Do bëhet në mot

Njëqind e ca vite më parë viseve shqiptare ju ra kryq e tërthor një udhëpërshkruese e famshme britanike, zonjusha Edith Durham. Mikja e njohur e shqiptarëve, “mbretëresha e pakurorëzuar e Malësisë” siç e quanin në atë kohë, la dëshmi të vlefshme për jetën e përditshme të shqiptarëve anembanë në fillim të shekullit të kaluar. Edhe sot e kësaj dite studimi i veprave të saj, gjashtë librave të shkruajtur për shqiptarët, përbën material interesant për studim të historisë. Dhe për dallim nga historia apo shkencat tjera shoqërore që studjojnë të kaluarën, e të cilat merren me pamjen e përgjithshme, veprat e udhëpërshkruesve si zonjusha Durham kanë vlerë të madhe sepse tregojnë jetën e njeriut të thjeshtë, në mikro-nivelin më të vogël të mundshëm. E shpesh kjo tregon më së miri situatën e pëgjithshme në një kohë e në një vend.

Kontribut më të madh Edith Durham padyshim dha në lëminë e etnografisë shqiptare. Ajo evidentoi dhe popullarizoi nëpër botë të gjitha tiparet e rëndësishme të shqiptarëve të kohës, doket e zakonet e tyre. Por kur lexon veprën e saj nuk mund e të mos vëresh dhjetëra e qindra përshkrime të tjera që kanë të bëjnë edhe me gjendjen ekonomike e sociale në vend. Përveç gjërave pozitive si besa apo mikpritja shqiptare, Durham nuk la pa shënuar dhe evidentuar me kujdes edhe varfërinë e përgjithshme, analfabetizmin, vetëdijen e ulët dhe në përgjithësi nivelin tejet primitiv të organizimit shoqëror.

Një lexim me kujdes i veprës do të tregojë më së miri se pse ishte kështu. Faji nuk ishte edhe gjithaq i shqiptarëve; atyre askush nuk ju kishte krijuar kushte të dalin nga prapambeturia dhe varfëria e skajshme. Çdokund në udhëtimet e Durham ndeshen probleme të njëjta. Në Korçë pritnin t’u ndërtohej rruga që do t’i lidhte me botën, në Tepelenë të rindërtohej një urë që kishte 20 vite që ishte prishur, në Vlorë të rikonstruohej limani, në Elbasan një kanal i vogël ujitje, në Shkodër hekurudha e kështu me rradhë. Dhe gjithkund njerëzit kishin të njëjtën shpresë të rrejshme: “Na kanë thënë se do bëhet në mot”.

Në ndërkohë kishin kaluar dhjetëra mote, e shqiptari akoma nuk mundej të punonte fushën si duhet, nuk mund të udhëtonte lehtë, nuk mund të plasonte mallin në tregje e kështu me rradhë. Më vonë shqiptarët varën shpresat te xhonturqit, që premtuan pikërisht këto gjëra në këmbim të përkrahjes për revolucionin e tyre, por që dolën të rrejshëm poaq sa gjithë pushtetet tjera para tyre. “Na kanë thënë se do bëhet në mot” u përsërit pambarim, derisa në fund u prish e gjithë perandoria osmane dhe nuk u bë asgjë, as sivjet e as në mot.
Dje në Maqedoni u festua 12-vjetori i Marrëveshjes së Ohrit. Pushteti si çdo herë nuk pritoi të festojë datën me gjithë pompozitet, vizita dëshmorëve, konferenca, mburje mediatike e manifestime tjera të ndryshme. Por përtej kësaj perde fiktive që shërbeu sa për të errur sytë, është e vështirë mos vëresh se në esencë gjendja e shqiptarit sot nuk është gjithaq e ndryshme nga ajo që përshkroi Edith Durham para njëqind viteve. Edhe sot, si atëherë, fraza që përshkruan më së miri qëndrimin e pushtetit ndaj qytetarit të thjeshtë është “do bëhet në mot”. Natyrisht sot ajo formulohet dhe zbukurohet me fraza moderne, si “po bëhet studimi i fizibilitetit”, “ka një komision që merret me çështjen”, “janë formuar grupe punuese”, “do parashikohet me rebalancin e buxhetit”, “është nënshkruar marrëveshja po do kohë të realizohet” e të tjera. Mirëpo në esencë në terren nuk ndryshon kurgjë. Përveç një pjese autostrade Shkup-Tetovë-Gostivar që është ndërtuar 15 vite më parë, pra para Marrëveshjes së Ohrit, në viset shqiptare në Maqedoni nuk është ndërtuar më as edhe një copë infrastrukture e rëndësishme. Urat, rrugët, hekurudhat, kanalet e ujitjes janë të gjitha të kohës së Titos. As pas njëzet viteve demokracie situata e qytetarit nuk është përmirësuar, madje mund të thuhet se ai është varfëruar edhe më tepër. Dhe ashtu si revolucioni xhonturk që premtoi dhe nuk realizoi, dymbëdhjetë vite pas “revolucionit”  të 2001 dhe Marrëveshjes së Ohrit të krijohet përshtypja se asgjë nuk ka ndryshuar. Ngado që të shkosh dhe me cilindo të flasësh, do të dëgjosh po të njëjtën fjali që thoshin shqiptarët këtu e njëqind vite më parë: “Na kanë thënë se do bëhet në mot!”

E megjithatë mes kohës së sotme dhe asaj të Edith Durhamit ekziston një dallim i madh. Shqiptari i asaj kohe jetonte në një perandori ku nuk kishte mekanizma të kontrollit të pushtetit. Ai ishte i paarsimuar sepse atëbotë nuk kishte shkolla publike për të gjithë dhe i painformuar sepse nuk kishte linja telefonike e gazeta të përditshme, le më televizione e internet siç kemi ne sot. Prandaj atij deri diku i falet që vazhdonin t’a mashtronin mot pas moti, sepse ai nuk kishte rrugëdalje tjetër. Nëse kurgjë tjetër, koha neve të paktën na ka dhënë mundësitë për t’u edukuar, informuar dhe të paktën një herë në katër vjet mekanizmin për ndëshkuar. E megjithatë vazhdojmë të shpresojmë se “do bëhet në mot”. Ç‘arsyetim kemi ne sot?

Të drejtat e publikimit në shqip i kanë vetëm © Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Back to top button