Tetovë: Ndotja e ajrit në nivel alarmant

Ajri i ndotur po ngulfat shumë qytete të vendit. Të dhëna alarmante vijnë nga Tetova, Kërçova dhe Shkupi. Në Tetovë ndotja e ajrit ka arritur maksimumin e mundur, duke shënuar kështu 1000 mikro gram grimca PM10 për një metër kub. Aktivistë të shoqatës ‘EcoGuerilla’ madje këtë e cilësojnë si helmim dhe jo ndotje. Xhelal Neziri nga kjo Organizatë thotë se nëse ministri i ekologjisë nuk mund të detyrojë metalurgjikun e Jugohromit të vendos filtra, atëherë ai duhet të dorëhiqet.

‘Të jesh në një ambient ku niveli i ndotjes është 18 deri në 20 herë më i lartë se sa i lejuari atëherë më nuk bëhet fjalë për ndotje – ky është helmim. Nëse ministri i ekologjisë është i pafuqishëm që ta detyrojë një kombinat të thjeshtë  që të vë filtra dhe të mbrojë shëndetin e 340 000 qytetarëve që jetojnë në këtë rajon atëherë hapi më i logjikshëm në këtë rast është dorëheqja. Ne në të ardhmen do të kërkojmë edhe më zëshëm edhe dorëheqjen e ministrit nëse ai nuk merr hapa konkret që këtë helmues të madh të qytetarëve ta detyrojë të vendos filtra’, tha Xhelal Neziri – ‘Eco Guerilla’.

Nga ‘Eco Guerilla’ shfaqin dyshime për marrëveshje të fshehtë Qeverisë dhe Jugohromit.

‘Bëhet fjalë për një pafuqi totale të ministrit të ekologjisë Nurhan Izairi. Shteti qeveria dhe ministri i ekologjisë heshtën dhe kjo heshtje është shumë misterioze dhe një ditë do të vijë kohë që të gjitha marrëveshjet ndër tavolinë të dalin në shesh. Unë mendoj se vazhdimi i lejes së punës pa filtra ka një prapavijë që ne vetëm mundë të supozojmë se çmundo të jetë, mundë të jetë marrje me kontrata jo ligjore, dhe për këtë një ditë dikush duhet të jap përgjegjësi’, deklaroi Xhelal Neziri – Eco Guerilla.

Nga kjo organizatë paralajmëruan se protesta e paralajmëruar kundër ndotjes së ajrit, para qeverisë dhe ministrisë së Ekologjisë do të mbahet muajin e ardhshëm./alsat-m

Lajme të ngjashme

Back to top button