendje delikate që kërkon zgjidhje, duke siguruar e trasuar kështu një kahje të qëndrueshme  politike të shqiptarëve të Maqedonisë, me aprovim dhe bekim të politikës ndërkombëtare. Në politikë jo çdoherë proceset vijojnë ashtu siç planifikohen e maten. Fuqia politike e tij për momentin është fokusuar në procesin e euro – integrimeve të Maqedonisë, dhe jo vetëm. Një rrugë të tillë e kanë përqafuar fuqishëm edhe shqiptarët e Kosovës, Shqipërisë dhe gjithandej. Nëse shikohet me hollësi kjo qasje, s’do mend se mes faktorit politik shqiptar ekziston një koordinim. Politikat e Ali Ahmetin nuk kanë pasur qasje lokale, bie fjala vetëm për shqiptarët e Maqedonisë. 

Veprimi politik i tij, vazhdimisht ka konsistuar me linjën e politikës kombëtare të  Tiranës dhe Prishtinës zyrtare. Kjo flet se misioni dhe qëllimi i shqiptarëve është një, i vetëm dhe i përbashkët. Pasqyrë për këtë ishte manifestimi për 100 vjetorin e pavarësisë së shtetit shqiptar në Shkup, nga ku mesazhet e veta i dhanë kryeministrat e Kosovës dhe Shqipërisë, por edhe kryeministri i shqiptarëve të Maqedonisë.  Politika në vete paraqet një sfidë që kërkon persona sfidues me kuptimin e plotë të fjalës, që të arrihet deri tek caku. Rruga politike për të arritur deri te qëllimet e definuara, paraqet një drejtim të pjerrët me zbatica të shumta. Ndodh edhe të mos kuptohesh mirë dhe drejtë në momente të  caktuara, por koha është shqisa më e mirë që sheh të vërtetën dhe nxjerr në pah qëllimin e mirë.

Në politikë kërkohet durim, dhe ky durim mund edhe të merr haraçin e vet. Disa nga bashkëveprimtarët e Ali Ahmetit në momente të caktuara ndoshta dhe janë distancuar nga veprimi i tij politik, por koha ka qenë ajo ata sërish i ka kthyer në fronin e vjetër. Një dukuri që shoqëron realitetin politik të shqiptarëve të Maqedonisë, është fakti se shqiptarët e këtushëm tashmë mbi 10 vite po mbështesin fuqishëm politikën që ndjek Ali Ahmeti në mënyrë plebishitare. Kjo flet se shqiptarët e kanë kuptuar drejtë misionin dhe politikat që udhëheq Ali Ahmeti, dhe fundin e këtij misioni ia kanë besuar vetëm atij.  

Lajme të ngjashme

Back to top button