Asnjë marrëveshje për kthimin e opozitës në Kuvend

Dita e sotme nuk u finalizua me një marrëveshje mes mazhorancës dhe opozitës për kthimin e kësaj të fundit në Kuvend. Pavarësisht eurodeputetëve të ardhur në Tiranë posaçërisht për të negociuar mes palëve, PD nuk është e bindur për heqjen dorë nga bojkoti.

Pas dy takimeve të zhvilluara me eurodeputetin Eduard Kukan, dhe pas mbledhjes së gjatë me grupin parlamentar të PD, kreu i opozitës Lulzim Basha tha se ende nuk ka një marrëveshje konkrete, ndërkohë që negociatat vazhdojnë.

Megjithatë ai tha se deri tani ecuria është pozitive dhe se opozita nuk do paraqesë asnjë pengesë që procesi i nisur nga eurodeputetët të përmbyllet me sukses.

“Për ne është e rëndësishme të ndodhë sipas parimeve dhe standardeve Evropiane. Sigurisht nga ana jonë nuk ka asnjë pengesë dhe nuk do të ketë kurrë asnjë pengesë për përmbylljen me sukses të këtij procesi për të cilën janë të ndërgjegjësuar edhe ndërmjetësit Evropianë të të dy krahëve politikë, të Partisë Popullore Evropiane dhe të Partisë Socialiste Evropiane. Duke qenë në proces negociatash nuk më mbetet gjë tjetër veçse të shpreh besimin se përpjekja e tyre, përpjekja Evropiane do të kurorëzohet me sukses dhe t’i bëj thirrje maxhorancës që të jetë konstruktive në përmbylljen me sukses të këtij procesi sepse shpreh një shqetësim të jashtëzakonshëm të qytetarëve shqiptarë dhe ka mobilizuar si rrallë herë në një front të bashkuar të majtën dhe të djathtën Evropiane. Për më shumë do ju informoj në vijimësi”, tha Basha.

Edhe ish lideri i PD-së Sali Berisha ka vlerësuar punën e dy eurodeputetëve për të gjetur një zgjidhe që do kthente opozitën në Kuvend, duke i dhënë kështu fund edhe ngërçit politik.

Por nga ana tjetër ai u shpreh dyshues për mazhorancën, nëse do arrinte ajo të pranonte kushtet e marrëveshjes.

Berisha, tha se marrëveshja është shumë afër, dhe se ai do pranonte çdo vendim që do të marr Këshilli Kombëtar i PD-së.

“Unë e konsideroj bojkotin një lloj fatkeqësie të imponuar, por midis demokracisë dhe bojkotit unë zgjedh gjithnjë demokracinë, sepse duhet mbrojtur demokracia. Megjithatë të mos i paragjykojmë gjërat sepse unë shpreha konsideratën time sepse e vërteta është se dy të dërguarit e PE kanë bërë punë serioze për t’ë dhënë zgjidhje pa tendenciozitet. Gjërat janë shumë afër. Unë pranoj çdo vendim që të marrë Këshilli Kombëtar i PD”, tha Berisha.

 

 

Lajme të ngjashme

Back to top button