‘S’më di…’

Do humbasësh dhe ti shum’ shpejt me erën
E nuk do shihen më emrat tanë në qiej
Ndoshta as në diej
Në ikje me vjeshtën, ndoshta me pranverën…
Kush e di…

Do humbasësh dhe ti si hije
E si pelhurë s’do ndiehet më jotja prekje
As gjall, as jetë, as vdekje
Ah, sikur shpirtin tim të dije…
Por ti, nuk di…

Do humbasësh në mjegull
Nuk do të të shihet më, as silueta jote e ethshme
As aroma që në trup ti veshje
Do mbetesh kujtim i turbullt…
Pa ty, as ti…

Do humbas dhe un’, aty në tymnajë
Do ngjitem në atë oxhak, ku vijnë surpriza
Edhe do vdesë aty, ajo cfarë në shpirt’ e ngjiza
Do shuhesh, si i furishëm vaj…
Ti s’më di…

Do të të fik si të fundit dritë
Aty ku kurr’ s’të fika
Në perqafim ku venitet frika
Do ketë natë, pastaj prap ditë
Një ditë e re, pa Un e Ti!

Pastaj do rend në mendim
Pastaj më tej do ndez’
Pastaj do fik, do shuaj cdo shpresë
E rishmës në kujtim…
Nuk më dite kurrë, as ti…

Arsejda Gjyli

Dhjetor.20.12.2014

 

Lajme të ngjashme

Back to top button