Të luash me kartën e Evropës

Nga Dionis Xhafa
 
Shqiptarët janë populli më pro-perëndimor në hapësirën ballkanike e në mos në të gjithë kontinentin. Duke qenë se ekziston një realitet i tillë, ku shqiptarët admirojnë anëtarësimin në NATO dhe në BE, jo në pak raste politikanët përdorin retorikë pro-evropiane për të bindur elektoratin. Deri këtu puna nuk është edhe aq keq, por se ajo nis e nxihet kur deklaratat bien ndesh me realitetin. Një fenomen i tillë ngjan edhe me BDI-në e Ali Ahmetit.    
 
“Evropa” në fjalët e Ali Ahmetit
 
Në ligjërimin politik të Ali Ahmetit vihet re se ka një theksim shpesh edhe të tepruar të faktit se partia e tij, BDI na qënkërka partia që i “udhëheq” shqiptarët e Maqedonisë drejt BE-së dhe NATO-s. Madje, edhe në zgjedhjet e fundit Ahmeti pranoi të hyjë në koalicion me VMRO-në me kushtin se Maqedonia do të pranohet në NATO për gjashtë muaj. Po presim Vitin  e Ri dhe Maqedonia ka po të njëjtat probleme me fqinjët dhe nuk është në NATO.
 
Koalicioni kontradiktor VMRO-BDI
 
BDI dhe VMRO ngjajnë të jenë të kundërta në filozofinë politike që aplikojnë. Ajo që duket se i bashkon është të mbajtur gjallë të shtetit. BDI, edhe nëse vërtetë dëshiron të bëjë diçka pozitive për shqiptarët dhe nëse e do Maqedoninë në NATO, partneri në koalicion qartaz e pengon të realizojë këto politika. Nga kombinimi i politikave të partive në pushtet rrjedh një Maqedoni me probleme me fqinjët, me probleme me identitetin dhe me probleme dhe në konsumin e nacionalizmit të brendshëm. Kjo dëshmon se BDI-ja pengohet nga VMRO-ja. Kjo e fundit, veç faktit se “duhet të merret” me BDI-në, ka mbi supe çështje edhe më të rëndësishme për të që kanë të bëjnë me shtetin, emrin dhe identitetin.
 
Maqedonia dhe Evropa
 
Maqedonia është shteti që njeh zvarritjen më të madhe drejt hapave për në BE. Ndërsa Gruevski në fillimet e veta u konsiderua si një njeri reformator dhe që fill sa erdhi në pushtet i dha statusin Maqedonisë, sot ka media evropiane të tilla si “Der Standard” që e kanë cilësuar edhe “diktator të vogël”. “Tmerri” i statujave të Shkupit është publikuar në disa media të Evropës dhe ka dalë në pah edhe fakti se VMRO-ja ndjek politika nacionaliste. Një shtet si Maqedonia, me lidhje tradicionale jo vetëm nga Evropa, mund të dalë krejt nga binarët e proceseve euro-integruese. Kjo për shkak se Evropa po e shtrëngon Shkupin të gjejë zgjidhje për emrin dhe të lëshohet pe nga nacionalizmi i tepruar. Ndryshimi i kursit politik të Maqedonisë, duke mos qenë ai evropian, dëmton më shumë shqiptarët.
 
Nuk duhet lejuar asesi që Evropa të na shfaqet si makth, por si ëndërr e pastër e shqiptarëve.

Lajme të ngjashme

Back to top button