Fuqizimi i femrës muslimane  

Pra ti je e nderuar. Por jo në raport me meshkujt – as duke bërë si ata, e as duke i kënaqë apetitet e tyre. Vlera jote si femër nuk matet me madhësinë e gjoksit apo ijeve tua, apo në numrin e meshkujve të cilëve iu pëlqen. Vlera jote si qenie njerëzore matet me një shkallë më të lartë: shkallën e ndershmërisë dhe devotshmërisë! Dhe qëllimi i jetës tënde – pavarësisht se çfarë të thonë revistat – është diçka më sublime se sa të dukesh bukur para meshkujve. Vlera jonë, nderi jonë, shpëtimi dhe përmbushja jonë nuk gjendet në robin e Zotit, por në Zotin e robërve! 

nga: Yasmin Mogahed 

Kur kishte hyrë në një qytet, njëri prej shokëve të Profetit Muhamed, salallahu alejhi ue selem, për t’u sjellë mesazhin e Islamit, kishte thënë kështu: “Kam ardhur t’ju liroj nga robëria ndaj robit dhe ju kam sjellur robërinë ndaj Zotit të robërve.”

Në këto fjalë të thëna shtrihet një thesar i tërë. I fshehur brenda këtyre fjalëve, është çelësi i fuqizimit dhe i vetmi shteg i vërtetë i lirisë. Në momentin që unë apo ju do të lejojmë dikë tjetër – përveç Krijuesit, të definojë suksesin, dështimin, lumturinë apo vlerat tona, do të shohim se kemi hyrë në një rrugë të pazëshme, por shkatërruese të robërisë. Ai që definon vlerën time, suksesin tim dhe dështimin tim, është Ai që më kontrollon mua, dhe Ai bëhet Udhëzuesi im.

Të definuarit e vlerës së femrës, ka marrë shumë forma përgjatë periudhave të ndryshme. Një prej standardeve dominuese të krijuara për gruan, ka qenë standardi mashkull. Por atë që shumë shpesh e kemi harruar është se Zoti e ka nderuar femrën duke i dhënë vlerë në relacion me Zotin dhe përkufizimit që Ai kë vënë për krijesat e Tij – e jo në relacion me mashkullin. Dhe meqenëse lëvizjet feministe perëndimore e kanë fshirë Zotin nga skena, nuk ka mbetur standard tjetër pos mashkullit. Si rezultat i kësaj, feministja perëndimore është sforcuar të gjejë vlerat e saj karshi mashkullit dhe në raport me të.

Duke bërë kështu ajo ka pranuar një supozim të gabuar. Ajo ka pranuar se mashkulli është standardi, dhe në këtë mënyrë ajo kurrë nuk mund të jetë një qenie e plotë njerëzore derisa të bëhet sikur mashkulli: sikur standardi sipas të cilit përcakton vlerat e saj. Kur mashkulli pret shkurt flokët e tij, ajo bën të njëjtën. Kur mashkulli i bashkohet ushtrisë, ajo bën të njëjtën. Ajo i dëshiron të gjitha këto sepse “standardi” i saj i bën ose i ka.

Gjënë që ajo nuk e kupton ose nuk e ka parasysh është se Zoti i ka krijuar të dinjitetshëm, femrën e mashkullin, pikërisht në ndryshueshmërinë dhe dallimet që i kanë – e jo në ngjashmëritë. Kur i pranojmë meshkujt si standard, në parim, çdo gjë unike femërore mbetet inferiore karshi këtij qëndrimi. Të qënit e ndjeshme është fyese, të qënit nënë me orar të plotë është degradim. Në betejën mes racionalitetit stoik (e konsideruar si karakteristikë mashkullore) dhe dhembshurisë vetëmohuese (karakteristikë femërore), racionaliteti superon. Në momentin që pranojmë se çkado që një mashkull ka dhe bën është më e mirë, e gjithë çfarë kërkohet është se: atë që e kanë meshkujt – e duam edhe ne. Nëse meshkujt falen në rreshtat/safat e parë, supozojmë se kjo qenka më mirë, kështu që duam edhe ne të falemi njësoj. Nëse meshkujt udhëheqin namazin, ne supozojmë se imami është më afër Zotit, kështu që duam të marrim rolin e imamit. Diku mes rreshtash e kemi pranuar nocionin se të pasurit pozitë udhëheqëse në këtë botë, është tregues i pozitës së tij në raport me Zotin. Por një femër muslimane nuk duhet ta degradojë veten në këtë mënyrë. Ajo e ka Zotin si standard. Ajo e ka Zotin që i jep asaj vlerë; ajo nuk ka nevojë për mashkullin ta bëjë këtë.

Duke na u dhënë privilegji i të qënit femër, ne vetëm mund ta degradojmë veten duke provuar të jemi diçka që nuk jemi – dhe të jemi të sinqerta – as nuk duam të jemi: një burrë. Si femra, nuk do të arrijmë asnjëherë lirinë e vërtetë derisa nuk ndalemi së imituari meshkujt, dhe të vlerësojmë bukurinë e ndryshueshmërisë që na ka dhënë Zoti. Dhe jo vetëm, në shoqëri është një tjetër “zot” mbizotërues që definon vlerën e femrës. Dhe ky është i ashtuquajturi standard i bukurisë.

