Rikthehen radhët e gjata në kufirin Shqipëri-Greqi, pritja deri në 8 orë

Për festat e fundvitit janë krijuar sërish radhë të gjata në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës. Deri në 8 orë u janë dashur qytetarëve shqiptarë të presin në automjetet e tyre, apo në autobusë, për të kaluar kufirin me Greqinë dhe për të hyrë në Shqipëri.

Sipas tyre, vonesat janë shkaktuar nga pala greke, që punon vetëm me dy sportele, ndërsa pala shqiptare punon me 5 të tillë.

“Që nga ora 2 e gjysmë e mëngjesit. Grekët nuk punojnë, vetëm me dy sportele dhe shpesh herë ngrihen e nuk punojnë”, thotë një emigrant shqiptar.

“Unë udhëtoj nga Athina, jemi nisur mbrëmjen e djeshme në orën 9 për të mbërritur këtu në 4 të mëngjesit. Ndërkohë që sapo janë mbushur 8 orë fiks që presim. Pala greke nuk punon fare, ose shumë ngadalë. Asgjë nuk ka ndryshuar gjithë këto vite, janë po të njëjtat situata që ndeshim çdo vit”, thotë një tjetër emigrant që priste të rikthehej në Shqipëri për pushime.

Radhët në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës përsëriten çdo fundviti dhe vonesat, që iu shkaktohen pasagjerëve në përpunimin e tyre, ende nuk kanë gjetur dot zgjidhje. Vetëm brenda 24 orëve të fundit kanë hyrë në Shqipëri 7555 shtetas, ndërkohë që kanë lënë Shqipërinë 3461 shtetas. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button