Juve e Napoli luftë për Super Kupën e Italisë

Titulli i parë sezonal në futbollin italian do të dorëzohet sonte në orën 18:30 në Doha të Katarit, ku Juventusi dhe Napoli do të kërkojnë të bëjnë të tyrin Superkupën e Italisë. Sikurse e kërkon tradita kampionët e Serisë A do të përballen me fituesit e Kupës së Italisë, në një sfidë të nxehtë që ka prodhuar gjithmonë tension dhe polemika. Bardhezinjtë, që janë triumfatorë në dy edicionet e fundit, duan të bëjnë tris, por jugorët do të japin maksimumn për një trofe që do të rriste entuziazmin në San Paolo dhe që do të kishte shijen e hakmarrjes.

Formacioni i Allegrit shkon si favorit në këtë përballjes jo vetëm se kampion në fuqi, por edhe për faktin se kryeson Serinë A dhe mbetet një nga pretendentët kryesorë për titullin kampion. Kualifikimi në 1-8 e Champions League i ka dhënë qetësinë e duhur Juventusit që kërkon të mbyllë 2014 me trofe. Superkupa e Italisë do të ishte qershija mbi tortë në një vit kalendarik tepër të suksesshëm. Në rast triumfi, Juvja do të linte pas edhe Milanin përsa i përket numrit të trofeve të fituar në këtë kompeticion.

Për Napolin kjo është finalja e tretë në këtë kompeticion, ku në cdo rast është përballur me Juventusin. Në vitin 1990, napolitanët fituan me rezultatin e thellë 5-1, ndërsa dy vite më parë bardhezinjtë që drejtoheshim nga Antonio Konte u triumfuan 4-2 në kohën shtesë, takimi ky që u pasua me polemika të shumta.

Në Katar skuadra e Benitez ka mundësinë e hakmarrjes, për të ngritur kokën pas atij starti zhgënjyer të sezonit.

Lajme të ngjashme

Back to top button