Seç ndihem kureshtar!

Sa herë shoh fotografi të tilla me fëmijë, menjëherë ia nisi me mendu se si i ka shkuar jeta e ku janë ata sot! Njëjtë edhe me këtë foto, që në përshkrim të së cilës, po thotë: “Kosovë, maj 1998”!

Athua si e ka emrin? Sa vjet i ka sot? A është gjallë!? Mos ka vdekur në luftë!? Mos është i pagjetur? Mos është në Rudnicë të Rashkës? Ku jeton sot? Mos ka shkuar në perëndim gjatë luftës së fundit? A i ka bë letrat e përgjithshme? A iu ka djegur shtëpia në luftë? Apo ka dal pas luftës në Prishtinë? Mos ende ka mbet duke punuar në fshat-arave me misër? A mos e ka babain dëshmor? Apo mos iu ka vra mbas luftës? A ka motër ma të vogël? Nënën a e përqafon çdo mëngjes? Mos del rrugëve çdo ditë me shtri dorën për lëmosh? Mos është çoban ende? A krenohet që ka lind shqiptar? A beson që shekulli XXI është shekulli i shqiptarëve!?10858062_891251664242213_7847446115045538957_n

A gëzohet ma shumë kur vjen 17 shkurti apo 28 nëntori? Athua i pëlqen më shumë flamuri kuq e zi me shqiponjën dy krenare apo flamuri me hartë të Kosovës dhe me gjashtë yje? Si u ndie kur droni me hartën e Shqipërisë së Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit u leshu mbi Beograd? Po grushtin e Canes si e përjetoj? Si e gjykon (zh)’veshjen e Bleones në American Music Awards? Çfarë mendon për zogun e Tunes? Po ndarjen e Bleros me Teutën si e përjetoj? E takimin e Rita Orës me Barack Obamën si e priti? A e dëgjon ma shumë Unikkatilin apo Noizy-n? Po Bilbilat e Mushtishtit a i dëgjon hiq? A i pëlqen tallavaja apo popullorja? Po për Kallashin çfarë mendon? Verës a shkon për pushime në Durrës apo në Ulqin? A i pëlqejnë dasmat-verore? A i qet pare kesh këngëtareve? A është student në UP, UPZ, UT, USHT, (mos në kolegje private) apo ku? Në cilin vit të studimeve është?
Çfarë ka bërë me provimet e vjeshtës? Po për të janarit a është përgatit? A mos është shkelur nga veturat në samafora? A mos doktori në vend të kurimit të këmbës i ka vendos stenda në zemër? Athua në mungesë të shërimit në Kosovë është dashur të shesë tokën dhe të shërohet diku jashtë vendit? A mos punon në ndonjë ministri? Apo vallë mos po kërkon punë ditore për 10 euro? A din të punoj si kamarier? A e din ndonjë gjuhë të huaj, anglishten apo serbishten? Po futbolli a i pëlqen? A i pëlqen ma shumë F.C.Barcelona apo Real Madrid C.F.? A mendon që Cristiano Ronaldo apo Leo Messi ka për ta fituar këtë vit topin e artë? A është me K.B. Sigal Prishtinën apo me K.B. Peja në basketboll?

A ka BMW 530d apo ec në këmbë? A ka iPhone 6 Metal Casse Gold apo Samsung Galaxy S3 mini? A e ka numrin Ipko apo Vala? Apo hiq nuk ka ose ose i ka që të dy numrat? Sa orë po ia rrëmben facebook-u? Sa friends (shok/shoqe) i ka n’fcb? A e ka Berat Buzhalen bllok apo në listën “shokët e ngusht” n’fcb? Po Meden mos është “duke e ndjekur” (following) n’fcb? Ajo goca që i pëlqen a e ka pranuar për shokë n’fcb? Çfarë mendon pse faqja “VIP-at Shqiptarë” ka më shumë pëlqime (like) se sa “Dashuria për atdheun”? Sa pëlqime e komente i merr kur poston foto/shkrime n’fcb? Po instagram a ka? E në Viber/Tango a ka llogari të hapura? A e lexon gazetën “Kosova sot”(me lajme të djeshme) apo portalin (gazetën)Express (me gënjeshtra të sotit)? Athu a i pëlqen Ismail Kadare?

Çfarë mendon pse Kadarea nuk po e fiton Nobelin për Letërsi? Po “Vdekja më vjen prej syve të tillë” të Qosjes, e ka lexuar? Po në poemën “Mjerimi” të Migjenit a e gjen veten? A e din pse Pavarësia (28 nëntor 1912) nuk u shpall në Shkup po në Vlorë? Kënd e fajëson për djegien e bibliotekës së Aleksandrisë? A beson që Aleksandri i Madh ishte ilir? A thotë Tungjatjeta! apo thotë “Selam alejkum!?”A beson në jetën mbas vdekjes apo në ringjalljen e Krishtit? A ka votuar në zgjedhjet e fundit? Athu për kë ka votuar!? Çfarë mendon për Isa Mustafën kryeministër? Po për Hashim Thaçin zëvendëskryeministër? Për Ramushin a ka ndonjë mendim? Po për flokët e Albinit çfarë mendon?, më mirë të gjata apo të shkurta!? A është me Tommy-n apo me Jerry-n?

A e quan Esat Pashën tradhtar!? Po Skënderbeun a e ka frymëzim? Me Adem Jasharin a ndihet krenar? A është i dëshpëruar me gjendjen në Kosovë!? Mos vallë është rrugëve të Serbisë për të ikur në Hungari, Austri, Gjermani e më gjerë? Apo rrugëve të Turqisë për në Siri? 
Çfarë makiato pinë? A del me pi kafe me shoqëri? A i ndodhë që të thotë: “jo nuk jam për kafe, po shkoj me mësu!” në fakt sikur mos ti kishte në xhep as 0.50 euro? A ka ngrënë ushqim sot? A pinë birrë të Pejës apo verë “Merlot” franceze? A e pinë duhanin? A e din që pronari i parë i Malborës vdiq nga kanceri i mushkërive? A i din që Iguanat mund të vrasin veten? A e din se çdo vit, fëmijët e Amerikës veriore shpenzojnë rreth 500 mln dollarë në çamçakëza? Mollat janë 25% ajër, a e din? Bota ka 41806 gjuhë të folura dhe se minjtë mund të dallojnë gjuhët, po këto a i dinte? E se krimbat mund të kenë deri në 10 zemra, e di ai? Delfini fle me një sy të hapur, po këtë? Dhe se sa herë që teshtijmë vdesin disa qeliza të trurit tonë? A i dinë? A e dinë pse Alienët janë jeshil? A i pëlqejnë telenovelat turke apo latine? Çfarë filmi shikon? A e ka pa filmin “Liri a Vdekje”? E serialin “100 Vitrina” a ka arrit për ta shikuar të tërin? Çka mendon për SIDA-n? Po athu vallë çfarë do të mendonte po ta shikonte/lexonte shkrimin tim!? Dhe shumë gjëra të tjera mendoj rreth këtyre fotografive.

E çka ma së shumti më intereson se a del edhe sot kështu në foto me shikimin e tij të thellë dhe të inatosur apo është më i lumtur!?

p.s. Fotografia në fjalë është realizuar nga lufta e fundit në Kosovë në maj të vitit 1998!

Prishtinë, dhjetor 2014
Kastriot I. Veselaj

Lajme të ngjashme

Back to top button