Që prej kur ishim të vogla, ne si femra, na është transmetuar qartë porosia nga shoqëria që na rrethon, porosi e cila thotë: “Ji e hollë. Ji seksi. Ji atraktive. Ose… ji asgjë.” Kështu na është thënë që të vëmë make-up-in e tyre dhe të veshim fundet e tyre të shkurtë. Kemi arritur në pikën që të besojmë se pavarësisht se çfarë bëjmë, ne vlejmë vetëm aq sa jemi të bukura tek meshkujt dhe aq sa i kënaqim apetitet e tyre! Kështu i harxhojmë jetërat tona në kopertinat e revistave dhe i dhurojmë trupat tanë reklamave për të shitur sa më shumë. Ne ishim robëresha, por na thanë dhe na mësuan se jemi të lira. Ne u bëmë objekti i tyre, por u betuan se kjo quhej sukses!

Ndodh kështu sepse të mësuan se qëllimi i jetës tënde është ekspozimi, të tërheqësh dhe të jesh e bukur për meshkujt. Të bënë të besosh se trupi yt është krijuar për të shitur veturat e tyre. Por kanë gënjyer. Trupi yt, shpirti yt, janë krijuar për diçka më të lartë se kaq! Diçka shumë më të lartë se kaq! Zoti thotë në Kur’an: “Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij.” (Huxhuratë, 49: 13)

Pra ti je e nderuar. Por jo në raport me meshkujt – as duke bërë si ata, e as duke i kënaqë apetitet e tyre. Vlera jote si femër nuk matet me madhësinë e gjoksit apo ijeve tua, apo në numrin e meshkujve të cilëve iu pëlqen. Vlera jote si qenie njerëzore matet me një shkallë më të lartë: shkallën e ndershmërisë dhe devotshmërisë! Dhe qëllimi i jetës tënde – pavarësisht se çfarë të thonë revistat – është diçka më sublime se sa të dukesh bukur para meshkujve. Përmbushja jonë vie nga Zoti dhe nga raporti me Atë.

Dhe nuk është vetëm kaq sa u tha. Që kur kemi qenë të vogla, neve si femra, na kanë mësuar se kurrë nuk do të kompletohemi derisa të vijë një mashkull të na kompletojë, të na përmbushë. Sikur E Përhitura, na kanë mësuar se jemi të mangëta derisa të vijë princi e të na shpëtojë. Sikur Bukuroshja e Fjetur, na kanë thënë se jeta jonë nuk fillon në plotni, derisa Princi të na puthë. Por e vërteta është se: asnjë princ s’të përmbushë. E asnjë kalorës nuk do të të shpëtojë! Vetëm Zoti mundet. Princi yt është thjeshtë një qenie njerëzore. Zoti mund të ta dërgojë të jetë shoqëruesi yt – por jo shpëtimtari yt. Të jetë freskia e syve të tu – e jo ajri i mushkërive tua. Ajri që ti thithë është nga Zoti yt, e jo princit yt, moda, bukuria apo stili që posedon.

Prandaj, po të kërkoj të çmësohesh! Po të kërkoj që të ngrihesh dhe t’i rrëfesh botës se nuk je rob i asgjësë – as i modës, as i bukurisë, as i meshkujve.Ti je rob i Zotit, dhe vetëm rob i Tij. Të kërkoj t’i tregosh botës se nuk je këtu t’i kënaqësh meshkujt me trupin tënd; ti je këtu të kënaqësh Zotin tënd. Ai të ka treguar rrugët se si ta bësh. Kështu që atyre që duan të të shfrytëzojnë si mjet të synimeve të tyre dhe duan të të “lirojnë”, buzëqesh dhe thuaju: “Falemnderit, por jo!” Thuaju se nuk je këtu të ekspozohesh, dhe se trupi yt nuk është për konsum publik. Sigurohu që bota ta dijë se kurrë nuk do të reduktohesh thjeshtë në një objekt, në një palë këmbë të bukura për të shitur këpucë.

Ti je një shpirt, një mendje, një rob i Zotit. Dhe bukuria jote definohet nga bukuria e atij shpirti, asaj zemre, atij karakteri të moralshëm! Prandaj mos adhuro standardet e tyre të bukurisë; mos iu nënshtro sensit të tyre mbi modën. Nënshtrimi yt është diçka më e lartë se kaq. Prandaj, në përgjigje të asaj se ku të gjejë femra fuqizimin e saj, le të kthehemi në fjalët e shokut të Profetit Muhamed, salallahu alejhi ue selem.

E gjej veten tek ndërgjegjësimi se liria dhe fuqizimi i vërtetë shtrihet vetëm në lirimin e vetes prej të gjithë “zotave” tjerë, prej të gjitha definimeve tjera, prej të gjitha standardeve të tjera. Si femra muslimane, ne jemi liruar nga ky kufizim i heshtur. Ne nuk kemi nevoje për standardet e bukurisë apo modës që iu vjen ndër mend shoqërisë që na rrethon, për të përkufizuar vlerat tona. Nuk kemi nevoje të bëhemi si burrat për të na nderuar, dhe nuk kemi nevojë të presim princin për të na shpëtuar apo përmbushur.

Vlera jonë, nderi jonë, shpëtimi dhe përmbushja jonë nuk gjendet në robin e Zotit, por në Zotin e robërve!

(marrë nga libri Reclaim your heart, Y.M.)

Përktheu dhe përshtati: Fitore Haziri

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Edhe pse nuk i pelqen meshkujve muna me thon qe eshte nje qasje shume e kapshme per mendjen e njerit qe ka men dhe din me menu drejte.

Back to top button