Terrorizmi nuk ka as fe dhe as etni

Nga Dionis Xhafa
 
Ekziston një paragjykim jo pak i gabuar se terrorizmi lidhet më së shumti me disa zona gjeografike të botës, me etni apo me një fe të caktuar. E vërteta është se terrorizmi, ngjarjet që lidhen me të nuk kanë asgjë të përbashkët me kulturën dominuese të një shoqërie të caktuar ku ajo shfaqet.

Arrestimi i një serbi me lëndë eksplozive
Në “përballjen” serbo-shqiptare kur është fjala për terrorizëm, në të shumtën e rasteve kanë qenë serbët ata që kanë hedhur akuza ndaj shqiptarëve, duke i cilësuar si “terroristë”. Është jo pak dramatike se ka raporte që dëshmojnë se edhe sot, 17 vjet pas luftës, sa herë bëhet fjalë për një shqiptar të arrestuar në Luginë të Preshevës, ai cilësohet jo rrallë si “terrorist”.
Kështu, në mënyrë të vazhdueshme serbët, sikundër shumica e sllavëve i kanë etiketuar shqiptarët në masë si “terroristë”, në jo pak raste edhe kur nuk kanë patur prova se vërtetë ata kanë kryer akte të mirfillta terroriste, por thjesht nisur nga etnia dhe feja. Një etiketim i këtillë është një paragjykim i pastër, që nisur nga urrejtjet etnike që ekzistojnë akoma në gadishullin ku jetojmë, nga shumica e sllavëve merren edhe të mirëqëna.

Arrestimi i një serbi në Prishtinë me lëndë eksplozive në makinën e tij nën dyshimin se këtë lëndë do ta shpërthente në ndonjë godinë të rëndësishme në Prishtinë, përbën gjithashtu një rast të pastër dyshimi terrorizmi.

Ky rast është dëshmia më e qartë se terrorizmi nuk ka lidhje as me etninë dhe as me fenë, por me veprimin të cilin e kryen personi.  
 
 Terrorizmi dhe bota 
Në epokën globale që po jetojmë njerëzimi po përqafon vlerat humane të paqes dhe injoron krimin si gjënë më të përbindshme. Kur është fjala për terrorizëm, shtetet pavarësisht asaj se çfarë përkatësie etnike apo fetare kanë shtetasit e vet bëhen bashkë kundër së keqes së përbashkët.
 
Rasti më kuptimplotë që përfaqëson një të vërtetë të tillë është ai ku disa shtete të kryesuara nga SHBA-ja janë bërë bashkë kundër ISIS, si organizatë terroriste, duke parë si të përbashkët luftën kundër kriminalitetit.
 
Siç citon Popper, me qëllim që paqja të triumfojë në botë, e justifikuar është edhe lufta për ta arritur këtë paqe, mjaft që pasojat të jenë sa më minimale.

Lajme të ngjashme

Back to top button