Tronditet CIA, zbulohet se si shënjestroheshin “armiqtë e SHBA”

Këto të fundit kanë qenë javë të vështira për Agjencinë Qendrore të Inteligjencës në SHBA. Fillimisht, raporti i Senatit i tregoi botës mbi torturat e Shërbimit Sekret amerikan, ndërsa tani, dalëngadalë po hidhet dritë mbi mënyrat e ndjekura prej saj për të gjurmuar personat e vënë në shënjestër.
Ky është përkufizimi i bërë atyre që shpallen armiq të Amerikës. Publiku tani po njihet me një raport të titulluar “Praktikat më të mirat kundër rebelimit”, ku ofrohen udhëzime mbi teknikat e shënjestrimit nga CIA të objektivave me vlerë të lartë.

Shumë e ashpër në përcaktim, gazeta gjermane, “Süddeutsche Zeitung” thotë se termi “targeting” nuk nënkupton gjë tjetër veç vrasjes së planifikuar të liderëve rebelë, duke nisur nga ata revolucionarë e deri te krerët e terrorizmit.

Gjuha e përdorur në analizën e detajuar të CIA-s nuk është dhe aq e përmbajtur. Autorët nuk flasin as për “njerëz” dhe as për “kundërshtarë”, por për “objektiva” apo “persona në shënjestër”. Në këndvështrimin e ekspertëve, strategji si këto me shumë mund të prishin punë sesa të provohen të dobishme.

Shërbimet e fshehta perëndimore gjenden përballë rrezikut që edhe lufta kundër organizatave terroriste si “Shteti Islamik” mund të ketë efekte anësore të padëshiruara. Çdo sulm, sipas politologut Hendrik Hegemann, është një kartë në propagandën e tyre. Xhihadistët mund ta kthejnë në argument të fortë të tyrin atë që do ta përshkruajnë si vrasje të paligjshme të muslimanëve nga Perëndimi, shton ai.

Edhe vetë efikasiteti i kësaj pjese të luftës kundër terrorit vihet në pikëpyetje. Shumë përpjekje për të asgjësuar grupet terroriste i kanë arritur vetëm pjesërisht objektivat e tyre. Në mjaft raste, gjatë sulmeve me avionë pa pilotë janë vrarë persona të papërfshirë, ndërsa në vend të “high-value-target”, asgjësohen luftëtarë me detyra të thjeshta, të cilët nga pikëpamja e organizimit strategjik, mund të zëvendësohen me lehtësi.
/ Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button