Për një orë, 500 aksidente trafiku në Moskë

Për shkak të stuhisë së dëborës, e cila për një kohë të shkurtër solli madje 25 centimetra dëborë, në Moskë sot pothuajse tërësisht është paralizuar trafiku rrugor, ndërsa policia ka regjistruar 500 aksidente në një orë, theksojnë mediat perëndimore.

Kolona më e gjatë e automobilave shtrihet në gjatësi prej madje 60 kilometrave, kumtoi shërbimi për përcjellje të trafikut Jandeks, ndërsa transmeton “Russia today”.

Jandeks, që turmat e trafikut i rendit me nivele prej një deri në dhjetë, kaosit të sotëm në Moskë ia ndau vlerësimin më të lartë.

“Njerëz, mbajeni mend këtë ditë historike. Kjo është hera e parë kaq herët, që në fillim të dimrit, të vërehet vlerësimi dhjetë dhe të zgjat kaq shumë, tani më shtatë orë. Situata do të jetë akoma më e keqe”, shkroi në Fejsbuk zëdhënësja e Jandeks, Elina Saviskaja.

Në rrugët e Moskës kanë dalë më shumë se 11.000 makineri të specializuara për pastrimin e borës, të cilat kanë probleme të dalin në fund me reshjet kaq të mëdha të borës për një kohë kaq të shkurtër. Situata u përkeqësua në mënyrë shtesë në orët e djeshme të pasdites, kur një numër më i madh i qytetarëve u nisën nga puna drejt shtëpive të tyre.

Kushtet katastrofike të motit dhe dukshmëria shumë e vogël në kryeqendrën ruse shkaktoi numër të madh të aksidenteve, kështu që në orën 17 sipas kohës lokale, policia denoncoi se për një orë janë vërejtur madje 500 aksidente, duke përfshirë edhe 45 aksidente të rënda.

Njerëzve që e përdorin transportin urban u këshillohet që në vend të kësaj të ecin në këmbë, ndërsa në shumë raste është pothuajse e pamundur me autobus të arrihet deri te stacionet e metrosë.

Stuhia e dëborës e ka goditur edhe qarkullimin ajror në Moskë, kështu që janë anuluar 20 fluturime, ndërsa pothuajse 200 janë vonuar. Disa udhëtarë në rrjetet sociale kanë shkruar se disa orë kanë qenë të bllokuar në aeroplanët, të cilët nuk kanë mundur të fluturojnë për shkak të borës në pista.

Lajme të ngjashme

Back to top button