A ju pëlqeu kafja zotëri ministër ?!

Shkruan: Venhar Ramadani

Në Tetovë, në stinën e verës rrugët e qytetit janë të stërmbushura me të rinj të cilët kanë dalë të flasin dhe të bisedojnë për tema të ndryshme, por mbi të gjitha nëpër tavolinat e tyre mbizotrojnë fjalët për krizën ekonomike, papunësinë, krimin dhe korrupcionin! Këto fenomene e kanë prejardhjen nga keq menaxhimi i qeverive që deri tani në Maqedoni nuk kanë bërë gjë tjetër veçse janë promovuar dhe kanë humbur kohë me bisedimet historike për kontestin e emrit me Greqinë. Asgjë më shumë! Partitë shqiptare kanë qenë dekor me veshje elegante ngjyrë të zezë ndërsa kravatën patjetër duhet ta kenë të kuqe, për të treguar ndjenjat patriotike. Dy dekada patetike!

Dua të spjegoj fenomenin e papunësisë në Maqedoni, te studentët që e kanë kryer fakultetin dhe tani presin rend për punë. Ishim të ulur në një tavolinë e cila ishtë shumë afër tavolinës të njëfar ministri i cili ishte qendër e vëmendjes për stafin e kafenes. Kafja bile i erdhi më shpejt se neve, edhe pse ai erdhi më vonë se ne. Kamarier ishte një djal i ri të cilin e njihja dhe e dija se e ka mbaruar fakultetin, me meritë! U habita nga sjellja e tij me mysafirin e tavolinës tjetër, i përulej në mënyrë klasike… Nuk mund të kuptoja këtë sjellje derisa nuk mu kujtuan edhe pozicionet që kanë në shoqëri, mysafiri ishte ministri dhe kamarieri ishte studenti që nuk kishte mundur të gjejë punë për profesionin që kishte. Përulja duke i bërë shërbim ministrit për kamarierin ishte metodë për të qenë sa më afër punës së dëshiruar!

Më erdhi keq për bashkbiseduesin tim pasi mbeti duke e shikuar telefonin pasi e kishte kuptuar se unë nuk isha aty pari për të biseduar. Isha i fokusuar në atë çka ndodh para meje, një skenë tragjike ku viktimë ishte integriteti dhe krenaria e njeriut. Ministrit nuk i bënte shumë përshtypje sjellja e kamarierit pasi ai ishte mësuar të jetë një shkallë më lartë se ato me të cilët rrinte. E mendova veten në lëkurën e kamarierit dhe u binda se asnjëherë nuk do të veproja si ai, për shkak se në atë situatë ministri është vetëm një mysafir si të gjithë tjerët! Arsyeja e dytë sigurisht se fati im tani si i papunë është në duar të Zotit e jo në telefonatën e ministrit. Nuk mundet ta duroja qëndrimin përulës të kamarierit por gjithashtu nuk mund të bëja asgjë, përveç se të bindja veten mos të jem si ai, dhe të shkruaj, ndoshta ndonjë i ri si puna ime do të bindet të mos veproj njejtë.

Të papunë si kamarieri në fjalë ka plotë nëpër listat e partive të cilat me bujari përpilohen nga funksionerë lokal në prag të zgjedhjeve. Listat janë të arrta për ato që e kanë qëllim punën në administratë. Është interesant fakti se administrata shtetërore është punëdhënësi më i madh në Maqedoni, ndërsa kemi me mijëra raste të pa zgjidhura që e njejta administratë i neglizhon për shumë arsye, duke nisur nga mosdija. Pasi e pash atë skenë tragjike në kafenen e cila vlerësohet si më luksozja në periferi të qytetit, filluam ta komentojmë me shokun tim. E kishte kuptuar brengën time dhe më tha se atë sjellje kamarieri e bënte nga halli, pasi ai e njihte më mirë. U shtanga! Nuk e fajsoja më kamarierin, është ky shtet i poshtër që ja ka ulur kokën…

Po, jetojmë në një shtet të poshtër ku një mjek paguhet pesë herë me pak se në Europë dhe një student punësohet pesë vite pasi të mbaroj studimet. Jetojmë në një shtet ku ekzistenca është sfidë pasi gjëja e vetme të cilën nuk e paguajm sa qimet e kokës, është ajri. Si student paguajmë participim për universitete të cilët sot janë turp i botës nëpër ranglistat për arsim të lartë. Paguajmë edhe për rrugët në të cilët kalojmë për të shkuar në shkollë e rreziku për të humbur jetën në to është shumë i madh, si pasojë e lënies pas dore nga shteti. Këto janë hallet që i ka çdo student i cili mbaron me shumë zell fakultetin dhe pastaj punon kamarier. Nuk jam duke e nënvlerësuar as kamarierin e as punën e tij, pasi si kamarier kam punuar edhe vet, e ku i dihet ndoshta edhe do të punoj, por asesi askujt nuk i përkulem për tu bërë shembull i njejtë me personazhin e këtij shkrimi.

Si kamarieri në fjalë ka plot të rinj dhe të reja të cilët enden nëpër korridoret e enteve për punësim për të marrë vesh ndonjë të re rreth statusit të tyre dhe për interesimin e ndonjë kompanie për profilin e tyre. Njejtë si kamarieri, dikush punon në ndërtimtari e dikush punon në bastore sportive. Përballohen me sfida që nuk i kanë merituar e marrin rroga vetëm për të kaluar muajin. Është e kotë të mbarosh fakultet thotë dikush, e dikush i kundërpërgjigjet, ani ani le të rrije se si dihet. Ky bashkë bisedim është patetik, njejtë sikur partitë politike, njejt sikur fjalimet e tyre për një jetë më të mirë dhe njejt sikur sloganet parazgjedhore.

Në fund, kamarieri erdhi edhe tek ne, por me vonesë, për të na shërbyer pasi e kërkuam disa herë me radhë. Dukej i lodhur nga puna, por dukej edhe i gëzuar pasi ministri i la hapësirë dhe ky u ul aty afër. E ndjej por edhe e ngushëlloj! Ndoshta ministri i ka premtuar ndonjë vend pune si për mëshirë por sigurt ka qenë

premtim, edhe pse këto muaj nuk do kemi zgjedhje. Ministri bëhej gati të ngrihet ndërsa kamarieri e pyeti : a ju pëlqeu kafja zotëri ministër ?! Pa aprovuar asgjë i la 50 denar kamarierit dhuratë për shërbimin. Aq, përulje për një paketë cigare!

Këto tipa, 20 vite me radhë na kanë gënjyer dhe çdo herë, për çdo gjë i kanë fajsuar funksionerët maqedonas. Për mungesën e fuqisë në vendimarrje i kanë fajësuar maqedonasit pasi është më lehtë para votuesve të shitesh viktimë sesa i paditur. Para dhe pas konfliktit të armatosur jemi të njejtë, të pa fuqishëm që të ndryshojmë të ardhmen tonë, përderisa e kaluara duket e hidhur. Sa keq, sa turp, sa gjynah. Zoti na udhëzoft!

Lajme të ngjashme

Back to top button