DHUNË

Nga kauçi i grisur te mbështetëset e krahëve, ku ishte mbështetur, Ai i shikonte lajmet, ndonëse kishte thënë se kurrë nuk do t’i shikonte këto lajme që jepen nga redaksitë e gjunjëzuara. Spikeri fliste me një theks të fshatit të vet, kurse lajmi që e lexonte vlonte nga barbarizmat dhe nga semantika e çalë, e cila për ta kompletuar marrinë e kishte mangët vetëm atë sintagmën e një konserve ku specat djegës i kanë përkthyer si “speca të hidhëruar”. Ndoshta nga indiferenca që rrezatonte spikeri, Atij i shkaktoi një neveri të paparë. E hoqi setrën me nervozë dhe e hodhi në anën tjetër të kauçit, jo se ishte ftohtë, por sikleti dhe pamundësia desh e nxorën nga vetja, sepse gjithë atë që e dëgjonte në lajme ishte e paqenë, ishte një asgjë me të cilën mediat mundohen ta glorifikojnë punën e qeverisë. Por edhe fytyra e spikerit, e ngrirë, përveç buzëve që i lëviznin, e shtuan sikletin e Tij. Dhe, kur e dëgjoi lajmin se ministria kishte vendosur që Universitetin e Tetovës ta dënonte duke ia marrë të drejtën e studimeve të doktoratës, shpirti i Tij e arriti pikën e vlimit. Atëherë tha:

“Epo mjaft më! Mjaft! Kjo është dhunë!”

Iu duk se ky vendim për ndalimin e studimeve të doktoratës në UT ishte marrë me qëllime politike, të dëmtohet gjuha shqipe dhe identiteti shqiptar. Pastaj i numëroi universitetet shtetërore: i Shkupit, i Manastirit, i Shtipit, i Ohrit dhe në fund – i Tetovës. Të gjitha këto universitete do të kishin studime doktorate, kuptohet përveç Universitetit të Tetovës! Katër universitete maqedonisht që jetojnë me paratë e buxhetit i kanë punët pupa. Vetëm ai shqip, vetëm Universiteti i Tetovës, e që nuk është vetëm shqip – vazhdimisht ballafaqohet dhe do të ballafaqohet me halle të natyrës financiare e politike. Me ndërkamca absurdi. Si ky rasti i ndalimit të studimeve të doktoratës. Iu sollën ndërmend, pastaj, të gjitha ato peripeci nëpër të cilat kishin kaluar shqiptarët për t’i realizuar të drejtat e tyre për të pasur universitet në gjuhën shqipe, iu kujtuan pengesat që i kishte bërë pushteti kundër themelimit të universitetit, iu kujtuan edhe fyerjet që pushteti i kishte bërë përmes gojës së ministrave, fyerje si ai aluzioni makabër e morbid kur pat thënë një ministër kur iu vunë themelet këtij institucioni të rëndësishëm: “U lind foshnja e vdekur!”, demek se s’do të bëhet ky universitet, demek se ka kush e ndalon, iu kujtuan edhe viktimat. Duke i kujtuar, pastaj, të gjitha deklaratat, të gjitha rrahagjoksat retorikë të gjithfarë politikave ekstreme, duke i kujtuar politikanët e mbufatur nga shovinizmi dhe antishqiptarizmi i sëmurë deri në shkallën më të skajshme, e ndjeu se iu shtuan të rrahurat e zemrës.

“Kjo është dhunë”! tha.

E fiki televizorin. U ngrit, ia ngjiti setrës me një lëvizje nervoze të dorës dhe mori të dalë duke e luhatur kokën nga një ndjenjë dëshpërimi. E ndiqte mendimi se këtu aq shumë përdoret dhe keqpërdoret fjala demokraci, sa ajo në fakt dhunohet.

“Demokraci!”, tha duke e shtrembëruar fytyrën në shenjë ironie. “Kush e dëgjon fjalën e popullit? Nuk ka këtu kurrfarë demokracie, por dhunë”! shtoi duke murmuritur vetë me vete. E hodhi shikimin nga dritarja dhe i pa shtëllungat e mëdha të tymit të Jugohromit që i sillte era mbi lagje e pastaj lëshoheshin mbi çatitë e shtëpive. Në atë çast ia dha një kolonë e gjatë automobilash që ecte ngadalë… Pastaj doli. Jashtë kolona e veturave në rrugë ishte e gjatë e gjatë dhe ndjehej era e karburanteve të papërpunuara… I ndërronte hapat ngadalë. Kah ecte, iu kujtuan gjithë ato emisione argëtuese që vinin nga Serbia, gjithë ata këngëtarë!

“Të të bombardojnë me emisione të këtilla, qenka në rregull!… Çfarë ushtrimi i dhunës mbi rininë!” tha dhe vazhdoi të ecë ngadalë kryelëvarur. “Edhe kjo na duhet. Të ushtrohet dhunë gjuhësore ndaj të gjithëve këtu nga Serbia dhe politika serbe të jetë e pranishme në këtë formë “argëtimi” televiziv. Çfarë manifestimi perfid i antishqiptarizmit përmes mediave të kontrolluara! mendoi. Pastaj e lëvizi kokën në shenjë dëshpërimi edhe një herë, njësoj si në çastin kur doli nga shtëpia. Atëherë iu shfaq fytyra e spikerit, ashtu e ngërdheshur, e ngrirë duke e përsëritur vazhdimisht fjalën demokraci. Ai e ngriti kryet, ta heqë nga ky siklet së paku fytyrën e spikerit, por nuk ia doli. Përsëri ajo i dilte gjithkund: në degët e pemëve, në muret e shtëpive, madje edhe në ajër rrinte ashtu pezull! “O Zot”, mendoi ai, “çfarë po ndodh”? Ndërkohë fytyra e spikerit e ndiqte duke e shpërndarë në formë jehone fjalën demokraci. Ai e shpejtoi të ecmen. Disa metra para kafenesë, e “shpëtoi” një zë nga fytyra e spikerit.

