Dy pyetje në “WinWin” !

Mbrëmë kërcitën mediat duke skandalizuar mohimin e Ministrit Ademi për t’iu përgjigjur pyetjes së gazetares Olivera Trajkovska për elementet e sistemit periodik. Nga një mijë e një preokupime , halle dhe huti që kanë studentet, bashkë me gjithë problemet e sistemit arsimor në tërësi, doli se më me rendësi paskan qenë njohuritë personale të ministrit. Në vend që opinioni publik të diskutonte kërkesat e studentëve apo dhe shumë kërkesa tjera për ndryshime, mbrëmë gazetarja më mjaft renome Trajkovska zhgënjeu duke dhënë mesazhin më të panevojshëm dhe me më pak interes për jetën e qytetarëve respektivisht studentëve dhe arsimit në tërësi.
Pyetjet të cilat i bëri gazetarja Trajkovska do të kishin qenë normale në kushte tjera, në një demokraci ideale dhe me sistem arsimor të përkryer, ndërsa diskreditimi me pyetje nga njohurit e përgjithshme do të kishte qenë një nga xhokerët për një fitore gazetareske por edhe për të zhveshur nga fasadat e intelektit ministrat edhe ashtu cullak. Mirëpo, në kushte të një terri mediatik, mungesa e një debati rreth reformave dhe sjellja cinike e qeverisë ndaj studentëve është skajshmërish e gabuar që theksi të vendoset në banalitete të tilla, që në realitet janë lajme sensacionale e që tërheqin lehtë opinionin publik.

Megjithatë, kjo nuk ka asnjë efekt pozitiv në problemet e paraqitura. Përkundrazi, vetëm se prodhojnë kundër efekt duke shpërqendruar opinionin publik nga problemet e vërteta. Prezenca e ministrit në emision, edhe ashtu e rrallë, duhej të shfrytëzohej maksimalisht për të nxjerrë në shesh vendimet jo parimore të ministrit, heshtja para kërkesave të studentëve dhe shume e shumë prioritete dhe këto duhej të ishin bombat mediatike e assesi ajo që u shfaq mbrëmë.

Dorën në zemër, gjatë debatit në “WinWin” kishte edhe shumë pyetje dhe debat me vend por që ngelen nën hije të asaj që më pas u absorbua nga opinioni publik. Në fakt, u nënçmua inteligjenca e ministrit në fjalë bashkë me ate të tij dhe inteligjenca  e shumicës së shqiptarëve sepse fundja ministri është zgjedhur nga partia që në zgjedhjet e fundit mori shumicën absolute të votave shqiptare. Qoftë gabim vendimi i shumicës së shqiptarëve, qoftë jo adekuat dhe i pa përgatitur për pozicionin që ka ministri, porse kjo është temë e cila vlen të diskutohet por jo të nënçmohet në formë të tillë. Këtu më nuk flasim për individ por për cenim të integritetit të pozicionit ministër, udhëhequr nga një shqiptar. Kushdo qoftë ky ministër dhe nga cilado parti shqiptarë qoftë ai, opinioni publik shqiptar, bashkë me figurat eminente, duhet të gjykojnë zëshëm kundër sjelljeve të tilla.

Në anën tjetër, gazetarja Trajkovska duhej të tregohej më profesioniste, mos ta luaj rolin e gazetarëve që me guxim dhe vullnet i kritikon tashmë shumë vite, rolin e atyre që nënçmojnë dhe shpifin për gjithë ato që nuk mendojnë njësoj. Në emisionin e saj ka një kohë të gjatë që nuk ka shkelur ministër maqedonas, prandaj gazetarja duhej të ishte e kënaqur me prezencën e një ministri shqiptar dhe të kontrollonte euforinë e protagonizmit me qëllim që të lente raste edhe për debate tjera mjaft të nevojshme për opinionin e gjerë. Me gjithë respektin për figurën , guximin dhe rezistencën e gazetares në fjalë, emisioni i mbrëmshëm nga “WinWin” u shndërrua në “LoseLose”. A i dinte ministri pyetjet që iu parashtruan ne kurrë nuk do ta kuptojmë. Ajo që është shumë e qartë është fakti se edhe po t’i kishte ditur, kjo nuk e amniston nga përgjegjësitë e tij si ministër. Edhe nëse nuk i dinte, kjo nuk thotë as më pak e as më shumë për çështjet kruciale për të cilat ishte i ftuar në debat. Ndërsa ju shumica e popullit tim të dashur, ju lutem që sot mos e qeshni sepse dje e votuat atë !

Lajme të ngjashme

Back to top button