Epo, ky jeni Ju, o… popull!

Shkrimtari dhe publicist i mirënjohur Xhabir Ahmeti, në një kolumnë të paradokohshme, të botuar në një gazetë, në fund të shkrimit të tij parashtron pyetjen, Ne jemi populli. Po ju? E kishte fjalën me ne – funksionarët, Ndaj, pasi deri më tani asnjëri nga funksionarët tjerë nuk iu përgjigj, unë si nënkryetar i nënkrandes së degës së partisë së fjetur (gjumashave), nga fshati i tij i lindjes, pa marrë leje nga askush (se ne funksionarët nuk marrim leje prej kurkujt kur dëshirojmë të flasim apo bëjmë ndonjë gjë), vendosa në formë dialogu t’i përgjigjem pyetjes që ai parashtron: Ne jemi populli. Po ju?

Funksionari: Ju jeni populli, e  doni të dini se kush jemi ne?…

Ne jemi udhëheqësit Tuaj.  Pa neve  bota sdo të kshte kuptim.

Ne jemi shpresa e Juaj. Ne jemi më të zgjuarit, madje jemi aq të zgjuar, saqë            shpeshëherë nuk kuptojmë as vetë asnjë fjalë nga ato që themi.

Ne jemi me dije universale, ku të na vendosni ne mund të udhëheqim, ta zëmë: Ministër të mbrojtjes? –Po. Të mjekësisë? -Po se po… Të financave? Hala ma shumë, bile këtë ministri e kemi me shumë qejf – po sna japin se.

Populli: Ne jemi ata që e kemi në dorë vulën e pozitës dhe të opozitës.

Funksionari: E saktë, Ju vërtetë e keni vulën në dorë, por ama, vetëm një   ditë…ditën e zgjedhjeve, e pastaj vula është në dorën tonë katër vite të tëra.

Po të mos ishim ne, Ju kë do të votonit?

Populli: Ne jemi ata të cilëve nuk u kthehet kjo mbështetje me kurrfarë mirënjohjeje.

Ne jemi alfa e omega e demokracisë. Ne jemi kuptimi i lirisë.

Funksionari: Po të mos ishim ne kush do të ju tregonte përralla.

Populli:Ne jemi ata që kacafytemi me kriza, me tranzicione, me piramida. Ne jemi ata që e mbajmë mbi shpatulla barrën e problemeve ekonomike të vendit.

Funksionari: Po ama kush ua ngarkon atë barrë? Përsëri ne, pa ne si do ta mbanit problemet.

Populli: Ne jemi ata që nga mëngjesi herët na shihni në ara duke mbjellë drithë, duke u kujdesur për fushën e për malin.

Funksionari: Thoni shyqyr që ua mundësojmë të dalë mëngjesi e të punoni në arra. Pastaj, ne ju mësojmë se cka duhet të mbjellni, ja përshemull: sivjet u thamë të mbillnit kastraveca i mbollët dhe fituat (?) prej tyre.

Populli:  Ne jemi ata që e shpërndajmë bukën nëpër dyqane dhe shkojmë e blejmë me çetele.

Funksionari: Bukën e shpërndani për vete, jo për ne, se neve nuk ka çka na duhet korrja e bukës, sepse ne jetojmë vetëm me mish e meze.

Populli: Ne jemi ata që kemi mundësuar disa veta të këtij vendi të bëhen multimilionerë duke i dhënë lekët e fundit për miellin e pasigurt që na e shesin, për barnat e shtrenjta të cilat nuk i kanë të gjitha substancat e nevojshme.

Funksionari: Sa të mjerë që Jeni. E bëjmë këtë për të mirën Tuaj që të mos helmoheni me barna, se sa më shumë substance që të kenë aq më të rrezikshme do të ishin.

Populli:  Po, për këpucët e tekstilin kinez?

Funksionari: I keni parë kinezët çfarë akrobatësh janë, nga këpucët e kanë.

Populli: Ne jemi ata që i mbajmë hallet e kësaj bote dhe që i paguajmë planet e mujsharëve me sakrifikimin e rinisë sonë.

Funksionari: Epo, tani, diçka… edhe Ju do të mbani.

Populli: Ne jemi ata që pajtohemi të kemi rroga që nuk e sigurojnë as koren e bukës.

Funksionari: Epo hani vetëm tulin, ç’ju duhet korrja e bukës. E fortë është, doni t’i thejni dhëmbët …për të mirën tuaj e kemi!

Populli: Na thonë se jemi turma pa tru.

Funksionari: E ç’ju duhet truri, ka kush mendon për ju, mandej thoni shyqyr që skeni tru se po ju ngarkojmë të paguani tatim pastaj.

Populli: Ne jemi ata që i harrojmë aferat, skandalet, korrupsionet e papara.

Funksionari: Pse me aferat tona du mireni ju, rrini bre rahat.

Populli: Ne jemi ata që i durojmë fyerjet e shpeshta nga foltoret e partive politike.