“Ku të qenkan fundosur anijet”? e dëgjoi një zë pas vetes. E njohu: fqinji nga kati i dymbëdhjetë.
“Hajt të shkojmë ta pimë një kafe”! i tha fqinji.

Ai, i shqetësuar dhe pa u ulur mirë në karrigen e kafenesë, nuk u përmbajt:

“Kjo është dhunë”! tha. Shikoi përreth në mos “e ndjek” ajo fytyra e spikerit, pastaj shtoi: “Ngado që ta kthesh kokën dhunë, dhunë, dhunë! Dhunë në familje ku ende shtypet femra, dhunë në traditën tonë të cilën po e rrënojnë me mualife të sjella nga bota e largët e Eritresë, dhunë nga mualifet institucionale që ndikojnë në zhdukjen e shtresës së mesme dhe duke e ulur shkallën e varfërisë te shtresat e ulëta, dhunë ndaj sistemit të vlerave që manifestohet përmes formave të diskriminimit ndaj kulturës e dijes shqiptare, dhunë ndaj njerëzve të pambrojtur, ndaj fëmijëve në autobus, dhunë mediatike”…

“Çka ndodhi? Çka qenke mërzitur kështu? Çfarë dhune”?

“Më janë mbledhur, o komshi… Katër fëmijë të rritur kam. Për martesë janë dy më të mëdhenjtë. Vetëm njëri më punon me kontrata në vepër a çka u thonë atyre të shkretave. Tash edhe ai do të mbetet pa ato pak para që i merrte, se gjysma do t’i shkojë për kontribute”.

“Përmende dhunë”?…

“Po, dhunë komshi, dhunë, ngado që ta kthesh kokën! A nuk të duken ty një formë dhune dënimet e tashme? Po kjo puna e ligjit për punësime me kontrata të përkohshme?”. Fqinji e ngriti kokën dhe ia drejtoi sytë me një shikim pyetës. Ai pastaj ia tregoi lajmin. “Nuk do ta lejojnë Universitetin e Tetovës të ketë studime doktorate”, tha. “A s’është kjo një formë dhune”?

“Ke të drejtë”, ia ktheu fqinji. “Me të vërtetë dhunë. Po nuk është vetëm ajo që thua ti, o komshi”, vazhdoi fqinji. “Unë i ndjek debatet televizive”, tha ai. “Më ka rënë të dëgjoj debate për dhunën etnike, për dhunën ndaj femrës… Në të gjitha televizionet: të këtushmet, të Tiranës, të Prishtinës e të të gjithë Ballkanit. Ata flasin për dhunën, por unë pikërisht aty, në debat, e shoh një segment të dhunës kur debatikët e fyejnë popullin shqiptar, e injorojnë kulturën tonë, letërsinë. Dhe, nuk ushtrohet dhunë ndaj nesh vetëm prej fqinjëve, por edhe prej njerëzve tanë. A i ke dëgjuar ata hutat në Tiranë? Vazhdimisht të njëjtit njerëz i ke nëpër debate thuajse shqiptaria ka mbetur vetëm në duart e tyre. I dëgjoj si ia imponojnë dhunshëm opinionin publikut të shkretë. Dhe, për ta asgjë nga tradita jonë nuk bëka! Tashmë nuk janë vetë debatikët e përhershëm të B. Fejziut, që shajnë e mohojnë komb e atdhe. Ia kanë nisur edhe disa në Prishtinë. Edhe ata ia kanë nisur me kajden e Shën Pjetrit, të mohojnë çdo vlerë duke përhapur e duke afirmuar sjelljen e vulgut ballkanik me të cilën synohet goditja në palcë e të qenit shqiptar. Dhe, jo vetëm ata. Dhe, fjalët e këtilla të një pagëdhendësie vijnë nga njerëzit që kanë pushtet, nga njerëzit e njohur. Pikërisht këta kanë nisur ta “kultivojnë” diskriminimin e brendshëm, mohimin e shqiptarit nga shqiptari, ndjekjen e shqiptarit nga shqiptari… Ke të drejtë”, përfundoi fqinji. “Dhunë e përtej dhune është e gjithë kjo që na e mbulojnë me një fjalë të paqenë: demokraci”…

“Po këto vakitë politike të pozitave e opozitave në Maqedoni, Kosovë e Shqipëri”?

“Edhe ato janë dhunë ndaj popullit”, tha fqinji. “Po edhe shumë të tjera gjëra që s’i nxë kalemi, dhunë janë”.

“A ta merr mendja se do të ndryshojë kjo gjendje për të mirë”? pyeti Ai.

“Një zot e di”! iu përgjigj fqinji. Ndërkohë Ai vazhdimisht e rrotullonte kokën, herë andej, herë këndej. “Çfarë ke”? e pyeti fqinji.

“Ai djall spiker”, tha Ai.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button