Roma, qyteti i përjetshëm në duart e mafias

Krimi i organizuar ka bujtur edhe në Romë: mbart damkën politike të neofashizmit dhe udhëhiqet nga një ish-terrorist i celulave të armatosura revolucionare. Hetimi sapo ka filluar

Një legjendë metropolitane mëtonte vazhdimisht se në Romë nuk kishte mafie. Në rrugë megjithatë të gjithë e pranonin se ishte nje qytet i kalbur deri në palcë. Tashmë që u zbulua se në Romë gjallon mafia, të gjithë thonë se e imagjinonin diçka të tillë. Kaosi, kolapsi i shërbimeve publike, nuk mund të shpjegoheshin sigurisht vetëm me mospërfilljen, apo korrupsionin kronik nga ana e politikanëve. Duhet të kishte me siguri diçka tjetër që fshihej nën të. Prokuroria e quan mafia e kryeqytetit. Kjo organizatë e re u përcaktua si mafioze në bazë të nenit 416 të Kodit Penal, që përshkruan organizatat kriminale të këtij lloji. Ka tipare unike dhe një damkë politike neofashiste.

Në Itali, lajmi ka shkaktuar një shok të vërtetë, një tjetër shkallare drejt depresionit kolektiv, të shkaktuar nga degjenerimi i jetës publike të vendit. Në 2 dhjetor u arrestuan 37 persona, të tjerë u hetuan dhe u sekuestruan prona në vlerën e 204 milionë eurove. Ndër personazhet e përfshirë në këtë çështje është ish-kryebashkiaku i Romës, Gianni Alemanno, i cili kur ishte në detyrë kishte në krahun e tij një duzinë eksponentësh të ekstremit të djathtë, disa prej të cilëve me precendentë penalë. Përgjatë mandatit të tij, nga 2008-2013, në komunën e Romës u formësua një rrjet bashkëpunimi politiko-mafioz që kërkonte të drejtonte ndërtimet publike dhe korruptonte drejtues të çdo kampi politik, me shpërblime që mbërrinin deri në 15 mijë euro në muaj.

 

Banda kishte bashkëpunëtorët e vet edhe në polici, që nga ana e tyre sinjalizonin mbi çfarëdolloj operacioni që mund të ndërmerrej kundër organizateve kriminale. Zgjedhja e një kryebashkiaku të ri, Ignazio Marino, nuk u krijoi probleme kriminelëve që kishin njerëz të infiltruar në të gjitha forcat politike. Një ndërtues dhe kreu i këshillit bashkiak të kryeqytetit dhanë dorëheqjen. Në pamje të parë ngjan me një skeme tipike korrupsioni, e ngjashme me ato të zbuluara në projektet e fundit të mëdha publike në Itali, si psh. “EXPO 2015” e Milano-s, apo projekti i mbetur rruges i digës elekrotromekanike për të mbrojtur qytetin e Venecias nga ujërat e detit, apo rikonstruksionin e rajonit të Aquila-s pas tërmetit shkatërrues të disa viteve më parë. E megjithatë mund të qëmtohen disa tipare mafioze që të kujtojnë Palermon e viteve ’60. Një qytet nën darën e krimit, me shumë parti të përfshira. Kompanitë të lidhura me organizatat mafioze menaxhonin të gjitha shërbimet: mirëmbajtjen e kopshteve, mbledhjen e plehërave, qendrat e pritjes për emigrantët dhe romët. Hetuesit kanë paralajmëruar se ky është vetëm fillimi. Në një foto të vitit 2010 shfaqen të pandehurit kryesorë, duke darkuar me Ministrin aktual të Punës, Giuliano Poletti. Shumë politikanë tashmë justifikohen, duke theksuar se këta persona në atë kohë perceptoheshin si njerëz për së mbari. Kemi pra të bëjmë me një tabllo të dyfishtë të klientelizmit dhe ilegalitetit, tashmë mëse e zakonshme në Itali.

Një CV që spikat!

Mafia e Romës nuk ka të njëjtën qasje sikurse struktura komplekse drejtuese e Cosa Nostra-s, Ndranghet-ës ose Camorra-s. Mesa dihet zyrtarisht nuk ka vrarë kërkënd, por zotëron të njëjtin kapacitet për të shantazhuar, duke përdorur kërcënime të forta. Për të ngjalllur frikën, mjaftonte fama e keqe e liderit të organizatës Massimo Carminati, 56 vjeç i quajtur ndryshe “Er Cecato”, “Qorri” që kur kishte humbur njërin sy gjatë një përleshjeje me armë me policinë. Një personazh me një karriere kriminale që spikat dhe që i ka fillesat në vitet ’70. Kur thuhej se në Romë nuk kishte mafia, bëhej përjashtim vetëm për “Bandën e Maljanës”. Carminati ishte njëri prej pjesetareve të saj. Ai kishte qenë pjesë e celulave të armatosura revoluzonare “CAR”, një grup terrorist ky, që ishte mjaft aktiv gjatë të ashtuquajturve “vitet e plumbit”. Ndërkohë Carminati është hetuar për atentatin në stacionin e Bolonjës në vitin 1980 dhe për vrasjen e gazetarit Mino Pecorelli në vitin 1979.

Si çdo terrorist i së djathtës në Itali, kishte kontakte me pjesën e kriminalizuar të Shërbimeve Sekrete dhe kishte marrë pjesë në operacione të bujshme, si ai i vjedhjes së arkivës në Gjykatën e Romës, ku mori me vete plot 147 kuti plot me para dhe me dokumente konfidenciale. Gjithnjë ia ka dalë që të mos mbetej gjatë prapa hekurave të burgut. Carminati që ka në shtëpi 25 tabllo të artistëve si Pollock dhe Warhol kontrollon tregun e kokainës në Romë. E kishte ndarë qytetin në zona që i drejtonte së bashku me 3 bosë të tjerë të mafias, edhe pse duhet theksuar se Roma vazhdon që të jetë një qytet i “hapur” për klanin siçilian, në një kohë që kalabreazët dhe napolitanët mund të operojnë vetëm pasi të marrin leje. Gjithësesi ishte Carminati mbret i Romës. /El Correo-Spanjë

 

 

 

Lajme të ngjashme

Back to top button