Funksionari: Ne fyhemi ndërmjet veti. Ne juve nuk ju fyejmë, ne juve ju vëmë në gjumë. A ka më mirë se të fleshë, e të shohësh ëndrra? Hë, më thuaj, pra  o, popull!…

Kur ua themi të vërtetën (rrallë herë), Ju na shani. Kur ju gënjejmë, na lavdroni dhe na respektoni.

Ky Jeni Ju o, popull!

Populli: Po, po, ashtu është: Heshtin nëpunësit në karriget e tyre çehoviane. Heshtin punëtorët e mbetur në rrugë. Heshtin bujqit e mbetur pa perspektivë. Fshatarët  e hedhur në mjegull. Heshtin prindërit e nxënësve. Të studentëve. Të institucioneve parashkollore. Një fjalë s’e thonë arsimtarët. Nuk u dëgjohet zëri alamet profesorëve universitarë. Akademikëve. Heshtin vetë studentët. Heshtin historianët, të cilët janë të thirrur ta thonë dhe ta mbrojnë të vërtetën për të kaluarën. Edhe të papunët.

Të gjithë heshtin. Heshtin. Heshtin

Funksionari: Po, a nuk ke thënë ti o popull se heshtja është ar…

Populli: E heshtni edhe Jugohromin që na vret neve popullin… edhe  florën e faunën e Tetovës me gazra helmuese

Funksionari: Ajrin e keni pa pare dhe kërkoni të jetë 100% i pastërt.

Populli: Ne jemi shpresa. Ne jemi perspektiva. Ne jemi ata që jemi shkak dhe arsye pse dikush është ministër, dikush kryetar i partive të pozitës e dikush tjetër kryetar i opozitës.

Funksionari: Ashtu është o, popull. Vetëm ti o, popull je ai që i beson fjalëve tona, sepse vetëm ne u flasim ate që ju dëshironi të ndëgjoni… për të mirën tuaj e kemi…

Me fjalimet tona, ne bëjmë që edhe të varfërit të ndihen aq mirë sa nuk kërkojnë asnjëherë të dalin nga kjo gjendje.

Populli: Ne jemi ata të cilët nuk jemi të vetëdijshëm se kemi forcë të madhe të cilën e pret vendi kur ka nevojë të dalë nga ndonjë krizë.

Funksionari: Nuk na duhet forca e Juaj, ne nuk kerkojme shumë prej Juve, vetëm votën të na jepni, kurse Ju?!…kërkoni shumë, madje edhe punë kërkoni nga ne, po rrini aty, bëni qejf e sefa.

Populli: Ne jemi ata të cilët nuk kanë shpresë se dikush mund të na e shtrijë dorën e ndihmës kur të gjendemi në ngushticë.

Funksionari: Epo, fundi i fundit kush të tha të bëhesh popull?!

Hë edhe diçkaKush i përmend të vdekurit?- Përveç neve askush. Me fjalimet tona mallëngjyese ju bëjmë të qani edhe juve. Ne nuk ju lëmë t’i harroni dëshmorët, ua përkujtojmë ato çdo herë kur ka zgjedhje, kur na zgjedhni neve-kuptohet, se kend tjetër do të zgjedhnit?!

Ne dijmë më së miri t’i bëjmë spektaklet e demokracisë. Kend do ta shihnit në debate televizive, kush do të përlahet me grushta ashu live, siç thonë. E keni pare Luan Krasniqin (boksierin)  tash shpejt në ndonjë duel? Sigurisht që jo. Jemi     ne që e zëvendësojmë atë. Ne, madje boksojmë edhe pa doreza.

N’fund t’fundit, krejt këtë circus… më falni… punë, nuk po e bëjmë vetëm për vete, por për Ju Ooo.. popull.

Ata që nuk janë si Ju o, popull ata janë një pakicë e vogël, që na kanë inatin, ata nuk janë popull, madje, më mirë është që ata të mos ekzistojnë ose të mos t’i lejojmë të votojnë fare se na i ngatërojnë pak hesapet!

Ju jeni o, popull të pakorruptueshëm, na shifni  neve sa të përfolur jemi për korrupcion për vjedhje për mashtrim për gjithçka të keqe na akuzojnë.

Sikur të mos ishim ne, kend do ta shanit Ju?..

Ne jemi ata që çdo ditë na shani e na mallkoni… e përsëri, përsëri, neve na votoni.

Çdo të bëni Ju, nëse ndonjëherë vdesim ne? Mos e dhashtë zoti!

Në fund një pyetje pak si të fshehtë… jo për gjë tjetër, vetëm që të sigurohem:

-Për kend do të votoni?…- Sigurisht për ne.. Sepse kur na votoni neve, Ju e nderoni veten Tuaj!

Epo, ky Jeni Ju o… popull!

Kushtrim Jashari, student i Informatikës (apo më sakt, që të mos më akuzojnë, pastaj, kur do të bëhem ministër se nuk e di se cilin fakultet e kam të kryer- student në Fakultetin e Shkencave Matematiko Natyrore-Drejtimi i Informatikës)- USHT

Lajme të ngjashme

Back to top button